Qytetarë me përfaqësues të Listës Studentore në Parkun Pionirski, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Serbisë, më 17 nëntor 2026.
Qytetarë me përfaqësues të Listës Studentore në Parkun Pionirski, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Serbisë, më 17 nëntor 2026.

Drejtpërdrejt Kuvendi i ri i Serbisë mblidhet në seancën konstituive

E përditësuar
  • Kuvendi i ri i Serbisë mblidhet më 17 nëntor për seancën konstituive. Në fokus është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë edhe ushtrues i detyrës së presidentit.
  • Lista Studentore ka shumicën me 140 nga 250 ulëse, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Ajo ende nuk i ka bërë publikë kandidatët për kryetar Kuvendi dhe kryeministër.
  • Me konstituimin e Kuvendit nis afati 90-ditor për zgjedhjen e qeverisë së re.
  • Në Parlamentin e ri, shqiptarët do të kenë dy mandate.
08:58

Çfarë parashikon Lista Studentore për marrëdhëniet me shtetet e tjera të rajonit?

Lista Studentore premton marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, me vëmendje të veçantë ndaj pozitës së serbëve në vendet fqinje.

Në Bosnjë e Hercegovinë, ajo zotohet të mbrojë pozitën kushtetuese dhe kompetencat e Republikës Sërpska, përfshirë të drejtën e vetos në institucionet e përbashkëta, dhe të forcojë lidhjet ekonomike, infrastrukturore e kulturore me këtë entitet. Kërkon edhe rishikimin e mënyrës së përdorimit të kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare.

Në Mal të Zi, premton angazhim për përmirësimin e pozitës së serbëve dhe zgjidhjen e çështjes së shtetësisë së dyfishtë, përmes një marrëveshjeje dypalëshe ose një zgjidhjeje tjetër ligjore.

Për Kroacinë, programi përqendrohet te të drejtat e serbëve, ruajtja e identitetit të tyre kombëtar, kulturor e gjuhësor dhe pozita e të kthyerve.

08:48

Qytetarët përshëndesin deputetët e ardhshëm të Listës Studentore para Kuvendit të Serbisë

Atmosfera para Kuvendit të Serbisë, ku qytetarët përshëndesin deputetët e ardhshëm të Listës Studentore:

08:44

Çfarë presin shqiptarët e Luginës nga pushteti i ri në Serbi?

Ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk garanton vetvetiu një qasje tjetër ndaj shqiptarëve, thotë Shaip Kamberi, i cili i priu Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet e 25 tetorit. Koalicioni bashkoi tetë parti nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dhe siguroi dy ulëse në Kuvendin e ri.

Kamberi i tha Radios Evropa e Lirë se shumica e re do të vlerësohet nga hapat konkretë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.

Ndër to është pasivizimi i adresave – çregjistrimi i qytetarëve nga adresat ku figurojnë të regjistruar. Kjo masë mund t’ua vështirësojë votimin, qasjen në sigurim shëndetësor, pensione dhe punësim. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësime për këtë praktikë dhe për përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Lista Studentore premton përmirësimin e të drejtave të pakicave në gjuhë, arsim, kulturë dhe informim, por programi i saj nuk i trajton posaçërisht këto dy çështje.

“Këto nuk janë kërkesa të reja, as lëshime politike që dikush duhet të na i dhurojë. Janë çështje të barazisë së qytetarëve dhe respektimit të Kushtetutës, ligjeve dhe standardeve evropiane”, tha Kamberi.

Ai shprehu gatishmëri për bashkëpunim, por theksoi se mbështetja do të varet nga rezultatet konkrete.

“Do ta mbështesim çdo nismë që sjell rezultate konkrete, por do të jemi edhe opozitë e qartë dhe konstruktive ndaj çdo politike që vazhdon t’i injorojë kërkesat legjitime të shqiptarëve”, tha ai.

Lista Studentore, e cila ka votat për ta formuar e vetme qeverinë, ende nuk është shprehur konkretisht për bashkëpunim me partitë e pakicave.

08:41

Kurti: Ende herët të vlerësohet çfarë sjell fitorja e Listës Studentore për raportet me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për France 24 më 13 nëntor, tha se është ende herët të vlerësohet se çfarë do të sjellë fitorja e Listës Studentore për raportet me Kosovën. Sipas tij, dihet se kush i humbi zgjedhjet, por ende nuk është e qartë se kush i fitoi ato.

Ai shtoi se duhet pritur formimi i qeverisë për të parë se kush do të jetë kryeministri, cila do të jetë përbërja e kabinetit dhe çfarë qëndrimesh e orientimesh do të ketë pushteti i ri.

Në një mbledhje të Lëvizjes Vetëvendosje më 31 tetor, ai ka thënë se shpreson që ndryshimi i pushtetit në Serbi të sjellë edhe ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kurti kërkoi një qasje pozitive ndaj Kosovës si shtet i pavarur dhe ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të cilët i cilësoi si komunitet të diskriminuar. Ai kërkoi edhe ballafaqim me të kaluarën, zbardhjen e krimeve ndaj civilëve shqiptarë dhe të fatit të të zhdukurve gjatë luftës.

“Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen”, tha Kurti, duke përsëritur se synimi është normalizimi i plotë i marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG