Ndërlidhjet

Trump ashpërson kritikat ndaj Kinës rreth koronavirusit


Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë më 18 mars, 2020.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka ashpërsuar retorikën e tij kundër Kinës rreth koronavirusit të ri, duke thënë se Pekini është dashur të veprojë më shpejt për të paralajmëruar botën për këtë sëmundje, si dhe ka hedhur poshtë kritikat se po tingëllon racist kur po konsideron virusin si “kinez”.

Gjuha e rëndë e Trumpit ka shënuar një përshkallëzim në luftën e fjalëve mes dy ekonomive më të mëdha në botë, kur janë përfshirë diskutimet për pandeminë globale dhe të drejtat e njeriut.

Përderisa në të kaluarën, Trump ua ka lënë ndihmësve të tij mundësinë për të kritikuar hapur përgjigjen e Kinës ndaj virusit, presidenti republikan, së fundmi ka qenë tejet i hapur në qëndrimet e tij në një konferencë të mbajtur për media.

“Nuk e di nëse mendoni se është faji i Kinës”, ka thënë Trump.

“Është e qartë se nuk jemi paralajmëruar për të. Do të na kishte ndihmuar shumë informacioni më herët. Mirëpo kjo vjen nga Kina, dhe ajo nuk është në pyetje, askush nuk po pyet për të”.

Në deklaratat e tij fillestare, Trump e ka përshkruar situatën si “luftë” të Amerikës “kundër virusit kinez”.

Një gazetar e ka pyetur atë nëse është i gabueshëm dhe potencialisht i dëmshëm për aziatiko-amerikanët që sëmundjes t’i referohet ashtu.

“Jo, aspak. Aspak. Mendoj se ata do të pajtoheshin me këtë 100 për qind. Vjen nga Kina, nuk ka asgjë për t’u mos pajtuar”, ka thënë Trump.

Presidenti amerikan ka përmendur që disa zyrtarë kinezë kanë tentuar ta fajësojnë ushtrinë amerikane për virusin, duke thënë se “kjo nuk mund të ndodhë, nuk do të ndodhë”.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit e ka konsideruar akuzën kineze si “të papërgjegjshme”, e cila është bërë nga një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, që nuk ka ofruar të dhëna për të mbrojtur pretendimin e tij.

Deklaratat e fundit të Trumpit kanë qenë në kundërshtim me qëndrimin e tij një javë më parë, kur ka falënderuar presidentin kinez, Xi Jingping për shpërndarjen e të dhënave lidhur me sëmundjen.

Ndonëse Trump nuk ka përmendur saktësisht presidentin kinez në kritika, ai ka thënë se Qeveria kineze ka munduar “të lajmërojë shumë më herët” lidhur me këtë virus.

Sëmundja që është përhapur me shpejtësi nga kafshët në njerëz, fillimisht në Kinë, deri më tani ka infektuar më shumë se 200,000 njerëz dhe ka rezultuar me vdekjen e 8,500 persona në 164 kombe, duke nxitur izolim emergjent në shumë vende të globit.

Në Shtetet e Bashkuara, për persona të infektuar është raportuar në të 50 shtetet.

Shifrat e të infektuarve në territorin amerikan kanë kaluar shifrën 9,000 çka ka shtyrë miliona amerikanë që të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndalin ritmin e jetës.

Ndërkohë, më shumë se 100 amerikanë veçse kanë vdekur nga ky virus.

Trump ka kritikuar edhe vendimin e Kinës për t’ua tërhequr akreditimin gazetarëve amerikanë të tri gazetave amerikane.

“Nuk jam i lumtur aspak me këtë gjë”, ka thënë ai.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “ekzistojnë” shumë gjëra, që Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë si përgjigje, mirëpo nuk ka dhënë detaje.

Pekini ka njoftuar të mërkurën për atë që e ka cilësuar si hakmarrje ndaj kufizimeve amerikane për gazetarë kinezë, andaj u ka tërhequr akreditimet korrespodentëve amerikanë të të përditshmeve, New York Times, Washington Post dhe Wall Street Journal.

Ky veprim përbën përshkallëzim të ashpër në marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara në mes të Uashingtonit dhe Pekinit, pasi SHBA-ja u ka kërkuar mediave kineze që veprojnë në tokën amerikane që të regjistrohen si grupe të huaja.

Ky veprim përbën episodin e fundit në tensionet e rritura mes SHBA-së dhe Kinës, të cilat kanë mospajtimet të thella në çështjet si ekonomia, të drejtat e pronës intelektuale, dhe të drejtat e njeriut.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG