Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Evropa diskutojnë në Sarajevë për përfaqësuesin ndërkombëtar në Bosnje

Seanca e Këshillit për Zbatimin e Paqes në Sarajevë, Bosnje, 3 qershor 2026.
Seanca e Këshillit për Zbatimin e Paqes në Sarajevë, Bosnje, 3 qershor 2026.

Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC) nisi më 3 qershor takimin në Sarajevë, ku pritet të diskutohet për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për përcaktimin e mandatit të tij të ardhshëm.

Përfaqësuesi i lartë, i cili emërohet nga PIC-u, ka mandat për të mbikëqyrur zbatimin civil të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, me të cilën më 1995 u ndal lufta në Bosnje e Hercegovinë. Ai ka edhe të ashtuquajturat kompetenca të Bonit, që përfshijnë mundësinë e imponimit të vendimeve dhe ligjeve, si dhe shkarkimin e zyrtarëve në Bosnje.

Në qarqet diplomatike dhe politike përmenden emrat e disa kandidatëve të mundshëm nga Evropa, prej nga janë zgjedhur të tetë shefat e deritashëm të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR).

Mes tyre është diplomati italian Antonio Zanardi Landi, për të cilin thuhet se gëzon edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Disa vende evropiane kanë kandidatët e tyre, përfshirë të dërguarin aktual të posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, si dhe Karen Pierce dhe Stuart Peach, të dërguaren aktuale dhe ish-të dërguarin britanik për Ballkanin Perëndimor.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur po ashtu se kanë kandidatin e tyre, nëse vendet evropiane nuk arrijnë pajtim për një emër të përbashkët.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, përfaqësuesi i deritashëm i lartë, Christian Schmidt, do të mbetet në detyrë deri në një vendim tjetër, siç kishte paralajmëruar edhe vetë kur njoftoi dorëheqjen.

Anëtarët e Këshillit për Zbatimin e Paqes, përveç rolit në zgjedhjen e përfaqësuesit të lartë, janë të ngarkuar edhe me dhënien e “udhëzimeve politike” për punën e tij dhe me financimin e OHR-së.

Në takimin e PIC-ut po marrin pjesë ambasadorë të më shumë se 15 vendeve anëtare të këtij trupi ndërkombëtar.

Para takimit, në Bosnje e Hercegovinë arritën ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, dhe ai gjerman, Gunther Krichbaum, si dhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Daniel Lawton. Ata u takuan me zyrtarët më të lartë në Bosnje e Hercegovinë.

Edhe pse vendimi përfundimtar nuk është e domosdoshme të merret njëzëri, kërkohet mbështetje e gjerë politike mes shteteve dhe organizatave kryesore ndërkombëtare që marrin pjesë në punën e PIC-ut.

Mes tyre janë SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Japonia dhe Kanadaja, si dhe Turqia, e cila përfaqëson vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, krahas disa vendeve të tjera evropiane.

Rusia e ka pezulluar pjesëmarrjen në PIC më 2022 dhe kërkon mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Këtë qëndrim e mbështesin edhe Kina, përfaqësuesit politikë nga entiteti Republika Sërpska, si dhe pjesërisht disa aktorë politikë nga Federata e Bosnje e Hercegovinës.

Në dy diskutimet e fundit për Bosnje e Hercegovinën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ripërcaktimin e rolit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, përfshirë zvogëlimin gradual të kompetencave të saj.

Kundër kësaj janë shprehur vendet kryesore evropiane, përfshirë Britaninë, Gjermaninë dhe Francën.

XS
SM
MD
LG