Ndërlidhjet

Rasti Khashoggi: Senati kërkon përgjigje, Trump mbron aleancën


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, iu kërkua të gjejë nëse princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, ka luajtur rol në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Udhëheqësit republikanë dhe demokratë të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë i dërguan një letër presidentit duke kërkuar një hetim të dytë.

Trump i mbrojti lidhjet e SHBA-së me Arabinë Saudite pavarësisht dënimit ndërkombëtar të vrasjes.

Khashoggi u vra më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll.

Kur vrasja e një njeriu dridh botën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:09:35 0:00

Trump pranoi përmes një deklarate se princi i kurorës mund të ketë ditur “shumë mirë” për vrasjen brutale të Khashoggit, por shtoi: “Ndoshta e ka ditur, ndoshta jo”.

Ai tha se CIA nuk ka bërë një “përcaktim 100%” për vrasjen.

Pas komenteve të presidentit, senatori republikan, Bob Corker, dhe demokrati Bob Menendez lëshuan një deklaratë në emër të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Në të, ata i bënë thirrje Trumpit që të përqendrohet në një hetim të dytë, sidomos të princit të kurorës, në mënyrë që të përcaktohet nëse “një person është përgjegjës për vrasje jashtëgjyqësore, torturë apo shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut”.

Kërkesa, e lëshuar sipas Aktit Global Magnitsky për Lirinë e të Drejtave të Njeriut, kërkon përgjigje brenda 120 ditësh.

Arabia Saudite i ka fajësuar agjentët e saj për vrasjen e Khashoggit, por i ka hedhur poshtë pretendimet se princi i kurorës ka pasur njohuri për operacionin.

Mediat amerikane kanë raportuar se CIA beson se Mohammed Bin Salman e ka urdhëruar vrasjen.

Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman.
Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman.

Ndërkohë, Lindsey Graham, senator nga Partia Republikane e Trumpit, parashikoi mbështetje të fuqishme dypartiake në Kongres për sanksione kundër Arabisë Saudite, përfshirë anëtarët e familjes mbretërore.

Por, Trump këmbënguli se aleanca e Uashingtonit me Riadin duhet të ruhet.

Mbretëria saudite ka shpenzuar "miliarda dollarë në udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit radikal islamik", ndërsa Irani "ka vrarë shumë amerikanë dhe njerëz të tjerë të pafajshëm në të gjithë Lindjen e Mesme", tha Trump, duke rikujtuar premtimet e sauditëve për investime dhe blerjet e armëve.

"Nëse ne i hedhim poshtë këto marrëveshje, Rusia dhe Kina do të ishin përfituesit e mëdhenj", tha ai.

Derisa pranoi se vrasja e Khashoggit ishte e tmerrshme, Trump tha se të gjitha faktet rreth vrasjes së tij mund të mos dihen kurrë.

"Shtetet e Bashkuara synojnë të jenë një partner i qëndrueshëm i Arabisë Saudite për të siguruar interesat e vendit tonë, Izraelit dhe të gjithë partnerëve të tjerë në rajon", tha Trump.

Ai po ashtu tha se do të takohej me princin Mohammed Bin Salman në një takim të grupit të vendeve më të industrializuara G20, javën e ardhshme në Argjentinë, nëse princi do të ndiqte atë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG