Ndërlidhjet

SHBA i jep “goditjen” e parë Arabisë Saudite


Flamuri i SHBA-së, fotografi ilustruese.

Senati i Shteteve të Bashkuara çoi përpara një mocion për të ndërprerë mbështetjen amerikane për një koalicion, të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton në Jemen.

Në një goditje ndaj presidentit Donald Trump, senatorët votuan me 63 vota për dhe 37 kundër.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, u kanë bërë thirrje senatorëve që të mos e mbështesin mocionin, duke thënë se do ta përkeqësojë situatën në Jemen.

Votimi vjen pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, banor i SHBA-së.

Kritikat ndaj Arabisë Saudite janë rritur prejse Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.

Shumë senatorë amerikanë janë shprehur të pakënaqur me reagimin e Trumpit për vrasjen e Khashoggit.

Mediat amerikane kanë raportuar se CIA beson se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, e ka urdhëruar vrasjen.

Trump e ka hedhur poshtë raportin, duke thënë se CIA nuk ka nxjerrë përfundime të prera, dhe ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së aleancës me Arabinë Saudite.

Ai e ka përshkruar Arabinë Saudite si një aleat jetësor dhe ka kundërshtuar thirrjet për sanksione kundër udhëheqjes së mbretërisë.

Senatorët po ashtu shprehën pakënaqësi që drejtorja e CIA-s, Gina Haspel, nuk e ndoqi seancën e tyre me dyer të mbyllura, për marrëdhëniet me Arabinë Saudite.

Haspel e ka dëgjuar incizimin, për të cilin Turqia thotë se dëshmon vrasjen brutale të Khashoggit në konsullatë.

“Është koha t’i dërgohet mesazh Arabisë Saudite, edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut, edhe për katastrofën e jashtëzakonshme humanitare që po krijon në Jemen", tha senatori demokrat, Bob Menendez.

Senatori republikan, Bob Corker, i cili kryeson Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, tha:

“E dimë se Arabia Saudite është aleate dhe një vend gjysmë i rëndësishëm. Por, po ashtu kemi një princ të kurorës që ka dalë jashtë kontrollit”.

Votimi në Senat do të thotë se debati i mëtejshëm për mbështetjen e SHBA-së për Arabinë Saudite pritet të vazhdojë javën e ardhshme.

Por, edhe nëse Senati përfundimisht e kalon rezolutën, ajo nuk ka gjasa të miratohet në Dhomën aktuale të Përfaqësuesve. Republikanët atje kanë shumicën dhe kanë hedhur poshtë masa të ngjashme në të kaluarën.

Megjithatë, kjo mund të ndryshojë në fillim të vitit të ardhshëm, kur demokratët të marrin shumicën.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët është përfshirë në luftën në Jemen qysh në vitin 2015, në mbështetje të forcave qeveritare që luftojnë rebelët shiitë Huthi.

*Video: Expose - Lufta e harruar e Jemenit

Lufta e harruar e Jemenit
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:45 0:00

Koalicioni është akuzuar vazhdimisht nga grupet e të drejtave të njeriut për sulme të paligjshme mbi caqet civile dhe për bllokimin e ndihmave.

Riadi këmbëngul se bën gjithçka të mundur për të shmangur viktimat civile.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG