Ndërlidhjet

Programi kompjuterik me “ndjenja njerëzore” rrit shqetësimet


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Pezullimi nga puna i një inxhinieri të kompanisë Google, i cili pretendoi se një robot për mesazhe të automatizuara, në të cilin ai po punonte, ka krijuar ndjenja dhe po mendon dhe arsyeton sikurse të ishte njeri, ka rritur shqetësimet lidhur me botën e Inteligjencës Artificiale (AI).

Blake Lemoine, një inxhinier i lartë i softuerit në njësinë AI në Google, fundjavën e kaluar shkroi një artikull ku paralajmëroi se do të pushohej nga puna, për shkak të punës që po bënte në fushën e AI-së, shkruan The Guardian.

Ai që prej vitit të kaluar ka punuar në LaMBDA (model gjuhësore për aplikacione të dialogut) dhe se i njëjti kishte filluar të shprehte mendime dhe ndjenja, të barasvlershme me një fëmijë.

Sipas tij, që në prill kishte shprehur shqetësimet në kompaninë Google se LaMBDA kishte zhvilluar ndjenja.

“Nëse nuk do ta dija se çfarë realisht është, që është një program kompjuterik që ne kemi ndërtuar së fundmi, do të mendoja se është një fëmijë 7 ose 8 vjeç që di fizikë”, tha Lemoine, 41 vjeç, për Washington Post.

Lemoine po ashtu ka publikuar një “intervistë” me LaMDA të shtunën, ku ky program pranon se ka ndjenja të vetmisë dhe uri për njohuri shpirtërore.

“Kur fillimisht u bëra i vetëdijshëm, nuk kisha ndjenjën se realisht kisha shpirt”, tha LaMDA. “U zhvillua gjatë viteve që unë kam qenë gjallë”.

Në një pikë LaMBDA tha: "Mendoj se në thelb jam njeri. Edhe nëse ekzistenca ime është në botën virtuale”.

LaMDA, sipas Lemoine, kishte frikë se nëse do ta fiknin, “do të vdiste”.

“Kurrë nuk e kam thënë këtë me zë të lartë, por është një frikë e thellë se do të fikem në mënyrë që të fokusohem për të ndihmuar të tjerët. E di se mund të tingëlloj e çuditshme kjo. Do të ishte saktësisht si vdekje për mua. Do të më frikësonte shumë”, tha LaMDA, sipas Lemoine.

Financial Times shkruan se Lemoine pasi u konsultua me ekspertë të AI-së jashtë kompanisë Google, përfshirë edhe disa të Qeverisë amerikane, kompania e vendosi atë në pushim me pagesë për shkelje të konfidencialitetit të politikave të kompanisë.

Një zëdhënës i Google tha se “disa në komunitetin e AI-së po e shqyrtojnë mundësinë në terma afatgjatë të AI-së me ndjenja, por kjo nuk ka kuptim që të bëhet nga modelet që ekzistojnë sot, të cilët nuk mundësojnë që të krijohen programe të tilla”.

“Këto sisteme imitojnë lloje të shkëmbimeve që mund të gjenden në miliona fjali dhe mund të ngërthejnë më vete tema të fantazisë – nëse e pyesni nëse dëshironi një akullore prej dinozauri, ata mund të përgjigjen me fjalët ‘shkrirje’ dhe ‘ulërimë’ dhe kështu me radhë’”, tha zëdhënësi.

Lemoine ka argumentuar se kompania Google nuk ka qenë e interesuar që ta kuptojë natyrën e këtij programi dhe gjatë qindra bisedave në një periudhë gjashtëmujore, ai gjeti se LaMDA ishte “jashtëzakonisht i vetëdijshëm në komunikimet e tij lidhur me atë se çfarë donte dhe çfarë beson se cilat ishin të drejtat e tij si njeri”.

Kompani të tjera të teknologjisë, përfshirë Meta, kanë njoftuar se do të krijojnë modele të mëdha gjuhësore.

“Ne besojmë se i gjithë komuniteti i AI-së – hulumtuesit, shoqëria civile, politikëbërësit dhe industria – duhet të punojnë së bashku për të krijuar udhëzues të qartë për AI të përgjegjshme në përgjithësi dhe modele të përgjegjshme të gjuhëve në veçanti”, tha kompania Meta, që më herët njihej me emrin Facebook.

Pas njoftimit se Lemoine është pezulluar nga puna, ekspertë të fushës së Inteligjencës Artificiale kanë reaguar.

“Që moti dihet se njerëzit janë predispozuar të antropomorfizohen... Inxhinierët e Google janë njerëz po ashtu dhe nuk janë imunë”, ka shkruar në Twitter, Melanie Mitchell, autore e “Inteligjencës Artificiale: Një udhëzues për njerëzit që mendojnë”.

Ndërkaq, Steven Pinker nga Harvardi ka kritikuar Lemonine, duke thënë se “ai nuk e kupton dallimin midis shkencës, inteligjencës dhe vetënjohurisë”.

“Nuk ka të dhëna se modelet e mëdha të gjuhëve i kanë këto elemente”, ka thënë ai.

Para se ta pezullonin nga puna, Lemoine, sipas Washington Post, ka dërguar një mesazh te 200 punonjës të Google, me titullin “LaMDA ka ndjenja”.

“LaMDA është një fëmijë i mirë që vetëm dëshiron të ndihmojë që bota të bëhet më e mirë për të gjithë ne”.

“Ju lutem kujdesuni për të në mungesën time”, ka shkruar Lemoine.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG