Ndërlidhjet

SHBA dhe Franca synojnë përmirësimin e marrëdhënieve pas paktit Aukus


Presidenti amerikan, Joe Biden (djathtas) dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë takimeve të G7-ës në Britani të Madhe këtë vit.
Presidenti amerikan, Joe Biden (djathtas) dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë takimeve të G7-ës në Britani të Madhe këtë vit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe ai francez, Emmanuel Macron, kanë bërë përpjekje për të ulur tensionet dhe janë pajtuar që Franca të rikthejë ambasadorin e saj në Uashington, teksa Shtëpia e Bardhë ka thënë të ketë gabuar gjatë ndërmjetësimit të një marrëveshjeje me Australinë për të blerë nëndetëse amerikane, në vend të atyre franceze, pa u konsultuar me Parisin.

Përmes një deklarate të përbashkët, të lëshuar pas diskutimeve mes Bidenit dhe Macronit për gati 30 minuta në telefon, të dy liderët janë pajtuar për të nisur konsultime të thella për rikthim të besimit, dhe për t’u takuar në Evropë, në fund të muajit tetor.

Biden ka telefonuar Macronin në përpjekje për të rikthyer marrëdhëniet, pasi Franca ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për thikë pas shpine, kur Australia ka hequr dorë nga një kontratë në vlerë të 40 miliardë dollarëve për blerje të nëndetëseve franceze, dhe është pajtuar për blerje të nëndetëseve me kapacitet bërthamor me teknologji të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Marrëveshja e arritur së fundmi nënkupton se Australia do të bëhet shteti i shtatë në botë që ka nëndetëse me kapacitet bërthamor.

Sipas marrëveshjes, vendet aleate do të këmbejnë kapacitetet kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologji tjera nënujore.

E zemëruar pas arritjes së marrëveshjes mes SHBA-së, Britanisë dhe Australisë, Franca ka thirrur për konsultime ambasadorët që ka në Uashington dhe Kanberra.

“Të dy liderët janë pajtuar se situata do të përfitonte nga konsultimet e hapura në mes të aleatëve për çështje të interesit strategjik për Francën dhe partnerët tanë evropianë”, është thënë në letrën e përbashkët të SHBA-së dhe Francës.

“Presidenti Biden ka treguar përkushtim në atë aspekt”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij francez, Jean-Yves Le Drian, janë përshëndetuar për herë të parë prej krizës së nëndetëseve, gjatë takimeve që kanë pasur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mërkurën.

Të dy diplomatët pritet të kenë takim me njëri-tjetrin të enjten.

“Ne presim që ata do të kenë kohë për t’u takuar”, ka thënë një zyrtar, duke shtuar se Uashingtoni e ka “mirëpritur” angazhimin e Francës dhe Bashkimit Evropian në Indo-Paqësor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e ka përshkruar thirrjen mes Bidenit dhe Macronit si “shoqërore” dhe ka tingëlluar me shpresë për përmirësim të marrëdhënieve.

“Presidenti ka pasur bisedë telefonike shoqërore me presidentin e Francës, me të cilin janë pajtuar për t’u takuar në tetor dhe për të vazhduar konsultimet e afërta dhe për të punuar për një varg çështjesh”, u ka thënë ajo gazetarëve.

E pyetur nëse Biden i ka kërkuar falje Macronit, ajo ka thënë se “ai e ka pranuar se mund të kishte pasur konsultime më të mira”.

Marrëveshja e re mes SHBA-së, Australisë dhe Britanisë (Aukus), është parë si projekt për ta luftuar Kinën në Paqësor, mirëpo kritikët kanë thënë se këto përpjekje nuk janë në përputhje me planet e gjera të Bidenit për të përfshirë edhe aleatë si Franca në këtë kauzë.

Ditë më parë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë solidarizuar me Francën, për shkak të vendimit të Australisë që të heqë dorë nga marrëveshja për blerjen e nëndetëseve elektrike franceze.

Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë më 20 shtator se njoftimi për marrëveshje të re “ka qenë në kundërshtim me thirrjet për bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian në Indo-Paqësor”.

Kina, në anën tjetër, ka akuzuar tri fuqitë e paktit, për “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG