Ndërlidhjet

Mos lejoni që ‘rregullat’ e parave t’ua shuajnë ëndrrat


Një shtëpi për shitje në SHBA. Fotografi ilustruese.
Një shtëpi për shitje në SHBA. Fotografi ilustruese.

Associated Press

Jepni 20 për qind kapar kur blini një shtëpi. Mos shpenzoni më shumë se 30 për qind të të ardhurave tuaja për shpenzimet e banimit. Mbani nën 10 për qind të të ardhurave vjetore shpenzimet për kujdesin ndaj fëmijëve.

Këto “rregulla” të parave mund të jenë të dobishme, për t’iu ndihmuar që t'i menaxhoni shpenzimet dhe të kuptoni se çfarë është e përballueshme. Këto rregulla, po ashtu, mund të jenë shumë dekurajuese, kur ndiheni të pasigurt.

Nëse këto “rregulla” të shpenzimit të parave nuk përshtaten me realitetin tuaj, atëherë keni këtë gjë parasysh: Një amerikan mesatar nuk i afrohet as afër respektimit të të gjitha këtyre rregullave të famshme. Dhe, kjo nuk është gjë e keqe.

“Nëse i trajtoni këto ‘rregulla’ si rregulla të ngurta, do ta frustroni veten”, tha William O’Donnell, president i kompanisë Heartland Financial Solutions në Nebraska. “Një gjë që njerëzit harrojnë është se udhëzuesit janë fleksibilë sepse situata e gjithsecilit është e ndryshme”.

E rëndësishme është që njerëzit të kenë nën kontroll shpenzimet dhe të krijojnë një plan të shpenzimeve që funksionon për ta, e jo të bazohen në plane ideale. Kështu duhet të shikohen edhe këto ‘rregulla’, të cilat duhet të vendosen në kontekstin e realitetit financiar të gjithsecilit.

Rregulli: Ndani buxhetin tuaj në nevoja (50%), dëshira (30%) dhe kursime (20%).

Realiteti: Vetëm banimi mund të përbëjë gjysmën e pagesës së blerjes së një shtëpie.

Rregulli 50/30/20 është një kornizë mjaft popullore e shpenzimeve që i ndan të ardhurat në tri kategori: nevoja, dëshira dhe kursime. Por, shpenzimet e domosdoshme mund t’ua shterojnë buxhetin ende pa ia nisur.

Më 2020, për shembull, 23 për qind e amerikanëve që jetonin me qira shpenzuan gjysmën apo më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre vetëm për qira, thuhet në të dhënat e fundit të Byrosë amerikane të Regjistrimit. Nëse shtohen edhe shpenzimet e tjera – shpenzimet komunale, ushqimi, transporti, sigurimi shëndetësor, kujdesi për fëmijët dhe kamatat e kredive – amerikanëve u mbetën pak para, ndoshta aspak për gjërat që dëshironin të blinin apo për të kursyer.

Këshillohet që të mos shpenzoni në bazë të kësaj formule, nëse buxheti juaj nuk përshtatet me të. Në vend të kësaj, duhet që të merret për bazë parimi i këtij rregulli dhe të krijoni një kornizë që ju përshtatet me situatën aktuale financiare, por gjithmonë duke shikuar drejt qëllimit afatgjatë që dëshironi të arrini. Sigurisht, në fillim buxheti mund të jetë sipas skemës 85/10/5, por me kalimin e kohës mund të afroheni drejt balancës ideale.

Thjesht, gjurmimi i të gjitha shpenzimeve është një fillim i mirë; mund të kontrolloni se ku shkon çdo dollar që do të ndihmojë në marrjen e vendimeve më të mira bazuar në shpenzimet tuaja.

Rregulli: Mos shpenzoni më shumë se 7 për qind të të ardhurave për kujdesin ndaj fëmijëve.

Realiteti: Shumica e familjeve shpenzojnë 20 për qind apo më shumë për kujdesin e fëmijëve.

Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore e vlerëson si të papërballueshëm shpenzimin e më shumë se sa 7 për qind të të ardhurave vjetore të amvisërive për kujdesin e fëmijëve.

Por, 51 për qind e prindërve kanë shpenzuar mbi 20 për qind, sipas një sondazhi të vitit 2022 të realizuar nga Care.com. Në këtë sondazh janë anketuar më shumë se 3.000 prindër amerikanë që paguajnë për kujdes të fëmijëve.

Ka shumë gjëra që mund të bëhen për të ulur koston në mënyrë dramatike sa i përket kujdesit të fëmijëve. Këtu mund të përfshihen edhe bursat për shkollim, por krejt varet nga rregullat dhe mundësitë që ofrojnë shtetet amerikane.

Rregulli: Duhet të jepni 20 për qind kapar për të blerë shtëpi.

Realiteti: Personat që blejnë për herë të parë shtëpi, zakonisht japin 7 për qind paradhënie, sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare amerikane të Patundshmërive.

Por, rregulli i paradhënies së 20 përqindëshit është i dalë mode, tha Jessica Lautz, zëvendëspresidente për të dhëna demografike në Shoqatën Kombëtare të Patundshmërive.

Po, mund të kërkohet nga kreditorët një paradhënie kaq e madhe, por tani ata po mbështeten në sigurimet private të hipotekës, për të zbutur rrezikun e kredive të dhëna, duke ua kaluar koston huamarrësve.

Blerësit e shtëpive duhet të japin më pak se 20 për qind kapar, mesatarisht 0.58 për qind deri në 1.86 për qind të shumës fillestare të kredisë vjetore përmes sigurimit të hipotekës. Kjo vlerë mund të shtojë qindra dollarë në pagesën mujore të hipotekës.

Dhënia e një vlere më të madhe parash si kapar mund të ulë pagesat mujore të hipotekës, por kjo gjë ndikon në kursimet për të blerë një shtëpi dhe mund të vë qytetarët në një situatë të paqëndrueshme financiare.

Mesatarisht tre në dhjetë persona që kanë në pronësi një shtëpi (29 për qind) më nuk ndiheshin financiarisht të sigurt pasi blenë shtëpi, thuhet në një sondazh të kryer më 2020 nga The Harris Poll. Kjo ndjenjë ishte më akute në mesin e të rinjve që kishin blerë shtëpi, me 42 për qind të personave të lindur mes viteve 1980-90 dhe 54 për qind në mesin e atyre që kanë lidhur në periudhën nga viti 1997 e tutje. Ndërkaq, 16 për qind e personave të lindur midis viteve 1965 dhe 1980 thanë se u ndien të pasigurt financiarisht pas blerjes së shtëpisë ku aktualisht jetojnë.

Një ndërmjetësues hipotekash mund të ndihmojë qytetarët që të gjejnë një kamatë të volitshme për pagesën e shtëpisë, por secili person që dëshiron të blejë shtëpi, sipas Lautz, duhet t’i bëjë disa pyetje vetes.

“A ju duhen kursime për të rinovuar shtëpinë pasi ta blini apo kursimet t’i përdorni për shpenzime të tjera?”, tha ajo. “A do të ishte më e lehtë që të paguani shtëpinë nëse do të kishit pagesa më të ulëta mujore të hipotekës dhe pjesën tjetër të parave ta shfrytëzonit për gjëra të tjera, sikurse kujdesi ndaj fëmijëve?”, shtoi ajo.

XS
SM
MD
LG