Ndërlidhjet

Samiti i Londrës një hap tjetër drejt evropianizimit të Ballkanit Perëndimor


Samiti i Sofjes - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian pritet të mblidhen në Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Londër më 10 korrik.

Samiti pritet të përqendrohet në rritjen e stabilitetit ekonomik në rajon, forcimin e sigurisë, adresimin e çështjeve politike, si dhe çështjeve ligjore për konsolidimin e procesit të pajtimit midis vendeve të rajonit. Në këtë samit do të marrin pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri për politikën evropiane të fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn.

Samiti në Londër është pjesë e procesit të Berlinit dedikuar Ballkanit Perëndimor iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, i cili ishte pasuar përgjatë viteve me samite tjera gjatë të cilave ishin nënshkruar marrëveshje të shumta në fusha të caktuara.

Nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës ky samit po konsiderohet i një rëndësie të jashtëzakonshme.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ky samit pritet të përshpejtojë procedurën në zgjidhjen e disa problemeve me të cilat Kosova ballafaqohet me vendet e rajonit.

“Çdo iniciativë çdo veprim që bëhet në kuptim të bashkëpunimit ekonomik rajonal është i dobishëm për secilin vend, në veçanti për Kosovën e cila është në hapat e parë të krijimit të një raporti të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, në veçanti në ekonomi. Tani po bëjmë përpjekje të bashkëpunojmë me rajonin pavarësisht raporteve politike në të cilat gjendemi”, tha Shatri.

“Është e rëndësishme për Kosovën që të bisedohet në këto takime, në Samitin në Londër për zgjidhjen e disa problemeve aktuale siç është energjia dhe disa çështje që ne kemi pasur probleme. Rezultatet pritet të shihen pasi që të përfundojë Samiti në Londër”, theksoi Shatri.

Samiti i Bullgarisë - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e BE-së
Samiti i Bullgarisë - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e BE-së

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha për Radion Evropa e Lirë se një Samit i tillë nuk duhet të analizohet vetëm nga dimensioni politik pasi që sa ka rendësi politike strategjike, ka edhe rëndësi ekonomike.

Megjithatë, sipas tij, nuk duhet pritur që samitet të jenë shkop magjik për të zgjidhur problemet e grumbulluara që ka Kosova.

“Ajo çka duhet të kemi parasysh është fakti se nuk zgjidhen problemet në Kosovë vetëm me pjesëmarrje, duhet në këtë drejtim të kemi guxim dhe gatishmëri për t’u ballafaquar me sfidat kryesore me të cilat Kosova ballafaqohet e që është zhvillimi ekonomik, por që nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa sundim të rendit dhe ligjit”, thotë Gërxhaliu.

Samit i Londrës, nënvizoi Gërxhaliu, do të ketë mesazhe të qarta për vendet e Ballkanit Perëndimor nëse dëshirojnë të jenë pjesë e proceseve integruese. Ai tha se Kosova duhet kryer detyrat e shtëpisë, por që sipas tij, Kosova nuk është mjaftueshëm e gatshme për t’u ballafaquar me këto detyra dhe obligime që dalin nga një Samit i tillë.

“Duke pasur parasysh që tre vite e gjysmë kemi humbur në një debat rreth demarkacionit me Malin e Zi dhe tani në vitin 2018 i cili po karakterizohet me atë se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë dhe jo me substancën e dialogut dhe duke pasur parasysh faktin e një diskursi jo pro ardhmërisë së Kosovës në mes pozitës dhe opozitës lë shumë hapësirë për të dëshiruar dhe vështirë për t’u realizuar”, thotë Gërxhaliu.

Mekanizmat ndërkombëtarë e kanë parë bashkëpunimin rajonal si një domosdoshmëri, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit, synon përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit mes tyre si dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik.

Projektet kryesore rajonale në fushën e infrastrukturës, të cilat janë pjesë e Procesit të Berlinit që përkrahen nga Bashkimi Evropian, janë autostrada Durrës – Prishtinë – Nish, pastaj linjat hekurudhore në Ballkan e deri te mbështetja e projekteve të përbashkëta të energjisë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG