Ndërlidhjet

SHBA: Po respektohet marrëveshja bërthamore, Irani konfuz


Ilustrim
Ilustrim

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka siguruar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe do të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve për këtë pakt, mirëpo do të vazhdojë të sanksionojë Iranin për raketat balistike.

Kjo është hera e dytë që kjo administratë, prej kur presidenti Trump ka nisur udhëheqjen e SHBA-së, vërtetoi se marrëveshja është duke u respektuar.

Me marrëveshjen e vitit 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Republika Islamike duhet të reduktojë aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Presidenti Trump pati premtuar gjatë fushatës presidenciale se do të prishte atë që ai e konsideronte, “marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë”.

Ndonëse është vërtetuar se Teherani është duke respektuar marrëveshjen që ka me SHBA-në dhe pesë fuqi të tjera botërore si Kina, Rusia, Franca, Britania dhe Gjermania, administrata e Trumpit ka vazhduar ta kritikojë Iranin.

Ajo e ka kritikuar Teheranin për shkelje “të shpirtit” të marrëveshjes, pasi Irani po vazhdon avancimin e programit të raketave balistike dhe anijeve të shpejta, çështje që mund të ndëshkohen me sanksione të reja.

"Irani vazhdon të jetë njëri nga kërcënimet më të rrezikshme për interesat e SHBA-së dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë një zyrtar i lartë i SHBA-së në kushte anonimiteti.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani është konfuz me deklaratat e fundit të SHBA-së, prej kur Trump e udhëheq shtetin.

Jemi duke pranuar sinjale kontradiktore dhe nuk e dimë se si t’i interpretojmë ato”, ka thënë ministri Zarif në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Nju Jork, disa orë pas njoftimit të SHBA-së, se Irani po e respekton marrëveshjen.

SHBA-ja mund të jetë ambivalente, mirëpo “Irani është serioz ndaj marrëveshjes bërthamore”, ka thënë Zarif, duke shtuar se do të punojnë, në mënyrë që të hiqen sanksionet ndaj Iranit.

Zarif ka thënë se ende nuk ka biseduar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, i cili është duke e bërë një rishikim të politikës amerikane ndaj Iranit.

Ai ka thënë se është i gatshëm të bisedojë me Sekretarin Tillerson.

"Nuk kam komunikuar ende me Sekretarin Tillerson”, ka thënë ai.

"Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë komunikim, mundësitë për bashkëpunim janë gjithmonë të hapura”, ka shtuar tutje Zarif.

Zarif ka thënë po ashtu se gjatë negociatave për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, ai dhe ish-sekretari i SHBA-së, John Kerry, “ndoshta” kanë shpenzuar kohë me njëri-tjetrin “më shumë se me çdokënd tjetër”.

Përfaqësuesit e gjashtë fuqive bërthamore, Kina, Rusia, Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, plus Gjermania do të takohen në Vjenë, më 21 korrik për të analizuar marrëveshjen, që kanë me Iranin.

Zarif ka thënë se aty mund të diskutohet edhe qëndrimi i Iranit se SHBA-ja nuk e ka respektuar pjesën e saj të marrëveshjes, pasi nuk i ka hequr të gjitha sanksionet ndaj Iranit.

Mirëpo, marrëveshja nuk kërkon nga SHBA-ja të heq sanksionet që nuk janë të lidhura me aktivitetet bërthamore të Iranit.

Zarif ka thënë se sanksionet e Trumpit ndaj Iranit, krijojnë përshtypjen në Iran, se armiqësia e SHBA-së ndaj Iranit, nuk do të përfundojë kurrë.

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë sanksionuar Iranin për shkak të testimit të raketave balistike, të cilat kanë kapacitet të bartin koka bërthamore dhe të arrijnë në Izrael.

Irani i mohon këto deklarata.

Zarif ka thënë se raketat e Iranit janë krijuar me qëllim të mbrojtjes së vendit, duke krahasuar në mënyrë sarkastike armët e krijuara nga Irani, me armët që SHBA-ja po furnizon rivalët kryesorë të Iranit, në Lindje të Mesme dhe Arabi Saudite, në vlerë 110 miliardë dollarë.

Zarif ka thënë se Iranit i duhen raketat, për t’u siguruar që të mos ketë afër vetes një tjetër Saddam Hussein, i cili mund ta sulmojë vendin.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG