Ndërlidhjet

Sanksionet e reja amerikane synojnë bankat, oligarkët dhe "flotën në hije" të Rusisë

Projektligji, i emërtuar sipas senatorit të ndjerë Lindsey Graham (në foto), do të synonte bankat ruse, të ardhurat nga energjia dhe oligarkët rusë.
Projektligji, i emërtuar sipas senatorit të ndjerë Lindsey Graham (në foto), do të synonte bankat ruse, të ardhurat nga energjia dhe oligarkët rusë.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ndërmori më 10 gusht hapa për të çuar përpara një paketë të gjerë sanksionesh kundër Rusisë dhe Iranit, vetëm disa ditë pasi Senati e miratoi atë me një shumicë bindëse prej 86 votash për dhe 11 kundër.

Ky veprim hap fazën e radhës të përpjekjeve në Kongres për të goditur ekonominë ruse që financon luftën dhe për t’i dhënë presidentit Donald Trump më shumë mjete presioni për ta shtyrë Rusinë drejt negociatave me Ukrainën.

Nisma në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi shpejt – ndërkohë që ajo ndodhet në pushimin e gushtit – pasi republikani Michael McCaul nga Teksasi, republikani Brian Fitzpatrick nga Pensilvania, demokrati Steny Hoyer nga Merilendi dhe një grup i gjerë dypartiak paraqitën versionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Ligjit Lindsey O. Graham për Sanksionimin e Rusisë dhe Iranit të vitit 2026.

Projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve është identik me atë që Senati miratoi javën e kaluar.

Projektligji, i emërtuar sipas senatorit të ndjerë Lindsey Graham, synon bankat ruse, të ardhurat nga energjia, oligarkët, të ashtuquajturën “flotë në hije” të lidhur me Kremlinin, rrjetet për shmangien e sanksioneve, si dhe qeveritë dhe kompanitë e huaja që ndihmojnë financimin e luftës së Moskës kundër Ukrainës. Ai, gjithashtu, do t’i zgjasë deri në vitin 2031 sanksionet e kahershme ndaj Iranit.

Veprimi i shpejtë në Dhomën e Përfaqësuesve u jep mbështetësve të projektligjit mundësinë të shfrytëzojnë mbështetjen e fuqishme dypartiake që ai mori në Senat, por mund të hapë edhe një debat të vështirë për dispozitat që lidhen me tarifat doganore dhe për shkallën e kompetencave që presidenti duhet të ketë ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë energji ruse.

Kongresi në pushim

McCaul, ish-kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se i kishte premtuar Grahamit para vdekjes së tij se do ta paraqiste legjislacionin në Dhomë.

“Senatori Graham ishte një figurë madhore e sigurisë kombëtare, një burrështetas me bindje të pashoqe dhe një mik e mentor personal”, tha McCaul, duke shtuar se Graham kishte punuar për këtë legjislacion për më shumë se një vit dhe kishte siguruar mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë.

McCaul tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kishte thënë gjatë një vizite në Ukrainë muajin e kaluar se ishte i gatshëm për armëpushim dhe negociata, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdonte të refuzonte të ulej në tryezën e bisedimeve.

Republikani nga Teksasi tha se sanksionet do të ndihmonin në rritjen e presionit ndaj Putinit dhe në avancimin e asaj që ai e përshkroi si vizionin e Grahamit për një paqe të qëndrueshme.

Hoyer, një nga demokratët më me përvojë në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se masa duhej të ishte ndërmarrë prej kohësh.

Demokrati nga Merilendi tha se projektligji do të godiste disa prej burimeve të financimit të luftës së Rusisë, përfshirë naftën dhe gazin, “flotën në hije” dhe institucionet financiare.

“Duhet të dërgojmë mesazhin më të fuqishëm të mundshëm të mbështetjes amerikane, ndërsa Ukraina mbron demokracinë kundër despotizmit”, tha Hoyer në një deklaratë.

Megjithatë, Hoyer vuri në pah edhe një kufizim të rëndësishëm: paketa e sanksioneve nuk përmban disa dispozita që gjenden në Aktin për Mbështetjen e Ukrainës, përfshirë 8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe për rindërtim, si dhe sanksione që lidhen me rrëmbimin e fëmijëve ukrainas dhe dërgimin e tyre në Rusi.

Kjo mund të bëhet pjesë e një debati më të gjerë në Dhomën e Përfaqësuesve nëse vetëm sanksionet janë të mjaftueshme për të ndikuar në rrjedhën e luftës.

Legjislacioni mbështetet nga ligjvënës të të dyja partive.

Në mesin e bashkësponsorizuesve fillestarë janë republikanët Joe Wilson nga Karolina e Jugut, bashkëkryetari i Grupit Baltik në Kongres, Don Bacon nga Nebraska, kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, Mike Rogers nga Alabama, Mike Turner nga Ohajo, Ann Wagner nga Misuri, Andy Barr nga Kentaki dhe Nathaniel Moran nga Teksasi.

Nga demokratët, projektligji mbështetet nga bashkëthemeluesja dhe bashkëkryetarja e Grupit për Ukrainën në Kongres, Marcy Kaptur nga Ohajo, si dhe Jake Auchincloss nga Masaçusets, Jill Tokuda nga Havai, Gabe Vasquez nga Nju-Meksiko, Josh Gottheimer nga Nju-Xhersi, Ed Case nga Havai, Eugene Vindman nga Virxhinia dhe Chrissy Houlahan nga Pensilvania.

Fitzpatrick tha se legjislacioni godet ato që ai i përshkroi si tri shtyllat mbi të cilat mbështetet makineria e luftës së Putinit: “nafta, paratë dhe gatishmëria e të tjerëve për të mbyllur njërin sy”.

Sipas tij, projektligji do t’i izolonte bankat ruse, do t’i mbyllte rrjetet e financimit dhe do t’i detyronte qeveritë dhe kompanitë që mbështesin Moskën të zgjedhin nëse duan të vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë.

“Nderimi më i përshtatshëm që Kongresi mund t’i bëjë Lindseyt është ta përfundojë punën që ai nisi”, tha Fitzpatrick.

Tarifa të reja

Dispozita më e fuqishme – dhe potencialisht më e debatueshme – e projektligjit do t’i jepte Trumpit kompetenca të konsiderueshme të reja për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus ose që ndihmojnë Moskën t’iu shmanget sanksioneve.

Legjislacioni autorizon tarifa deri në 500 për qind për mallrat e importuara nga Rusia dhe tarifa të synuara deri në 100 për qind për mallrat nga vendet që renditen ndër blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ose gazit natyror rus, apo ndër lehtësuesit kryesorë të shmangies së sanksioneve ndaj naftës ruse.

Hoyer tha se negociatat mund të vazhdojnë për shtrirjen e saktë të kompetencave të presidentit për vendosjen e tarifave.

Në deklaratën e tij, ai përmendi në mënyrë specifike një propozim që do ta kufizonte këtë kompetencë në tetë shtete, importet e të cilave po ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë. Kjo dispozitë mund të jetë vendimtare kur ligjvënësit të kthehen në Uashington.

Zyrtarë të lartë të Dhomës së Përfaqësuesve, me njohuri për diskutimet, i thanë Radios Evropa e Lirë se sfida e menjëhershme është ruajtja e koalicionit dypartiak që çoi në votimin 86 me 11 në Senat, pa e rihapur të gjithë paketën për negociata.

Përllogaritja politike është e qartë: mbështetësit duan ta shfrytëzojnë votimin e Senatit si shtysë për veprim të shpejtë në Dhomë, duke shmangur ndryshimet që mund të çojnë në një rund tjetër të gjatë negociatash.

Sipas vlerësimit të këtyre zyrtarëve, vetë sanksionet gëzojnë mbështetje të gjerë. Pyetja më e vështirë është se deri ku duhet të shkojë Kongresi në delegimin e kompetencave për vendosjen e tarifave tek presidenti dhe sa agresivisht duhet të zbatohet masa ndaj blerësve të mëdhenj të energjisë ruse.

Pikërisht kjo çështje mund të shndërrohet në përplasjen kryesore në Dhomën e Përfaqësuesve.

Mbështetësit argumentojnë se pikërisht kërcënimi me tarifa e bën legjislacionin potencialisht efektiv. Vendet që vazhdojnë të blejnë energji ruse do të duhej të peshonin qasjen në tregun amerikan kundrejt marrëdhënieve të tyre tregtare me Moskën.

Kritikët, megjithatë, mund të argumentojnë se kompetencat e gjera për vendosjen e tarifave rrezikojnë të shkaktojnë pasoja ekonomike përtej Rusisë dhe i japin Shtëpisë së Bardhë kompetenca të konsiderueshme diskrecionale mbi politikën tregtare.

Për mbështetësit e Ukrainës, ky është një kompromis që ia vlen.

Yuriy Boyechko, drejtor ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse Hope For Ukraine, me bazë në Nju-Xhersi, e cila dërgon furnizime mjekësore dhe humanitare për civilët dhe zonat e vijës së frontit, i tha Radios Evropa e Lirë se paraqitja e projektligjit në Dhomë ofron presionin ekonomik të nevojshëm për të goditur themelet e përpjekjeve luftarake të Rusisë.

“Paraqitja e projektligjit përkatës në Dhomën e Përfaqësuesve nga Brian Fitzpatrick, Michael McCaul, Steny Hoyer dhe një koalicion i gjerë dypartiak ofron pikërisht goditjen e fuqishme ekonomike që nevojitet për ta thyer ekonominë ruse”, tha Boyechko.

Ai tha se kombinimi i veprimit të shpejtë të Dhomës dhe votimit 86 me 11 në Senat mund t’i japë Uashingtonit një mekanizëm për të goditur ato që ai i përshkroi si burimet e mbetura të të ardhurave të huaja që mbështesin Kremlinin.

“Duke kërcënuar me tarifa prej 100 për qind blerësit e energjisë ruse, duke goditur flotën e paligjshme të cisternave në hije dhe duke izoluar institucionet financiare ruse, legjislacioni synon burimet e mbetura të të ardhurave nga jashtë që mbajnë në këmbë buxhetin e Kremlinit”, tha Boyechko.

Sipas tij, ndërprerja e këtyre të ardhurave mund ta detyrojë përfundimisht Moskën të negociojë.

“Goditja e këtyre të ardhurave jetike nga energjia dhe e burimeve financiare rrezikon ta çojë Rusinë drejt rraskapitjes së plotë ekonomike, duke ia hequr aftësinë për të financuar një agresion të zgjatur dhe duke e detyruar Moskën të negociojë sipas kushteve të Ukrainës”, tha ai.

Projektligji synon burimet financiare dhe energjetike të Rusisë

Legjislacioni shkon shumë më tej se sanksionet individuale ndaj zyrtarëve rusë.

Ai do të synonte zyrtarë të lartë rusë, oligarkë, kompani që mbështesin industrinë ruse të mbrojtjes, si dhe aktorë të huaj që i japin ndihmë materiale operacioneve ushtarake të Moskës ose përpjekjeve për të cenuar sovranitetin, integritetin territorial, institucionet demokratike dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës.

Ai gjithashtu do të vendoste sanksione ndaj institucioneve të mëdha financiare ruse dhe ndaj disa institucioneve të huaja financiare që kryejnë transaksione të rëndësishme me banka ruse të sanksionuara.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm është “flota në hije” e Rusisë – anijet, pronarët, operatorët, siguruesit, portet dhe ndërmjetësit e tjerë të përfshirë në transportimin e naftës ruse dhe mallrave të sanksionuara, duke ndihmuar Moskën t’iu shmanget kufizimeve perëndimore.

Projektligji do të ndalonte investimet e reja amerikane në Rusi, do të kufizonte investimet në sektorin energjetik rus, do të ndalonte blerjen e borxhit sovran rus dhe do të synonte shërbimet e mesazheve financiare që përdoren për shmangien e sanksioneve.

Dispozitat për energjinë janë në qendër të strategjisë.

Mbështetësit argumentojnë se të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi vazhdojnë të jenë jetike për aftësinë e Kremlinit për të financuar fushatën e tij ushtarake, pavarësisht viteve të sanksioneve perëndimore.

Përtej Rusisë

Projektligji nuk kufizohet vetëm te Rusia.

Ai do ta zgjaste deri në vitin 2031 Aktin e Sanksioneve ndaj Iranit të vitit 1996, duke ruajtur kompetencat për vendosjen e sanksioneve që synojnë sektorët iranianë të energjisë dhe armëve.

Rogers tha se dispozitat për Iranin janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve të Teheranit ndaj lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe rolit të tij në mbështetjen e Rusisë.

Moran tha se legjislacioni do të synonte gjithashtu entitete të rrezikshme kineze që mbështesin bazën industriale të mbrojtjes së Rusisë.

Kjo dispozitë mund t’i japë legjislacionit një dimension shtesë gjeopolitik, në kohën kur Uashingtoni përballet me Moskën dhe Pekinin për shkak të zgjerimit të marrëdhënieve të tyre strategjike.

Një nga dispozitat më të rëndësishme të projektligjit përcakton kushtet se kur mund të hiqen sanksionet që lidhen me Rusinë.

Legjislacioni do t’i lejonte presidentit t’i hiqte sanksionet vetëm pasi t’i vërtetonte Kongresit se Rusia ka nënshkruar një marrëveshje paqeje të pranuar nga qeveria e lirë dhe e pavarur e Ukrainës dhe se i ka ndërprerë veprimet ushtarake dhe aktivitetet që synojnë rrëzimin, shpërbërjen ose minimin e qeverisë ukrainase.

Ky kusht synon të sigurojë që sanksionet të vazhdojnë të shërbejnë si mjet presioni, në vend që të mbeten thjesht një ndëshkim i përkohshëm.

Fitzpatrick tha se synimi është një paqe “e përcaktuar nga Ukraina, jo e imponuar nga Moska”.

Houlahan po ashtu i përshkroi sanksionet si një mjet diplomatik, ndërsa paralajmëroi se ato nuk mund ta zëvendësojnë një strategji më të gjerë apo përgjegjësinë e presidentit për të kërkuar autorizimin e Kongresit për luftë.

Veprimi i Dhomës së Përfaqësuesve ka edhe një dimension personal.

Graham, i cili kishte punuar për paketën për më shumë se një vit, ishte bërë një nga zërat më të fuqishëm në Kongres në favor të rritjes së presionit ekonomik ndaj Rusisë.

Motra e tij, senatorja Darline Graham nga Karolina e Jugut, tha se legjislacioni kishte qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dhe shprehu shpresën se Dhoma e Përfaqësuesve do ta përsëriste mbështetjen dypartiake të Senatit.

Për republikanët dhe demokratët në Kongres që mbështesin projektligjin, trashëgimia e Grahamit tashmë ndërthuret me një pyetje shumë më të madhe strategjike: nëse presioni ekonomik mund t’i ndryshojë përllogaritjet e Putinit në një moment kur administrata Trump thotë se synon t’i japë fund luftës.

Senati tashmë i është përgjigjur një pjese të kësaj pyetjeje me një votim bindës. Tani i takon Dhomës së Përfaqësuesve të përcaktojë nëse mund ta ruajë këtë konsensus dypartiak dhe ta shndërrojë paketën e sanksioneve Graham në ligj.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG