Ndërlidhjet

Komunitetet RAE në Kosovë, të pambrojtura përballë COVID-19


Një punëtor komunal dezinfekton kampin e romëve në Plementin. 8 prill, 2020.
Një punëtor komunal dezinfekton kampin e romëve në Plementin. 8 prill, 2020.

Asnjë person nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas (RAE) nuk është prekur në Kosovë nga koronavirusi i ri, mirëpo deri tash nuk ka pasur asnjë test të bërë në këto komunitete, kanë thënë zyrtarë që merren me mbrojtjen dhe monitorimin e këtyre pakicave.

Bekim Syla, nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, tha se organizata e tij vazhdimisht është duke punuar në terren dhe se deri tash nuk ka rezultuar asnjë person i prekur me COVID-19 nga këto minoritete.

“Për fat të mirë asnjë në Kosovë nuk është i prekur me koronavirus. Por, me sa kam informata, asnjë test nuk ju është bërë këtyre komuniteteve. Por nuk kanë as shenja asnjëri prej tyre”, tha Syla.

“Gjendja e tre komuniteteve është më e rënda në gjithë Kosovën. Kjo duke e marrë parasysh gjendjen ekonomiko-sociale të kësaj kategorie, pasi shumica jetojnë me asistencë sociale”, theksoi Syla.

Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara që merret me refugjatët, UNHCR, komuniteti rom në Evropë ballafaqohet me rrezik të lartë e përhapjes së COVID-19.

Në Evropë jetojnë afërsisht 12 milionë romë dhe shumica prej tyre nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, energji elektrike dhe jetojnë në kushte të vështira pa mjekësi adekuate.

Një grua nga komuniteti rom në kampin në Plementin.
Një grua nga komuniteti rom në kampin në Plementin.

Një jetesë të njëjtë ata bëjnë edhe në Kosovë.

“Përkundër vështirësive ekonomike që po ballafaqohen, Zoti ka dashur që t’i mbrojë prej sëmundjes. Asnjë nuk është i prekur tash për tash me virusin, e që na bën të ndjehemi mirë. Por, nëse vazhdon kjo situatë nuk e besoj se mund t’i bëjë ballë kësaj pandemie pasi po ballafaqohen me mungesa të mëdha prej ushqimit, pakos higjienike e deri te barnat,” tha për Radion Evropa e Lirë, Albert Kinolli, deputet i parlamentit të Republikës së Kosovës nga komuniteti rom.

Komunitetet RAE ballafaqohet me varfëri ekstreme

Esad Krasniqi i takon komunitetit egjiptas. Ai duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se jeton në Mitrovicë në lagjen “2 Korriku” me tre anëtarë të tjerë të familjes, derisa shtoi se asnjëri prej anëtarëve nuk është i punësuar.

Krasniqi thotë se prej kur kanë filluar rastet e para të paraqitjes së sëmundjes COVID-19, e ka humbur punën, ku kishte punuar si asistent mësues në “Lagjen Rome” në Mitrovicë.

“Unë jam në gjendje të rëndë financiare. Kam punuar si asistent i mësuesit në ‘Roma Mahalla’, por donatorët i kanë ndërprerë të ardhurat dhe aktualisht jam në shtëpi i papunë. Por, mund të them se gjendja ekonomiko-sociale e komuniteteve rom, ashkali e egjiptas, është shumë e rëndë, në lagjen ‘2 Korriku’ ku unë jetoj. Popullata po vuan shumë për higjienë, ushqim, gjithçka’’, tha Krasniqi.

Deputeti Albert Kinolli tha se Qeveria e Kosovës, sikur shumë vende në Kosovë, i ka futur në karantinë edhe personat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, por asnjëherë nuk është interesuar nëse ata kanë ushqim, barna apo gjëra elementare për jetesë.

“Përballja me pandeminë si për gjithë qytetarët e Kosovës, e veçanërisht për komunitetin rom është alarmante. Ballafaqohen me një situatë ekstreme të varfërisë, dhe tash me përballje me COVID-19 situata është sfiduese. Ka mungesa të pakos higjienike, të dorezave, maskave, ushqimit e gjithçka tjetër. Ne kemi bërë përpjekje dhe kemi kërkuar ndihmë prej qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe deri tash asnjë ndihmë nuk e kemi marrë për ta”, tha Kinolli.

Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë mbi 170 milionë euro për të zbutur efektet ekonomikë të pandemisë. Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas mund të përfitojnë shumë pak nga kjo ndihmë, pasi ata kryesisht nuk kanë punë të rregullta.

XS
SM
MD
LG