Ndërlidhjet

SHBA pezullon ndihmat për Pakistan për afro 1 miliard dollarë


Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert

Qeveria amerikane ka thënë se do të pezullojë të paktën 900 milionë dollarë në ndihmën për siguri të ushtrisë pakistaneze derisa Islamabadi të marrë “një hap vendimtar” kundër talibanëve afganë dhe rrjetit të militantëve Haqqani që veprojnë brenda kufijëve të Pakistanit.

Vendimi është njoftuar nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

“Talibanët dhe rrjeti Haqqani vazhdojnë të gjejnë strehim brenda Pakistanit duke destabilizuar Afganistanin dhe sulmojnë personelin amerikan dhe atë të aleatëve”, ka thënë Nauert.

“Derisa qeveria e Pakistanit të marrë hapin vendimtar kundër talibanëve afganë dhe grupit Haqqani, Shtetet e Bashkuara do të pezullojë atë lloj të ndihmës për siguri në Pakistan”, ka thënë ajo.

Sipas saj departamenti është duke punuar ende në detaje, mirëpo në këtë ndalim përfshihen rreth 900 milionë dollarë për operacionet kundërterrorizmit.

SHBA gjithashtu do të vazhdojë me pezullimin e 255 milionë dollarëve në financimin e ushtrisë së huaj, e cila funksionin nga muaji gusht për t’i bërë presion Islamabadit që të marrë masa më të ashpra kundër militantëve.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se ky ndalim nuk do dëmtojë ndihmat për civilët në Pakistan.

“Shpresojmë se Pakistani do të kuptojë këtë hap si stimulim dhe jo ndëshkim”, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Një senator i lartë pakistanez ka shprehur zhgënjim për vendimin e SHBA-së, duke thënë se do të dëmtojë marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Udhëheqësja e Senatit për Marrëdhënie të Jashtme në Dhomën e Lartë të parlamentit në Pakistan, Nuzhat Sadiq, është cituar t’i ketë thënë agjencisë së lajmeve Associated Press, se “ajo çfarë po bën SHBA-ja tani nuk është e mirë për politikën e saj kundër terrorizmit dhe për zgjatjen e paqes në këtë rajon”.

Shtëpia e Bardhë i ka bërë thirrje Pakistanit më 2 janar të bëjë më shumë në luftimin e terrorizmit dhe se do të njoftonte për “hapa specifik” brenda disa ditëve për t’i bërë presion Islamabadit.

Përmes një postimi në Twitter më 1 janar, presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me ndërprerjen e ndihmave në vlerë të miliarda dollarëve për Pakistanin, duke akuzuar Islamabadin për krijimin e strehave të sigurta të ekstremistëve që veprojnë në Afganistan.

Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara “në mënyrë të pamend” i kanë dhënë Pakistanit më shumë se 33 miliardë dollarë për ndihma në 15 vitet e fundit dhe ata nuk na kanë dhënë asgjë tjetër përveç gënjeshtrave dhe mashtrimeve”.

McMaster: Pakistani të mos mbështesë grupet terroriste
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Disa ligjëvënës amerikanë e akuzojnë Pakistanin për zbatimin e një loje të dyfishtë duke kthyer një sy të verbër ndaj grupeve militante që kërkojnë strehim, paravarësisht premtimit për t’i luftuar ata.

“Pakistani është njëra nga qeveritë më mashtruese në të cilat kam qenë ndonjëherë i përfshirë”, ka thënë senatori Bob Corker, i cili njëherësh është edhe kreu i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

“Ata në thelb e mbështesin rrjetin Haqqani, duke i lejuar të kenë streha të sigurta në shtetin e tyre, derisa ata janë kërcënimi më i madh i burrave dhe grave tona në uniformë, ka shtuar ai.

Islamabadi kundërshton se qëllimshëm lejon militantët ekstremistë të kenë strehim në Pakistan.

Më 4 janar, gjenerali i Pakistanit, Asif Ghafoor, i ka thënë televizionit Geo, se Islamabadi kërkon të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara mirëpo “nuk do të bëjë kompromise ndaj interesave të shtetit dhe imazhit të tij”.

Ai ka thënë se Pakistani do të përgjigjet për çdo hap që merr qeveria amerikane kundër Pakistanit, pa dhënë më shumë detaje.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG