Çfarë thotë Lista Studentore për Kosovën?
Lista Studentore thotë se do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, sipas programit të publikuar për politikën e jashtme dhe interesat kombëtare.
Në dokument, ajo zotohet të angazhohet për mbajtjen e Kosovës “në përbërje të Serbisë”, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Lista kërkon që të gjitha marrëveshjet për Kosovën t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë. Ajo paralajmëron edhe ndjekjen penale të përfaqësuesve të pushtetit të mëparshëm për vepra të mundshme penale gjatë lidhjes dhe zbatimit të marrëveshjeve që i cilëson si antikushtetuese dhe në dëm të Serbisë.
Programi parashikon gjithashtu angazhim për autonomi sa më të gjerë të komunave me shumicë serbe ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe ruajtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore, sociale e kulturore të Serbisë në Kosovë dhe mbrojtjen e trashëgimisë e pronës së Kishës Ortodokse Serbe.
Nga protestat te qeverisja: Çfarë e pret Listën Studentore?
Luftimi i korrupsionit, pavarësia e institucioneve dhe marrëdhëniet me Rusinë, Kinën e Bashkimin Evropian do të jenë ndër sfidat kryesore të Listës Studentore pas fitores në zgjedhjet e 25 tetorit.
Në planin e brendshëm, një provë do të jetë gjurmimi dhe konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme. Arrestimet pas zgjedhjeve kanë ngritur edhe pikëpyetje për punën e mëparshme të institucioneve, ndërsa mbështetësit e Aleksandar Vuçiqit i cilësojnë ato si përndjekje politike.
Historiania Dubravka Stojanoviq thekson se, ndryshe nga Sllobodan Millosheviqi, të cilin e mundën partitë politike në vitin 2000, Vuçiqin e mundi një lëvizje shoqërore. Tani mbetet të shihet si do të përshtatet në qeverisje modeli i studentëve, me vendimmarrje kolektive dhe pa një udhëheqës të vetëm.
Qeverinë e re e presin edhe vendime urgjente për energjinë. Përjashtimi i përkohshëm i kompanisë së naftës NIS nga sanksionet amerikane skadon më 11 dhjetor, ndërsa marrëveshja për shitjen e pjesës ruse te kompania hungareze MOL ende nuk është përmbyllur. Në fund të vitit skadon edhe marrëveshja për furnizimin me gaz nga Rusia, e cila mbulon rreth 90 për qind të nevojave të Serbisë.
Me Kinën, sfida do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit ekonomik duke përmbushur premtimet për kontrata transparente dhe tenderë të hapur, përfshirë projektet për EXPO 2027.
Një tjetër prioritet është zhbllokimi i pagesave nga Plani i Rritjes i BE-së, të pezulluara pas ndryshimeve në drejtësi që Brukseli i vlerësoi si hapa prapa në demokraci. Lista Studentore është zotuar për integrim evropian, por qëndrimi ndaj Kosovës mbetet një çështje e vështirë: ajo ka bërë të qartë se nuk do ta njohë pavarësinë e saj.
Vuçiq do ta udhëheqë grupin opozitar në Kuvend
Aleksandar Vuçiq, i cili i priu listës zgjedhore “Serbia e Bashkuar”, do ta udhëheqë grupin e saj parlamentar në opozitë. Pjesën më të madhe të 15 vjetëve të fundit ai e kaloi në postet e presidentit dhe kryeministrit të Serbisë.
Në një paraqitje në televizionin Pink më 14 nëntor, Vuçiq tha se grupi do të përqendrohet në mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
“Do të sillemi me mirësjellje, në mënyrë të qytetëruar dhe do të jemi ata që jemi. Do t’i përfaqësojmë interesat e të gjithë qytetarëve të Serbisë”, tha ai.
Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për prioritetet e grupit të saj parlamentar dhe nëse do të mbështeste ligje që lidhen me integrimin evropian apo miratimin e buxhetit.
Në paraqitje të mëparshme, Vuçiq ka thënë se “Serbia e Bashkuar” do t’i mbështesë nismat që u sjellin dobi qytetarëve.
“Keni bërë diçka të mirë në rrugën evropiane, pa i cenuar interesat tona kombëtare – e mbështesim”, ka thënë ai.
Kush e përbën Listën Studentore?
Lista Studentore ka në radhët e saj shumë profesorë universitarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Ajo doli nga lëvizja studentore që për dy vjet udhëhoqi protesta masive kundër pushtetit në Serbi, duke kërkuar llogaridhënie për shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Programi i saj përqendrohet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe lirinë e medias.
Nebojsha Vladisavleviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se përvoja profesionale e deputetëve të rinj do të ndikojë edhe në punën e Kuvendit.
“Lista Studentore është një listë e mbështetur te ekspertët, një lloj liste teknokratike, me shumë doktorë shkencash dhe profesorë universitarë”, tha ai.
Sipas tij, qytetarët ishin dukshëm të pakënaqur me mënyrën se si kishin vepruar politikanët me përvojë të opozitës.
Politologu Dushko Radosavleviq vlerëson se ekspertiza e deputetëve të Listës Studentore mund të ndihmojë në hartimin e ligjeve më të mira.
“Kur të debatohen ligje me rëndësi, qoftë për arsimin, shëndetësinë apo bujqësinë, do të ketë shumë njerëz që i kuptojnë vërtet këto çështje”, tha ai.