Ndërlidhjet

Priftërinjtë ortodoks rusë që janë kundër luftës në Ukrainë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Atë Grigory, një prift ortodoks rus që shërbente në një fshat jashtë Shën Petersburgut, e krahasoi këtë gjendje ku ai ndodhet me atë të të krishterëve në të kaluarën, të cilët u persekutuan nga romakët.

“[Dikush] i cili është i përkryer dhe një i krishterë mund të jetojnë në po të njëjtën rrugë, dhe asgjë nuk do t’i ndodhte të krishterit derisa [dikush] i përkryeri do të shkruante në një letër zyrtare se fqinji i tij është i krishterë”, tha Grigory, i cili kërkoi që emri i tij i vërtetë të mos përmendet nga frika për pasojat e mundshme.

“Pastaj do të hapej rasti. Pikërisht kështu është situata tani. Përderisa askush nuk shkruan diçka, asgjë nuk ndodh, mirëpo sapo të bëhet një lloj denoncimi, ata i shikojnë të ardhurat e tua dhe vendin e punës. Pastaj ata të ndëshkojnë me ‘diskreditim i autoriteteve ruse’”.

“Kur ne flasim për atë se çfarë është duke ndodhur këto ditë, ne flasim sikur në librat e Harry Potterit – për atë që nuk duhet t’i përmendet emri”, shtoi ai, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.

Grigory është një nga klerikët e shumtë rusë nën hije, që janë kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe politikat gjithnjë e më autoritare dhe shoviniste të Putinit. Ata janë duke hasur në probleme me mbajtjen e pozitave të tyre dhe lidhjeve me komunitetet, madje edhe ndërgjegjja e tyre i shtyn ata të jenë kundër përkrahjes që Kisha Ortodokse ruse ia ka bërë luftës dhe Putinit -- udhëheqës i së cilës është Patriark Kirill, njëherësh i quajtur një "mrekulli nga Zoti".

“Unë veproj si një partizan sa herë që mundem”, tha Grigory.

Teologia bjelloruse, Natalia Vasileviq – themeluese e Krishterët Kundër Luftës, e cila monitoron shtypjen e të krishterëve që raportohet se ndodh në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi, qëndrimin e tyre kundër luftës, si dhe ju ofron ndihmë viktimave – që, sipas saj, janë shumë klerikë të tillë në Rusi.

"Kur priftërinjtë flasin kundër luftës, ata e bëjnë këtë pa tërhequr vëmendje. Ata, thjesht, po përpiqen të shpëtojnë kishën dhe komunitetin e tyre nga ky virus, infeksioni i mizantropisë… Në këto rrethana, mospjesëmarrja në të keqen është bërë një akt shumë i rëndësishëm”, shtoi Vasileviq.

"Ishte detyrë e imja”

Patriarku ortodoks rus, Kirill, ka mbështetur prej kohësh luftën dhe ka qenë mik i ngushtë i Putinit, duke injoruar prirjet e tij diktatoriale, dhe duke vlerësuar mbështetjen e tij ndaj konservatorizmit social. Patrikana i udhëzoi priftërinjtë të luteshin për paqe në fazat e hershme të konfliktit, por në shtator ajo rishikoi lutjen për të nxitur triumfin e Rusisë. Priftërinjtë nxiten të ndihmojnë në angazhimin e sa më shumë trupave dhe t'i bekojnë ata teksa vazhdojnë për në front.

“Sakrifica gjatë kryerjes së detyrës suaj ushtarake fshin të gjitha mëkatet”, ka thënë Kirill.

Kryeprifti Andrei Tkaçiov, për shembull, ka grumbulluar një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale - më shumë se 1.5 milion ndjekës në Telegram - për mbështetjen e tij të hapur për luftën dhe bindjen se Rusia është "Izraeli i ri" që është i "urryer nga armiqtë e Zotit".

Megjithatë, në mars të vitit 2022, një grup klerikësh ortodoksë shkruan një letër të hapur duke kërkuar që lufta të përfundonte. Mbi 300 njerëz e kanë nënshkruar atë që atëherë.

Një nga nënshkruesit fillestar ishte Atë Aleksandri, i cili gjithashtu mbikëqyrë një kishë të vogël rurale afërsisht një orë e gjysmë jashtë Shën Petersburgut dhe i cili gjithashtu kërkoi që emri i tij të ndryshohej për këtë tekst.

Aleksandri e shpjegoi letrën për Radion Evropa e Lirë duke thënë: "Si prift, si dikush me një rol të caktuar publik, më duhej të shpallja qëndrimin tim. Ishte detyrë e imja".

Aleksandri tha se pasi letra u bë publike, ai u thirr në një takim ku u detyrua të betohej se nuk do të firmoste më letra. Përveç kësaj, atij iu tha që të mos e diskutonte luftën në publik.

“E dhashë fjalën”, deklaroi ai. “Dhe, që atëherë nuk ka pasur më takime”.

Megjithatë, disa priftërinj janë penalizuar më shumë për shkak të mospajtimit, i cili është bërë më i madh teksa lufta ka përparuar. Ati Ioann Burdin u dënua në mars të vitit 2022 pasi zyrtarët shtetërorë thanë se ai "diskreditoi forcat e armatosura", duke u bërë rusi i parë i dënuar sipas një ligji që u miratua me nxitim pas pushtimit rus të Ukrainës dhe që është bërë një komponentë vendimtare në goditjen që nga ajo kohë.

Burdin u shkarkua më vonë si rezultat i protestave nga aktivistët ortodoksë.

Sipas Aleksandrit, një fqinj kishte nisur një fushatë të ngjashme për të bindur kishën që ta largonte atë.

“Një person të cilin nuk e njoh ka mbledhur nënshkrime në fshatin tonë të vogël kundër meje”, tha Aleksandri. “Disa famullitarë më thanë se ekziston një letër e tillë. Por, me sa di unë, askush nuk e ka nënshkruar atë”.

"E kuptoi më në fund”

Famullitarët kanë shkuar te Grigory për të kërkuar lejen e tij për planet e tyre për t'u regjistruar për të luftuar në rajonin Donbas të Ukrainës që nga viti 2014, kur Moska pushtoi rajonin ukrainas të Krimesë dhe nxiti një rebelim separatist në pjesë të Ukrainës lindore.

Në vend të kësaj, prifti tha se ai përpiqet t’i bindë njerëzit të rimendojnë vendimet e tyre.

“E kam shpëtuar një [vullnetar]”, tha Grigory për Radion Evropa e Lirë. “Dhe, unë jam i kënaqur me këtë. Ai do të shkonte vullnetar dhe ka pesë fëmijë! Ai i mori dokumentet prapë edhe pse i kishte dorëzuar. E kuptoi më në fund se nuk ia vlen”.

Ai vazhdoi: “Arsyeja kryesore që ata shkojnë në luftë është se nuk kanë punë”.

Aleksandri pohon se ai nuk i bekon vullnetarët pasi rite të tilla janë më të përshtatshme për ata që ende po shqyrtojnë opsionet e tyre sesa për ata që tashmë e kanë vendosur.

Sipas Aleksandrit, priftërinjtë që janë kundër luftës shqetësohen gjithmonë për shkarkimin e tyre, sepse kjo mund të ndodhë shumë lehtë.

"Detyra ime si prift është t'u jap njerëzve sa më mirë që të mundem udhëzime se si të shpëtojnë shpirtrat e tyre në kushtet aktuale", tha ai. “Është detyra ime që në njëfarë mënyre, siç thonë ata, ta ngre atë nga gjunjët nëse ai është vazhdimisht i zemëruar me të tjerët dhe botën përreth tij, nëse ai është i rrëmbyer nga ndjenjat e zilisë, i shtypur nga dëshpërimi, nëse ai është i frikësuar ose i shtypur".

“Na mëso si të marrim frymë nën ujë”

Andrei Kordochkin është një prift ortodoks rus në një kishë në Madrid të Spanjës, i cili gjithashtu është dënuar për komentet e tij kundër luftës.

Kordochkin ishte një bashkautor i letrës së vitit 2022 që dënonte luftën, për të cilën ai pretendon se është dënuar se gjoja është "i pamjaftueshëm radikal" në denoncimin e tij të luftës dhe për shmangien e terminologjisë si "agresion" dhe "pushtim".

"Por, qëllimi i kishës është gjithmonë të nxisë pendimin", argumentoi ai. "Nuk duhet të jetë fyese apo poshtëruese. Nuk mund të jetë një gjykim mbi njerëzit, pasi në fund të gjithë ne dalim para Zotit".

Ata duhet të zgjedhin të migrojnë nëse duan të flasin hapur për kundërshtimin e tyre ndaj luftës".

Kordochkin argumenton se ka shumë priftërinj kundër luftës që punojnë në Rusi.

"Unë personalisht njoh shumë prej tyre", tha ai. “Ata duhet të zgjedhin të migrojnë nëse duan të flasin hapur për kundërshtimin e tyre ndaj luftës".

Ai i paralajmëroi ata se nëse nuk e bëjnë, ata mund të përfundojnë në burg ose paraburgim si Atë Ioann Kurmoyarov, i cili është ndaluar në Shën Petersburg që nga korriku 2022 me dyshimin për "diskreditim" të ushtrisë ruse.

Kordochkin vazhdoi duke thënë se "Priftërinjtë janë ndëshkuar nga rasti i Atë Ioann Koval, një prift nga Moska, i cili u shkarkua nga detyra në maj për ndryshimin e lutjes së kërkuar mbi Rusinë e Shenjtë për të thirrur për "paqe" në vend të "fitimit".

"Në atë rast, nuk ishte vetëm një gjykim ndaj tij", shpjegoi Kordochkin. "Ishte një vendim për të gjithë ne. Ne të gjithë duhet ta kuptojmë se çfarë është e lejueshme dhe çfarë është e ndaluar".

Dilema e priftërinjve ortodoksë të Rusisë kundër luftës është evokuese e një poezie të muzikantit rus të rokut, Boris Grebenshchikov, në të cilën ai i kërkon Zotit të "na mësojë se si të marrim frymë nën ujë", sipas Kordochkinit.

“Këto fjalë përcjellin situatën aktuale”, komentoi ai. “Në këto kushte nuk ka vendime të drejta. Jemi dëshmitarë të radikalizimit të shpejtë të shoqërisë dhe nuk ka hapësira publike për opozitë. Kjo është e vërtetë edhe për shoqërinë edhe për kishën”.

Përgatiti: Albina Kastrati
XS
SM
MD
LG