Senatori amerikan, Lindsey Graham, një nga zërat më me ndikim në Partinë Republikane në politikën e jashtme, ka vdekur në moshën 71-vjeçare më 11 korrik. Graham njihej si një nga mbështetësit më të fuqishëm të Ukrainës në Uashington.
Zyra e tij tha se ai vdiq pas “një sëmundjeje të shkurtër dhe të papritur”.
Gjatë viteve të fundit të karrierës së tij, Graham u shfaq si një nga avokuesit më të fuqishëm të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia, teksa po ashtu mbeti mbështetës i fuqishëm në Senat për Izraelin dhe ishte një nga zërat që kërkoi politikë më të ashpër ndaj Iranit.
Aleat i palëkundur i Kievit
Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 2022, Graham shndërrua në një nga aleatët më të afërt të Kievit në Uashington, duke u bërë presion administratave të njëpasnjëshme amerikane që të ofronin më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, të ashpërsonin sanksionet ndaj Moskës dhe të mbanin presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai vdiq disa orë pasi zhvilloi një vizitë në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe njoftoi për një legjislacion me mbështetje dypartiake që parasheh vendosje të sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë, legjislacion që ka mbështetjen edhe të Shtëpisë së Bardhë, duke hapur mundësinë që masat të lëvizin përpara.
Legjislacioni, i bashkësponsorizuar me senatorin demokrat, Richard Blumenthal, synon zgjerimin e presionit ekonomik ndaj Moskës duke shënjestruar shtetet që vazhdojnë të blejnë gaz dhe naftë ruse, që paraqesin burim kyç të të ardhurave për përpjekjet e Kremlinit për luftë.
Graham argumentoi se projektligji do t’i jepte Uashingtonit ndikim shtesë për ta shtyrë Rusinë drejt negociatave, duke rritur njëkohësisht koston e vazhdimit të luftës.
“Kemi arritur një marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për një version të projektligjit për sanksionet ndaj Rusisë që ata do ta mbështesin. Kjo do të thotë se ai do të bëhet ligj”, u tha Graham gazetarëve në Kiev më 10 korrik.
Gjatë gjithë luftës, Graham e vizitoi shpesh Ukrainë. Ai u takua vazhdimisht me presidentin Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë të lartë ukrainas, vizitoi objekte ushtarake dhe të mbrojtjes, si dhe argumentoi se mbrojtja e Ukrainës është kyç jo vetëm për sigurinë evropiane, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë së SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Qëndrimi i tij i pakompromis ndaj Kremlinit e bëri Grahamin një cak të shpeshtë të zyrtarëve rusë.
Moska dënoi vazhdimisht deklaratat e Grahamit lidhur me luftën dhe autoritetet ruse nisën procedura penale ndaj tij pas komenteve që ai bëri gjatë një vizite në Ukrainë në vitin 2023.
Zyrtarët rusë e kanë paraqitur rregullisht Grahamin si një nga mbështetësit kryesorë amerikanë të një politike më të ashpër ndaj Moskës.
I ashpër ndaj Iranit
Për dekada të tëra, Graham ishte ndër mbështetësit më të fuqishëm të Izraelit në Senatin amerikan dhe një nga zërat më të zëshëm në Kongres që ka kërkuar një qasje më të ashpër ndaj Iranit.
Një kundërshtar i zëshëm i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, Graham mbështeti fushatën e administratës së presidentit Donald Trump, për “presion maksimal” përmes sanksioneve ekonomike ndaj Teheranit.
Ai kishte argumentuar vazhdimisht se Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të ketë armë bërthamore.
Politika e jashtme
I lindur më 9 korrik 1955 në Central, Karolinën e Jugut, Graham diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Karolinës së Jugut, pasi shërbeu në Forcat Ajrore të SHBA-së. Më pas ai vazhdoi karrierën ushtarake në Rezervën e Forcave Ajrore, nga ku doli në pension me gradën kolonel.
Pasi shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së nga viti 1995 deri më 2003, ai u zgjodh senator, dhe shërbeu në këtë post për më shumë se dy dekada.
Një aleat i ngushtë i senatorit të ndjerë John McCain, Graham krijoi reputacionin si një nga përfaqësuesit të krahut të ashpër të politikës së jashtme brenda Partisë Republikane.
Ai mbështeti luftërat në Afganistan dhe Irak, përkrahu fuqishëm NATO-n, avokoi për ruajtjen e një pranie të fuqishme ushtarake amerikane jashtë vendit dhe argumentoi vazhdimisht se udhëheqja amerikane është kyç për sigurinë globale.