Ndërlidhjet

Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për zbatimin e Marrëveshjes, Vuçiq po


Pamje nga takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel. 14 shtator 2023

Rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili "e ka pranuar propozimin e tyre" për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti, po ashtu, tha se "kushtëzimi i Serbisë" për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe "është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së".

Marrëveshja bazë është arritur në shkurt, por zbatimi i saj lë për të dëshiruar.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Borrell: Kurti insistoi në njohje

Borrell, duke folur për gazetarët, tha se u ka ofruar palëve propozimin e BE-së që Marrëveshja bazë të zbatohet nga të dyja ato paralelisht.

Sipas tij, Kurti kërkoi zbatimin e aspekteve politike fillimisht, ndërsa Beogradi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti "nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto [e Kosovës] si hap i parë", tha Borrell.

Për formimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë, në lidhje me ndikimin që do të kishte ky asociacion në funksionalitetin e shtetit.

"Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të tejkalohen dallimet", tha Borrell, duke shtuar se Vuçiq e ka pranuar propozimin e BE-së.

"Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë", tha Borrell dhe vuri në dukje se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.

Kryediplomati evropian tha, po ashtu, se situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - nuk është qetësuar ende dhe kërkoi nga të dyja palët që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e saj.

"Nuk mund të qëndrojmë ulur dhe të presim krizën e radhës".

"Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë", tha Borrell.

Borrell tha se kjo është koha kur BE-ja po përpiqet të zgjerohet, por theksoi se pa normalizim të marrëdhënieve, "nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë".

Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me kushtëzimin e vjetër

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si "kushtëzim të vjetër të Serbisë" për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

"Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit", tha Kurti.

Ai tha se ka qenë i vetmi në takim që ka propozuar "një udhërrëfyes të sekuencuar" për zbatimin e Marrëveshjes bazë, të arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe të aneksit të zbatimit të saj, të dakorduar në Ohër, më 18 mars.

"As nga pala serbe dhe as nga pala e Brukselit" nuk ka pasur kurrfarë dokumentesh si propozime, tha kryeministri i Kosovës.

Sipas tij, kushtëzimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së.

"Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë", tha Kurti.

Ai tha se Lajçak e ka bërë këtë "në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues".

Shtoi se është gjithmonë i gatshëm të diskutojë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por se draft-statuti i tij "nuk mund të negociohet nëse, fillimisht, nuk biem dakord për udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes".

"Shpreh gatishmërinë time të plotë që secilin nen të Marrëveshjes bazike, secilën fjali të preambulës dhe secilën pikë të aneksit të Ohrit, jam i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë - në plotni, pa asnjë kusht", tha kryeministri i Kosovës.

Për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës - si mundësi për shtensionimin e situatës atje - Kurti tha se është i interesuar dhe se ato duhet të mbahen duke e respektuar Udhëzimin Administrativ, që ka nxjerrë Qeveria e tij.

"Nuk mund ta detyrosh askënd" që të japë dorëheqje, tha Kurti, duke iu referuar kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Vuçiq: Kurti i shmanget formimit të Asociacionit

Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, "e refuzoi propozimin evropian".

"Ne të gjithë i kemi propozimet tona - shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar", u tha Vuçiq gazetarëve.

I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe - "të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo".

"Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar", tha Vuçiq.

"Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit... Ky është thelbi i gjithçkaje", tha ai.

Marrë parasysh se nuk ka marrëveshje, një gjë e tillë "çon vetëm në probleme më të mëdha", tha presidenti i Serbisë, por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.

Në lidhje me zgjedhjet në veri, ai tha se nëse kryetarët shqiptarë të komunave atje japin dorëheqje, ai "do të japë gjithçka nga vetja" që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor, por vuri në dukje se nuk mund të premtojë në emër të tij.

"Para së gjithash, jam i shqetësuar. Nën dy, nuk jam i pakënaqur - së paku, jam i kënaqur që Serbia ka treguar konstruktivitetin e saj, përgjegjësinë dhe vullnetin për t'iu qasur zgjidhjeve të kompromisit... Dhe, nën tre, jam edhe më i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, pas gjithçkaje që pashë dhe dëgjova sot", tha Vuçiq.

Ai nuk specifikoi më shumë, por tha se, sigurisht, pret reagimin e BE-së.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, Borrellin dhe Lajçakun.

"Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi", shkroi më herët Borrell në platformën X.

Përballje në kohë tensionesh

Takimi u zhvillua në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50.000 serbë dhe përbëjnë shumicën lokale.

Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë - nën përcjelljen e policisë - në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme - më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur.

*Video nga arkivi: Protesta në Zveçan më 29 maj

Dhunë, të shtëna e gaz lotsjellës pas intervenimit të KFOR-it
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:08 0:00

Duke e bërë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar, Bashkimi Evropian ka kërkuar prej saj që t’i ulë tensionet duke i pezulluar operacionet policore në veri, duke i zhvendosur kryetarët e komunave në zyra alternative dhe duke shpallur zgjedhje të reja.

Deri më tash, Qeveria e Kosovës ka përgjysmuar praninë e njësive policore në ndërtesat komunale në veri dhe ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Për këtë qëllim, ajo ka nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, por që, sipas njohësve të çështjeve zgjedhore, ai vështirë se çon në proces të ri zgjedhor.

Tensionet në veri e kanë bërë Kosovën subjekt të masave ndëshkuese edhe nga BE-ja, edhe nga SHBA-ja, pasi e kanë fajësuar për moskoordinimin e veprimeve me to.

Mbi 12 vjet dialog

Kosova - e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 - dhe Serbia - që vazhdon ta kundërshtojë atë - janë të angazhuara në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, bisedimet kanë nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar pastaj në nivel politik.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje - nga lëvizja e lirë deri te çështja e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998/99 - por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Bashkimi Evropian kërkon vazhdimisht nga to që të zbatojnë gjithçka të dakorduar.

Normalizimi i marrëdhënieve, njëherësh, është kusht për të dyja vendet që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

XS
SM
MD
LG