Ndërlidhjet

Nga mbyllja, në punë jashtë orarit


Stafi i kompanisë "ArtHouse" që udhëhiqet nga Blin Zeqiri.
Stafi i kompanisë "ArtHouse" që udhëhiqet nga Blin Zeqiri.

Për më shumë se 20 vjet të funksionimit, pronari i kompanisë “ArtHouse”, Blin Zeqiri, asnjëherë nuk kishte menduar se do të vijë një moment dhe të mendonte mbylljen e biznesit.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në pranverën e vitit 2020, kur edhe shpërtheu pandemia e koronavirusit në Kosovë, iu vështirësua shumë puna.

“Depo me mall plot, punë hiç. Besomë që kanë qenë momente shumë të vështira. Dorëzimi ishte e vetmja gjë që na binte në mend”, thotë ai.

Kompania e tij, që ka mbi 30 punëtorë, ofron shërbime të sektorit të teknologjisë informative. Zeqiri thotë se kanë mbi 13 mijë pajisje të lëshuara me qira, e që janë printerë dhe fotokopje të ndryshme.

Klientë të kësaj kompanie janë kryesisht bankat dhe shumë institucione shtetërore.

Blin Zeqiri, pronari i kompanisë "ArtHouse".
Blin Zeqiri, pronari i kompanisë "ArtHouse".

“Duke qenë që ‘ArtHouse’ projektet kryesore i ka pasur që kanë të bëjnë me zyre, do të thotë me njerëz që punojnë në zyre, për shkak se kemi numër të madh të pajisjeve të lëshuara me qira te klientët tonë, pandemia na rëndojë shumë si kompani. Për arsye se prej 13 mijë pajisjeve, vetëm 1 mijë prej tyre kanë printuar”, tregon Zeqiri.

Duke pasur borxhe të shumta dhe këst të madh të kredisë, Zeqiri u detyrua të gjente një alternativë që të shpëtonte kompaninë e tij dhe të mos largonte asnjë punëtor nga puna.

Disa muaj pas fillimit të pandemisë, kompania e tij u fokusua më shumë në departamentin e digjitalizimit, duke skenuar mbi 30 milionë dokumente të ndryshme për klientët.

Ky sektor doli të ishte shpëtimtar për kompaninë e Blin Zeqirit, pasi në mars të vitit 2021, kur në Kosovë filloi procesi i vaksinimit kundër koronavirusit, “ArtHouse” filloi të printonte kartelat e vaksinimit për qytetarët e Kosovës.

“Secila vaksinë, doza e parë, i ka pasur ka dy kartonë. Kështu që ka pasur vëllim shumë të madh të printimit me disa pajisje. Procesi ka shkuar shumë mirë, tash jemi duke e përmbyllur, pasi doza e tretë nuk kërkon karton të vaksinimit. Tash jemi duke i tërhequr pajisjet”, thotë ai.

Gjatë kohës së pandemisë, Zeqiri thotë se kanë punuar nga 15 orë në ditë.

Shumë biznese të mbyllura dhe mijëra punëtorë pa punë

Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë mbyllur shumë biznese, por janë hapur edhe mijëra të tjera. Vetëm gjatë vitit 2021 sipas Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK), janë hapur mbi 9,000 biznese të reja.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, tregon për Radion Evropa e Lirë se cilat lloje të bizneseve kanë pasur rritje gjatë pandemisë në Kosovë.

“Janë disa biznese specifike që janë pjesë e shërbimeve digjitale dhe shërbimeve nga distanca për tregjet e jashtme. Po ashtu, edhe pjesa e produkteve farmaceutike kanë pasur rritje gjatë pandemisë dhe pjesa e shërbimeve shëndetësore”, thotë Rukiqi.

Rukiqi thotë se bizneset vazhdimisht janë ankuar për mospërkrahje nga Qeveria.

“Në përgjithësi, janë biznese që nuk e kanë pasur një stabilitet paraprak. Nuk është ndonjë sektor i veçantë, i cili realisht mund të them që ka pasur mbyllje të shumta të bizneseve, por individualisht shumë biznese edhe janë mbyllur si pasojë që nuk kanë mundur ta përballojnë këtë pandemi”, thotë Rukiqi.

Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisënë Kosovë, gjatë vitit 2021 janë shuar 1,330 biznese, të cilat kishin të punësuar rreth 3,300 punëtorë.

Derisa gjatë vitit 2020, sipas të dhënave, janë shuar 1,346 biznese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG