Qytetarë me përfaqësues të Listës Studentore në Parkun Pionirski, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Serbisë, më 17 nëntor 2026.
Qytetarë me përfaqësues të Listës Studentore në Parkun Pionirski, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Serbisë, më 17 nëntor 2026.

Drejtpërdrejt Kuvendi i ri i Serbisë mblidhet në seancën konstituive

E përditësuar
  • Kuvendi i ri i Serbisë mblidhet më 17 nëntor për seancën konstituive. Në fokus është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë edhe ushtrues i detyrës së presidentit.
  • Lista Studentore ka shumicën me 140 nga 250 ulëse, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Ajo ende nuk i ka bërë publikë kandidatët për kryetar Kuvendi dhe kryeministër.
  • Me konstituimin e Kuvendit nis afati 90-ditor për zgjedhjen e qeverisë së re.
  • Në Parlamentin e ri, shqiptarët do të kenë dy mandate.
08:15

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë nis në orën 10:00

Seanca konstituive e Kuvendit të ri të Serbisë pritet të nisë në orën 10:00.

Për herë të parë, në ulëset e tij do të jenë deputetët e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Lista Studentore siguroi 140 mandate, ndërsa lista “Serbia e Bashkuar”, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), fitoi 103. Pas 14 vjetësh në pushtet, SNS-ja kalon në opozitë.

Në Kuvend do të përfaqësohen edhe partitë e pakicave. Koalicioni Shqiptar dhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës kanë nga dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë lista “Njerëzisht” e Rasim Lajiqit, “Lëvizja për Bashkim” e Usame Zukorliqit dhe “SDA – Ruajtësit e Sanxhakut”.

Në rendin e ditës janë gjashtë pika: verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, emërimi i sekretarit të përgjithshëm, si dhe zgjedhja e anëtarëve të trupave punues të Kuvendit dhe e delegacioneve të përhershme parlamentare në institucionet ndërkombëtare. Emrat e kandidatëve për kryetar dhe nënkryetarë ende nuk janë bërë publikë.

Studentët kanë ftuar qytetarët të mblidhen në Parkun e Pionierëve, për t’i përcjellë së bashku përfaqësuesit e Listës Studentore drejt Kuvendit.

Kandidati për deputet nga Lista Studentore dhe aktori Tihomir Staniq.
Kandidati për deputet nga Lista Studentore dhe aktori Tihomir Staniq.

Sipas studentëve, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit ua ka refuzuar kërkesën për ta ndjekur seancën nga galeria e sallës. Ata kanë thënë se, megjithatë, do të qëndrojnë para ndërtesës së Kuvendit.

Radio Evropa e Lirë do t’ju sjellë përditësime të drejtpërdrejta nga seanca në këtë blog.

08:05

Mirëmëngjes!

Sot do ta ndjekim drejtpërdrejt seancën konstituive të Kuvendit të Serbisë.

Kolegët tanë në Beograd do të raportojnë nga vendi i ngjarjes, ndërsa ne do t’ju sjellim këtu zhvillimet kryesore përgjatë ditës.

​
XS
SM
MD
LG