Ndërlidhjet

Salih Mustafës i kërkohet të paraqitet në seancën e radhës


Salih Mustafa
Salih Mustafa

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën, më 20 shtator, ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte.

Në po këtë ditë është paraqitur edhe dëshmitari i parë në rastin kundër Mustafës.

Dëshmitarit i është fshehur identiteti për çështje të sigurisë.

Në pjesën e tretë të seancës të së hënës, Mustafa nuk ka qenë më në sallë.

Avokati i tij, Julius von Bone, ka thënë se ai nuk do të deklarohet, ndonëse vetë Mustafa kishte kërkuar të fliste më herët gjatë ditës.

Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se pjesa e mbetur e seancës së 20 shtatorit mund të vazhdojë edhe pa të, mirëpo të nesërmen ai duhet të jetë në sallë.

“I jap urdhër që të jetë këtu në orën 9:30”, ka thënë Veldt-Foglia.

Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Dëshmitari: Dy persona mu prezantuan si pjesëtarë të UÇK-së

Prokurori, Cezary Michalczuk, ka qenë i pari që ka nisur t’i shtrojë pyetje dëshmitarit, i cili ka thënë se dy persona e kanë ndaluar në rrugë, të cilët kanë qenë të veshur me uniforma, që sipas tij kanë qenë lara-lara, “sikur ato që ka mbajtur UÇK-ja”.

Megjithatë, dëshmitari ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë emblemë, pasi atij menjëherë pas ndalimit ia kanë futur kokën në thes.

Kur është pyetur se pse mendon që personat që e kanë ndaluar kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ai ka thënë se, “ashtu më janë prezantuar”.

Ai ka thënë se dy personat që e kanë ndaluar, bashkë me dy personat në makinë, të gjithë me uniforma, e kanë çuar atë në Zllash.

Sipas tij, këta persona i kanë ofruar një çokolladë dhe më pas e kanë grushtuar në fytyrë, duke ia mbuluar kokën me thes.

“Thesin e kam pasur në kokë. Më kanë marrë dy persona, më kanë çuar në dhomën ku kam qëndruar, më kanë shqelmuar dhe nuk kam parë asgjë. Pastaj erdhën të tjerë, dhe rreth një orë kam qëndruar ashtu, më kanë marrë dhe më kanë dërguar në një vend tjetër, jashtë, ka qenë ftohtë, dhe më kanë rrahur”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se pasi kanë arritur në vendin ku ka qëndruar, ndaj tij kanë ushtruar dhunë fizike dhe më pas e kanë dërguar në një ambient të jashtëm.

“Më akuzuan se kisha bashkëpunuar me serbë”

Dëshmitari më vonë ka thënë se tre-katër persona e kanë marrë sërish nga një ahur dhe e kanë dërguar në një vend tjetër.

Ai ka thënë të jetë alivanosur disa herë, pasi është rrahur edhe me drunj dhe atë e kanë sharë vazhdimisht.

Përgjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se personat që e kanë ndaluar e kanë akuzuar se ka bashkëpunuar me serbë.

“Kam qenë njeri i varfër në atë kohë. Kam shitur dru me një kal që kam pasur. Unë nuk kam pasur çare pa folur me ndonjë serb, sepse nuk kam mundur të jetoj ndryshe, të mbaj familjen”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari i paidentifikuar në gjyqin ndaj Salih Mustafës në Hagë.
Dëshmitari i paidentifikuar në gjyqin ndaj Salih Mustafës në Hagë.

“I akuzuari ka qenë njeriu kryesor”

Kur dëshmitarin e kanë dërguar atë kohë në ambientin e dytë, ai ka thënë se njëri prej personave ia ka drejtuar një revole në kokë.

Ai ka thënë thënë se personi që ia ka drejtuar revolen në kokë ka qenë “i akuzuari në sallë” duke refuzuar që t’ia përmend emrin.

Sipas tij, personi që ia ka drejtuar revolen ka qenë personi kryesor aty.

“Unë e bazoj këtë, sepse pa thënë i akuzuari, ata nuk kanë bërë asgjë, ushtarët tjerë që kanë qenë aty. I akuzuari ka qenë kryesori”, ka thënë ai, ndonëse ai ka përmendur se ka qenë shumë errësirë në vendin ku është mbajtur dhe nuk e ka parë atë.

Megjithatë, sipas tij, qëllimi nuk ka qenë që ai të vritet.

“Kam pasur dëshirë që të më vrisnin. Në ato momente si kam qenë, kam pasur dëshirë që të më vrisnin”, ka thënë ai.

"Nuk mund të flinim nga frika që kishim"

Në pjesën e tretë të seancës, dëshmitari ka thënë se pjesa e sipërme e objektit, ku ka qëndruar ai me disa persona tjerë, ka qenë e ndërtuar me drunj dhe ai ka dëgjuar zhurma të personave duke bërtitur nga lart, duke mos e lënë dëshmitarin që të fle.

“Ne nuk mund të flinim nga frika që kishim”, ka thënë ai, duke shtuar se shumë shpesh ka dëgjuar zhurma të personave që i kanë rrahur.

Ai ka thënë se është ndjerë shumë keq, sepse ka besuar që e njëjta do t’i ndodhë edhe atij.

“Aty na kanë dhënë vetëm nga një copë bukë të ftohtë, nuk mund ta numëroj saktë, por ka ndodhur që deri në rreth 48 orë të mbes pa bukë”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka thënë se ambienti ku ka qëndruar ai dhe disa persona tjerë, ka qenë shumë i ftohtë dhe pothuajse i tëri në ujë, dhe se nuk ka guxuar ta përmendë se ka qenë i sëmurë.

“Nuk ka guxuar askush nga ne të thotë ashtu”, ka deklaruar ai.

Dëshmitari ka thënë se familja e tij e ka ditur se ai ka qenë në Zllash, pasi sipas tij, atë e kanë parë në ditën kur e kanë marrë.

Kur prokurori, Cezary Michalczuk e ka pyetur dëshmitarin si ka arritur të dalë nga vendi ku është mbajtur, ai ka thënë se personat e ndaluar janë liruar pas nisjes së "ofensivës së serbëve".

“Një person me uniformë na ka thirrur me emra dhe na ka thënë ‘shkoni nga të doni, jeni të lirë’”.

Ai më pas ka thënë se rrugës për në Prishtinë, i është bashkuar kolonës së refugjatëve.

Aktakuza ndaj Mustafës

Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali', ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, i ka thënë Mustafës në hyrje të seancës se nuk do t’i lejojë atij gjuhë të papërshtatshme, sikurse herën e kaluar, dhe mund ta largojë nga salla për këtë arsye.

Në fillim të senacës, Mustafa ka kërkuar që të deklarohet, mirëpo gjykatësja nuk e ka pranuar një gjë të tillë.

“Do t’ju kisha dhënë fjalën, por tani për tani kemi një program të organizuar për sot. Do të marrim dëshmitarin dhe më pas në një moment të duhur do t'ju lejoj të thoni atë që doni”, ka thënë Veldt-Foglia.

Më 15 shtator, gjatë seancës së parë gjyqësore, Mustafa e kishte krahasuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar me "zyre të Gestapos" - referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Prokuroria: Viktimat ishin shqiptarë

Në seancën e parë gjyqësore, të mbajtur më 15 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se viktimat në rastin e Mustafës ishin shqiptarë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar argumentoi se viktimat nuk ishin spiunë, por "shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si bashkëpunëtorë".

Prokuroria: Viktimat në rastin e Mustafës ishin shqiptarë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG