Ndërlidhjet

Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi po përcillet me paqartësi


Ilustrim.

Derisa krerët e institucioneve të Kosovës thonë se kanë vizion të qartë e pajtueshmëri për rifillimin e dialogut me Serbinë, analistët politikë konsiderojnë se ky proces është i mbushur me paqartësi të mëdha. Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës [KDI], tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk është e qartë se çfarë procese janë duke u zhvilluar.

Me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të administratës së presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti do të takohen me përfaqësuesit e Serbisë.

Hoti para takimit ne Uashington paralajmëroi takimet bilaterale në Bruksel me udhëheqësit të BE-së.

"Ky takimi i Brukselit u paralajmërua vetëm pak kohë më parë. Është e paqartë se çka do të diskutohet, është e paqartë se kush do të shkojë nga pala kosovare në atë takim, ndërsa kemi të paralajmëruar takimin në Uashington, ku që, përveç se po përmendet se do të diskutohet për çështje ekonomike është e paqartë se cili është rezultati i pritshëm i këtyre bisedimeve. Nuk e kemi të qartë nëse po flasim për dy procese të ndara apo për një proces, apo sesi këto dy procese do të komplementohen me njëra-tjetrën", tha Jeta Krasniqi nga KDI.

Thaçi dhe Hoti janë takuar të martën para udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe takimit të kryeministrit Hoti në Bruksel, për t’i harmonizuar dhe koordinuar qëndrimet për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë për dialogun politik me Serbinë.

Përmes një komunikate për media, presidenti Thaçi citohet të ketë thënë se dialogu "pritet të jetë i vështirë".

"Republika e Kosovës është e bekuar me mbështetjen e partnerëve të saj strategjikë dhe krerët shtetërorë janë shprehur optimistë se ky proces do ta përmbyllë kapitullin e hidhur të luftës dhe do ta forcojë paqen në gjithë rajonin tonë", është thënë në komunikatën e presidencës.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se zgjidhja e problemeve ekonomike, heqja e barrierave tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale, do të jenë temat kryesore të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Kryeministri Hoti ka paralajmëruar se në Uashington do të udhëtojë me synim të përafrimit apo arritjes së marrëveshjes me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të raporteve ndërshtetërore, që do të çonte drejt njohjeve reciproke.

Opozita kërkon llogari nga institucionet

Në anën tjetër, në Lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo opozitare, thonë se Qeveria e Kosovës nuk ka legjitimitet për udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Deputetja nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu tha për Radion Evropa e Lirë, se si opozitë janë të shqetësuar për veprimet që po merren nga presidenca dhe qeveria për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

"Dialogu i papërgatitur mirë dhe pa parime, gjithmonë i ka sjellë dëme Kosovës dhe jo rastësisht i kemi përmendur marrëveshjet e dëmshme në vazhdimësi që në atë kohë qeveritë e kaluara i kanë nënshkruar në Bruksel. Prandaj ne padyshim jeni të shqetësuar në raport me situatën aktuale dhe kërkojmë llogari për veprimet që qeveria ilegale po bën", tha Haxhiu.

Që nga fundi i 2018 dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë për shkak të vendosjes së tarifës 100 për qind. Taksën, të cilën e kishte vendosur qeveria e Ramush Haradinajt, e zëvendësoi me masa reciproke tregtare ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 1 prill.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin kundër vendosjes së masave ndaj Serbisë, para së gjithash për shkak se, siç kishin theksuar, ato e frenonin dialogun ndërmjet dy palëve. Me shkuarjen e Kurtit dhe ardhjen e Hotit në krye të qeverisë, janë larguar të gjitha barrierat tregtare dhe në këtë mënyrë i është dhënë shansi Serbisë që të kthehet në tavolinën e bisedimeve.

Në të njëjtën kohe, edhe zyrtarët evropian po bëjnë përpjekje për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano konfirmoi se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës do të vazhdojë muajin tjetër.

Lajçak: Rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Stano theksoi se BE-ja po vazhdon angazhimin e saj të plotë në këtë drejtim, duke përmendur vizitën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.

XS
SM
MD
LG