Ndërlidhjet

Sauditët dënojnë rezolutën e Senatit amerikan


Flamuj të Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fotografi nga arkivi.
Flamuj të Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fotografi nga arkivi.

Arabia Saudite e ka quajtur “ndërhyrje” si dhe e ka kundërshtuar një rezolutë të Senatit amerikan për t’i dhënë fund mbështetjes ushtarake amerikane për një luftë të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen.

Rezoluta jo-detyruese i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump për të hequr të gjitha forcat amerikane që janë të përfshira në konfliktin në Jemen, përveç atyre që luftojnë ekstremistët islamikë.

Riadi, po ashtu, kundërshtoi një rezolutë tjetër të Senatit, që e mban Princin e Kurorës, Mohamad bin Salman përgjegjës për vrasjen e kritikut dhe gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

“Mbretëria dënon pozicionin e fundit të Senatit të Shteteve të Bashkuara që bazohet në akuza të pabazuara si dhe kundërshton ndërhyrjen e hapur në punët e saj të brendshme”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite.

Ndonëse rezoluta në Senat u miratua me një shumicë simbolike, ajo shënon edhe një paralajmërim të ri për presidentin Trump, i cili e ka mbështetur fuqishëm regjimin saudit, pavarësisht pakënaqësisë globale për konfliktin në Jemen, transmeton AFP.

Ministria saudite paralajmëroi se mbretëria nuk do të tolerojë asnjë “mosrespektim” të sundimtarëve të saj.

“Ky pozicion i Senatit të Shteteve të Bashkuara dërgon mesazh të gabuar te të gjithë ata që duan të shkaktojnë çarje në marrëdhëniet ndërmjet Arabisë Saudite dhe SHBA-së.”- thuhet ne deklaratën e Ministrisë së Jashtme saudite.

Rezoluta e Senatit pranon se lidhjet mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite ishin të “rëndësishme”, por i bën thirrje Riadit të “moderojë politikën e saj gjithnjë e më të çrregullt”.

Rezolutat nuk mund të debatohen në Dhomën e Përfaqësuesve para muajit janar.

Por, rezolutat dërgojnë një mesazh të fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë mbi zemërimin e Senatit për rreshtimin në krah të Riadit.

Presidenti Trump është zotuar të vërë veton ndaj rezolutave dhe tani për tani ato nuk kanë gjasa që të kalojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, anëtarët e së cilës të mërkurën kanë bllokuar një votim për këtë çështje.

*Exposé: Lufta e harruar e Jemenit

Lufta e harruar e Jemenit
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:45 0:00

Por, senatori i pavarur Bernie Sanders, i cili bashkë-sponsorizoi rezolutat, tha se priste që rezoluta të arrinte për votim kur demokratët zyrtarisht të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, në janar, pas fitores së zgjedhjeve afatmesme të mbajtura në nëntor.

Jamal Khashoggi, gazetar si dhe kolumnist në Uashington Post, u vra më 2 tetor menjëherë pas hyrjes në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, në atë që Riadi e quajti një operacion “mashtrues”.

Vrasja ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Riadit, dhe vendet perëndimore duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Kanadanë kanë vendosur sanksione ndaj 20 shtetasve sauditë.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së ka thënë se provat tregojnë për përfshirjen në këtë rast të princit të Kurorës, i cili ka mohuar ndonjë përfshirje në vdekjen Khashoggit.

Prokurori publik i Arabisë Saudite ka thënë se Khashoggi u vra me urdhër të një oficeri të fshehtë të zbulimit. Zyrtarët turq megjithatë thonë se kanë prova, duke përfshirë edhe regjistrimet e tmerrshme audio, se gazetari u vra nga një ekip agjentësh sauditë me urdhër që erdhi nga nivelet më të larta. Trupi i tij ende nuk është gjetur.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres të dielën bëri thirrje për një hetim "të besueshëm" në vrasjen.

Ndërkaq, një konflikt i shkallës së ulët Jemen, u përshkallëzua në vitin 2015 kur rebelët shiit Huthi, të mbështetur nga Irani, e shtrinë kontrollin në një pjesë të madhe në perëndim të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Arabia Saudite dhe tetë vende tjera arabe ndërhyn ushtarakisht në përpjekje për të rivendosur Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të presidentit Abd Rabbu Mansur Hadi. Ata kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca.

Megjithatë raportimet për rreth 10 mijë njerëz të vrarë, shumica prej tyre civilë, dhe miliona tjerë të ballafaquar me urinë, kanë qenë arsye që ndjenja e Perëndimit të kthehet kundër përfshirjes në konflikt.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG