Autoritetet në Krimenë e pushtuar nga Rusia thanë se Ukraina ka sulmuar qytetin-port të Sevastopolit me raketa Storm Shadow, teksa zyrtarët ukrainas raportuan sulme me dronë rusë në disa rajone.
Mikhail Razvozhayev, guvernatori i instaluar nga Rusia në Gadishullin e aneksuar të Krimesë, shkroi në Telegram më 27 maj se forcat ushtarake dhe njësitë mobile të zjarrit kaluan natën duke zmbrapsur një kombinim sulmesh me dronë dhe raketa.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës e sulmuan qytetin duke përdorur armë të ndryshme ajrore, përfshirë raketa Storm Shadow”, tha Razvozhayev, duke shtuar më vonë se ndërtesa e një banke ishte goditur nga një raketë.
Ushtria ruse raportoi më 27 maj se mbrojtja e saj ajrore kishte rrëzuar tre raketa Storm Shadow gjatë 24 orëve të fundit.
Kievi nuk ka komentuar për këto raportime ruse, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Ukraina ka përdorur raketat Storm Shadow, të prodhuara nga një konsorcium francezo-britanik, si pjesë e fushatës së saj që ka për shënjestër caqe ushtarake dhe infrastrukturën energjetike ruse, në përpjekje për të reduktuar të ardhurat e Moskës dhe për të minuar aftësinë e saj për të vazhduar luftën kundër Ukrainës, e cila tashmë është në vitin e pestë.
Rusia, e cila e aneksoi Krimenë nga Ukraina më 2014, më herët kishte thirrur ambasadorët britanikë dhe francezë në takim për të protestuar ndaj përdorimit të këtyre armëve nga Ukraina.
Ndërkaq, zyrtarët rusë raportuan për sulme të tjera me dronë dhe raketa brenda Rusisë, përfshirë në qytetet Voronezh, Tuapse dhe Taganrog.
Në qytetin-port jugor Taganrog, dy persona u plagosën pasi mbrojtja ajrore ruse pengoi një raketë, shkroi në Telegram kryetarja e qytetit, Svetlana Kambulova.
Sipas kanalit në gjuhën ruse në Telegram, ASTRA, sulmi shkaktoi zjarr në uzinën e 325-të për riparimin e aeroplanëve në Taganrog. Nuk dihet nëse kjo uzinë është dëmtuar.
Në Voronezh, sipas guvernatorit rajonal Aleksandr Gusev, copëzat e dronëve të rrëzuar dëmtuan e një ndërtesë të një servisi gomash.
Analiza OSINT nga kanali ASTRA në Telegram sugjeroi se objektivi i sulmit ishte aeroporti ushtarak Baltimore, ku është i dislokuar Regjimenti i 47-të i Aviacionit Bombardues të Gardës ruse.
Autoritetet në rajonin rus të Krasnodar Krait raportuan se copëzat e një droni ranë mbi terminalin portual në Tuapse, duke shkaktuar një zjarr, që sipas autoriteteve, u shua shpejt.
Sipas ASTRA-s, një nga shpërthimet në Tuapse ka të ngjarë të ketë ndodhur pranë një rafinerie nafte, duke bërë që ky të jetë sulmi i pesë ndaj kësaj ndërtese të naftës në muajt e fundit.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë këtë pretendim.
Autoritetet ukrainase, ndërkaq, raportuan për sulme të reja ajrore ruse gjatë natës, kur, sipas tyre, u përdorën 163 dronë sulmues.
Në qytetin verior të Çernihivit, një zyrtar i administratës ushtarake lokale tha se qyteti u përball me një sulm të madh gjatë natës, me rreth 15 shpërthime të raportuara. Por, nuk është raportuar për ndonjë viktimë.
Pesë persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën si rezultat i një sulmi rus në rajonin lindor të Donjeckut, tha më 27 maj guvernatori Vadym Filashkin.