Ndërlidhjet

SHBA dhe evropianët vazhdojnë bisedimet për marrëveshjen bërthamore


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara kanë pasur bisedime “konstruktive” me Francën, Britaninë dhe Gjermaninë, për krijimin e një marrëveshje shtesë për marrëveshjen bërthamore me Iranin, por janë duke bërë edhe një plan tjetër nëse kjo përpjekje dështon, ka thënë kryenegociatori i SHBA-së.

“Kemi pasur bisedime konstruktive me evropianët për një marrëveshje shtesë, por unë nuk mund të parashikoj nëse ne do të arrijmë një marrëveshje apo jo”, ka thënë Brian Hook, drejtori politik i Departamentit amerikan të Shtetit, njëherësh kryenegociatori i SHBA-së në këto bisedime.

“Ne jemi të angazhuar edhe në një plan të emergjencave”, ka thënë tutje Hook, pa elaboruar se për çka saktësisht bëhet fjalë.

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje fuqive evropiane që të “rregullojnë” ato që ai i quan “të meta të tmerrshme” të marrëveshjes bërthamore të nënshkruar më 2015. Në të kundërtën, Trump ka thënë se SHBA nuk do të heqë sanskionet ndaj Iranit, ashtu siç kërkohet në marrëveshje, në shkëmbim të kufizimit të programit bërthamor të Teheranit.

Trump po ashtu ka vendosur një afat deri më 12 maj që të arrihet një marrëveshje me fuqitë evropiane, të cilat janë në mesin e gjashtë fuqive botërore që kanë nënshkruar marrëveshjen me Iranin.

Për fuqitë evropiane, diplomatët thonë se ultimatumi i Trumpit paraqet një dilemë, pasi negociatorët e SHBA-së nuk kanë qenë në gjendje të garantojnë se, edhe nëse i përmbushin të gjitha kërkesat e Trumpit, presidenti amerikan nuk do të largohet nga marrëveshja bërthamore.

Trump po kërkon që të përmirësojë ato që ai i vlerëson si tri defektet në marrëveshjen: dështimin për të adresuar programin e raketave balistike të Iranit, kufizimet për inspektorët ndërkombëtarë që të vizitojnë vendet e dyshuara bërthamore të Iranit dhe konkluzat të cilat mundësojnë aktivitete të rëndësishme Iranit, pasi pasurimi me uranium do të skadojë pas 10-vjetësh.

Ndihmësit kanë thënë se Trump ka kërcënuar me tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja, nëse kritikat e tij nuk adresohen.

Hook ka thënë se nëse nuk arrihet një marrëveshje me aleatët evropianë deri në maj, Trump do të tërhiqet nga marrëveshja. Nëse ka marrëveshje, atëherë kjo do t’i prezantohet presidentit Trump.

“Pastaj ai do të marrë vendimin nëse dëshiron të qëndrojnë në marrëveshje”, u ka thënë gazetarëve Hook.

Diplomatët thonë se ultimatumi i Trumpit i vendos në pozitë të palakmueshme disa prej aleatëve më të ngushtë të SHBA-së.

Shtetet evropiane ranë dakord që të negociojnë një marrëveshje shtesë, pasi u bë e qartë se kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar marrëveshjen.

Irani ka kundërshtuar çdo ndryshim në marrëveshjen bërthamore.

Hook ka pranuar se Irani teknikisht është duke respektuar marrëveshjen bërthamore.

Sidoqoftë, ai ka përsëritur qëndrimet e administratës Trump se Irani po shkelë preambulën e marrëveshjes, ku thuhet se “pritet” që marrëveshja të “zbatohet plotësisht... me kontribut pozitiv në paqen dhe sigurinë në rajon dhe botë”.

Irani, ndërkaq, thotë se nuk ka pranuar të gjitha benifitet nga lehtësimi i sansioneve të garantuara nga marrëveshja e arritur më 2015.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG