Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Deputetët kërkojnë masa kundër ndotjes së ajrit


Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar seancë të jashtëzakonshme lidhur me ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë konsideruar gjendjen aktuale të cilësisë së ajrit si mjaft shqetësuese jo vetëm në Prishtinë, por edhe në regjione të tjera të Kosovës.

Si të domosdoshme nga deputetët është theksuar përmirësimi i politikave mjedisore lidhur me cilësinë e ajrit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadril Veseli ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndikojnë në përmirësimin e ajrit në Prishtinë dhe komunat e tjera.

Ai ka kërkuar të krijohet një buxhet i veçantë për përkrahjen e investimeve të qytetarëve dhe bizneseve, me të cilat ulen shpenzimet e jetesës dhe rritet cilësia e shëndetit, duke investuar në izolimin e shtëpive dhe ndërtesave të paizoluara në Kosovë.

“Kemi një projekt të jashtëzakonshëm, projektin amerikan të MCC-së, i cili ka ndarë tashmë 22 milionë dollarë. Ky Kuvend të votojë që Qeveria e Kosovës të ndajë 30 milionë euro për këtë qëllim që do të përmirësojë ekonomitë familjare, në veçanti izolimin e shtëpive. Pastaj zgjerimi i projektit të koogjenerimit dhe mbjellja e drunjve në zonat urbane. Trajtimi i ujërave të zeza, trajtimin e mbeturave...” ka thënë Veseli.

Gjatë kësaj jave, të dhënat që ka ofruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës kanë treguar se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales.

Dardan Sejdiu, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë disa propozime për të ndikuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Ai ka theksuar se projekti i koogjenerimit ka qenë një nga shembujt më të mirë se si mund të përdoret një burim i energjisë për të mënjanuar një ndotës, siç ishte mazuti në ngrohtoren Termokos.

“Sipas një studimi që është bërë, me 24 milionë euro mund të dyfishohet kapaciteti i koogjenerimit, nga 140 megavatë energji termike në 280 megavat energji termike. Kjo do t’i mundësonte Termokosit që të bëjë lidhjen e 180 mijë konsumatorë, pra dyfishi i kapaciteteve, nga 90 mijë sosh sa i kemi sot”.

“Në komunat ku kemi këtë cilësi të ajrit, duhet të shikohet me urgjence për subvencionimin e qytetarëve që nuk e kanë gjendjen e mirë ekonomike të ju ndihmohet nga lëvizja e ngrohjes me thëngjill në ngrohje tjera që nuk shkaktojnë ndotje të ajrit”, ka thënë Sejdiu.

Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka kritikuar vendimin e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet, si pjesë e masave për ndalimin e ndotjes së ajrit.

Gaxherri ka propozuar masa tjera për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Propozimi i LDK-së për situatën aktuale është që ndotja nga KEK-u të sanohet duke respektuar ligjet dhe të vendosen elektrofiltrat e cilësisë së duhur dhe në afat kohor të duhur. Të evitohet tërësisht ndotja nga ngrohja me materie të rrezikshme, duke bërë shtrirjen e ngrohjes qendrore nga KEK-u për Prishtinën, Obiliqin, Fushë Kosovën, Podujevën dhe Lipjanin në afat prej dy viteve”, ka thënë Gaxherri.

Masat kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian gjatë këtij viti do të ndajë 34 milionë euro për ndërrimin e elektrofiltrave për termocentralin Kosovën B, filtra këta të cilat nuk janë ndërruar që nga viti 1985.

“Në masat afatmesme kemi kërkuar dhe rekomanduar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe ministrive tjera që të zgjerojnë rrjetin e koogjenerimit në qytetin e Prishtinës dhe qendrat tjera të Kosovës ku ajo është e mundur. Ky projekt kapital besoj që do të realizohet brenda vitit. Kemi kërkuar gjithashtu nga komunat që të riorganizohet transporti publik dhe të promovohet ky transport në ato zona ku ndotja e ajrit është më e lartë”, ka bërë të ditur Reshitaj.

Seanca e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë edhe të enjten kur pritet që deputetët të dalin me rekomandime ose rezolutë, për hapa konkret për të siguruar një zgjidhje afatgjate rreth përmirësimit të cilësisë së ajrit.

Korporata Energjetike e Kosovës, përdorimi i thëngjillit për ngrohje, veturat e shumta, kushtet e pafavorshme atmosferike po konsiderohen nga institucionet e vendit faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës kanë marrë masa të caktuara, në përpjekje për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

Ato kanë ndaluar shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, si dhe qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të Policisë, të misioneve diplomatike, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të EULEX-it, inspeksionit dhe taksive të licencuara.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG