Ndërlidhjet

Rikthehen disa masa kufizuese kundër koronavirusit


Qeveria merr masa pas rritjes së numrin të viktimave nga COVID-19
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:46 0:00

Qeveria e Kosovës do të kujdeset të krijojë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje, duke riorganizuar klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, spitalet rajonale dhe duke shfrytëzuar bazën ligjore që spitalet private të vënë në dispozicion shtretërit e tyre për nevojat e pacientëve me koronavirus që dërgohen nga QKUK-ja, ka deklaruar të dielën në një konferencë për media, kryeministri Avdullah Hoti.

Ai shtoi se do të blihen edhe 7 aparatura të testimit, do të krijohen kapacitete shtesë me personel shëndetësor që do të jenë në shërbim të luftimit të pandemisë, në veçanti të fushave të mikrobiologjisë dhe infermierisë. Hoti tha se do të rriten kapacitetet për testim virologjik në mënyrë që të shfrytëzohen kapacitetet ekzistuese deri në 500 teste brenda ditës.

Në pesë ditët e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka testuar në total 1,351 mostra për koronavirus dhe në bazë ditore, numri i testimeve ka qenë nën 400 sosh.

Sipas tij, brenda javës do të licencohen institucionet private shëndetësore për të kryer teste virologjike, si dhe do të fillojnë procedurat urgjente për të blerë edhe 100 mijë teste virologjike shtesë.

Testi virologjik njihet ndryshe edhe me shkurtesën PCR [Polymerase Chain Reaction], i cili përcakton nëse virusi është aktiv te një njeri, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Qeveria e Kosovës me specialistët shëndetësorë dhe bartësit e institucioneve shëndetësore të dielën ka analizuar situatën e krijuar së fundmi në Kosovë lidhur me pandeminë e koronavirusit dhe tashmë ka përgatitur një plan të veprimit , i cili u miratua gjatë mbledhjes së mbajtur në mënyrë elektronike nga Qeveria e Kosovës.

Masat e reja kundër koronavirusit, hyjnë në fuqi më 6 korrik, njoftoi kryeministri Hoti, pas mbledhjes së mbajtur të qeverisë.

Hoti ka theksuar se ky plani i specifikon në detaje veprimet, të cilat duhet t’i marrin institucionet shëndetësore.

Ai tha se qeveria do ta vë buxhetin në dispozicion, duke bërë të gjitha rialokimet e nevojshme për të blerë 100 mijë teste virologjike, 500 mijë vaksina të virusit sezonal, aparaturat e nevojshme për testim, të cilat i ka përmendur më herët, si dhe për vaksinat kundër koronavirusit, kur ato të zbulohen.

Masa të reja administrative kundër koronavirusit

Në qytetet ku ka numër të madh të infektuarve, kryeministri Hoti njoftoi se në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri, do të kufizohet tërësisht lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

“Mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Jashtë kësaj periudhe, lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe take away (merre me vete)”, tha Hoti.

Po ashtu, në institucione do të reduktohet numri i punëtorëve vetëm në stafin e domosdoshëm. Ndërkaq, në institucionet shëndetësore do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë joesenciale.

Në transportin publik, numri i udhëtarëve do të përgjysmohet, tha Hoti, teksa prezantoi masat e reja.

Ai shtoi se qytetarët do të informohen në vazhdimësi lidhur me gjendjen me koronavirus. Ai tha se do të bëhen reportazhe nga Klinika Infektive, pasi sipas kryeministrit Hoti, shumë qytetarë nuk besojnë se koronavirusi ekziston.

“Në bazë të vlerësimeve, 30 për qind e qytetarëve në Kosovë nuk besojnë që COVID-19 është real. Ne do t’ju tregojmë sesi njerëzit përballen me jetën e tyre në Klinikën Infektive”, tha Hoti.

Mohimi i virusit rrezikon shëndetin publik
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Hoti tha se do të krijohen aplikacione që qytetarët ta dinë nëse kanë pasur kontakt ose nëse jeni në kontakt me personat e infektuar me koronavirus, por gjithmonë duke ruajtur të dhënat personale të personave të infektuar.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus e deri më 4 korrik janë regjistruar 3,356 raste. Prej tyre, 66 pacientë kanë vdekur, 1,874 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,416 pacientë.

Gjatë ditës së diel është raportuar se edhe pesë pacientë kanë vdekur, por Hoti nuk konfirmoi vërtetësinë e këtij lajmi.

XS
SM
MD
LG