Ndërlidhjet

Trump paralajmëron Pakistanin për “zonat e sigurta” të terroristëve

  • RFE /RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë mënjanë një njoftim për nivelin e trupave amerikane në Afganistan, gjatë adresimit të tij të parë zyrtar para kombit të tij, duke paralajmëruar Pakistanin për mbështetjen e supozuar të grupeve ekstremiste në rajon.

Trump është tërhequr nga premtimi i tij në fushatë për t’i dhënë fund luftës më të gjatë në historinë amerikane, derisa është paraqitur i përkushtuar për një konflikt të hapur në Afganistan.

Trump duke vënë theksin në strategjinë e tij të re në Afganistan dhe Azinë Jugore, ka thënë se ai nuk do të flasë, “për numrin e trupave apo për planet e ardhshme rreth aktiviteteve ushtarake”.

Duke folur në bazën ushtarake afër Uashingtonit, Fort Myer, presidenti Trump, ka premtuar “fitoren” në luftën në Afganistan, duke shtuar se strategjia e tij nuk është e bazuar në “afate kohore arbitrare”, mirëpo në kushtet ne terren.

Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përshëndetur, “qasjen e re” të Trumpit, dhe ka thënë se qëllimi i aleancës, “mbetet të garantojë se Afganistani nuk do jetë më kurrë zonë e sigurt për terroristët të cilët kanë sulmuar vendet tona”.

Disa analistë e kanë përshëndetur qëndrimin e ashpër të Trumpit për Pakistanin, derisa të tjerët e kanë kritikuar atë që e kanë quajtur, strategji me detaje të pakta dhe rikujtim i politikave të dështuara të ish-presidentit amerikan, Barack Obama.

Presidenti ka paralajmëruar se nuk do tolerojë Pakistanin, që sipas tij po siguron zona të sigurta për grupet ekstremiste, siç janë talibanët afganë.

Islamabadi i hedhë poshtë këto akuza.

Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur për zonat e sigurta të Pakistanit”, ka thënë Trump.

Pakistani mund të fitojë shumë nëse mbështet përpjekjet tona në Afganistan. Mirëpo mund të humbas shumë nëse vazhdon të strehojë terroristët”.

Nga të tre presidentët amerikanë të cilëve iu është dashur të përballen me luftën e padeklaruar të Pakistanit në Afganistan, fjalët e Trumpit kanë qenë më të qartat, të cilat vënë në pah se Pakistani është pjesë e problemit”, ka thënë analisti pakistanez, Mohammad Taqi.

Jo, afateve kohore “arbitrare”

Presidenti Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në Afganistan jo për të ndërtuar shtetin, mirëpo “për të vrarë terroristë”.

Trump ka shtuar se SHBA-së i duhet një plan për një “rezultat të ndershëm”, pasi një dalje e shpejtë nga Afganistani do të kishte pasoja të “papranueshme”.

Duke përcjellur deklaratat e presidentit Trump, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ka sugjeruar se SHBA-ja dhe shtete të tjera mund të dërgojnë më shumë trupa në Afganistan.

Do të konsultohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe aleatët tanë, shumica e të cilëve kanë treguar përkushtim për rritjen e numrit të trupave”, ka thënë Mattis.

Administrata e presidentit Trump me të drejtë beson se angazhimi i vazhdueshëm pa afate kohore arbitrare, do të përçojë mesazhin e drejtë si për miqtë ashtu edhe për armiqtë në Afganistan dhe rajonin e gjerë”, ka thënë eksperti i Azisë Jugore, Ahmad K. Majidyar.

Majidyar ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të trajnojnë, pajisin dhe ndihmojnë forcat afgane, derisa Pentagoni do të ketë më shumë autoritet për të targetuar grupet terroriste rajonale dhe ndërkombëtare në Afganistan dhe Pakistan, të cilat paraqesin kërcënim direkt në sigurinë amerikane.

Trump ka qenë skeptik për politikën amerikane në rajon, pasi Shtetet e Bashkuara kanë qenë pjesë e luftës në Afganistan, nga viti 2001.

Ai ka thënë gjatë adresimit të tij se “instinkti fillestar ka qenë për largim” nga Afganistani, mirëpo ka arritur tek një tjetër përfundim pasi e ka studiuar çështjen kur ka filluar punën në zyrë.

Trump i ka bërë thirrje Kabulit për implementimin e “reformave të vërteta dhe zhvillimore”.

Krahasuar me paraardhësit e tij, Trump ka theksuar një strategji më të qartë në Afganistan”, ka thënë analisti afgan, Omar Samad.

Më e rëndësishmja, ai ka dalluar se kush është mik dhe kush armik”, ka shtuar tutje ai.

Senatori John McCain, udhëheqës i Komisionit të Senatit për Shërbime të Armatosura, ka thënë se strategjia e Trumpit tejkalon të kaluarën e administratës së ish-presidentit Obama, me “strategjinë e dështuar” në Afganistan.

Trump i ka lënë rrugët e hapura për ndonjë paqe eventuale me talibanët, ndonëse ka shtuar se “askush nuk e di se nëse apo kur mund të ndodhë një gjë e tillë”.

Përmes një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka thënë se Uashingtoni është “i gatshëm për mbështetjen e dialogut paqësor në mes të qeverisë afgane dhe talibanëve pa kushte paraprake”.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit Trump, duke i cilësuar si “të vjetra” dhe “të paqarta”.

Në rast se Amerika nuk i tërheq trupat e saj nga Afganistani, shumë shpejt ky vend do të jetë varri i superfuqisë së shekullit 21”, ka thënë Mujahid përmes një deklarate.

Analisti Samad ka thënë se mesazhi i Trumpit u ka treguar talibanëve dhe mbështetësve të tyre se SHBA-ja nuk do rri në situatë të bllokuar.

"Më në fund talibanëve u është treguar se çfarë planifikon të bëjë Amerika, në mënyrë që të fitojë”, ka thënë ai.

Talibanët vazhdimisht i kanë bërë thirrje SHBA-së dhe aleatëve të saj të largohen nga Afganistani, duke mos lënë mundësi të paqes me Qeverinë e Kabulit, për aq kohë sa forcat e jashtme qëndrojnë në tokën afgane.

Më shumë trupa amerikane në terren?

Presidenti Trump ka njoftuar për një rishikim të strategjisë pak kohë pasi ka marrë presidencën në muajin janar, derisa zyrtarët amerikanë kanë thënë se ai i ka pyetur privatisht nëse shtimi i numrit të trupave është veprim i matur.

Ai u ka thënë zyrtarëve të lartë në korrik se “ne nuk jemi duke fituar, ne jemi duke humbur” luftën në Afganistan, kundër grupeve siç janë talibanët, Al-Kaida dhe Shteti Islamik.

Sipas një raporti amerikan të publikuar me herët gjatë këtij viti, talibanët konsiderohet se kontrollojnë rreth 40 për qind të shtetit.

Vendimi i presidentit Trump ka ardhur pas një takimi me ekipin e tij të Sigurisë Kombëtare, në kampin David, për të diskutuar konfliktin.

Më herët gjatë këtij viti, ishte thënë se presidenti i ka dhënë autoritet sekretarit Mattis, për trupat në Afganistan, duke hapur rrugë për shtimin e tyre, pas kërkesës së Komandantit amerikan në Afganistan, Gjeneralit John Nicholson.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane dhe ata të Inteligjencës frikësohen se tërheqja ose zvogëlimi i prezencës së trupave amerikane, do t’i ndihmonte talibanëve dhe do t’i lejonte Al-Kaidës dhe militantëve të Shtetit Islamik, të përdorin Afganistanin për organizimin e sulmeve kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Shtetet e Bashkuara e kanë pushtuar Afganistanin në tetor të vitit 2001, duke u thirrur në artikullin e pestë të NATO-s për vetëmbrojtje kolektive, pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington.

Fushata e udhëhequr nga SHBA-ja e largoi nga pozita qeverinë e talibanëve e cila strehonte liderin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Forcat amerikane janë duke qëndruar atje gjatë udhëheqësive të presidentëve, George W. Bush, Barack Obama, dhe tani Trump.

Ka qenë rrëmujë dhe tani ne do ta bëjmë më pak rrëmujë”, ka thënë Trump më herët gjatë këtij viti kur është pyetur për Afganistanin.

Është e habitshme se si pas tetë muajsh rishikim të strategjisë, në fund rezultoi me një politikë e cila tingëllon sikur politikat që janë përdorur në mënyra të ndryshme dhe kanë dështuar në të kaluarën”, ka thënë, Michael Kugelman, bashkëpunëtor i Azisë Jugore në Qendrën Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Uashington.

Strategjia në Afganistan është komplikuar nga dallime të brendshme për atë nëse Shtetet e Bashkuara duhet të marrin qëndrim të ashpër kundrejt Pakistanit për dështim të ndalimit të strehimit të talibanëvë afganë në këtë vend dhe arrestimit të liderëve ekstremistë afganë.

Zyrtarët amerikanë dhe ata afganë kanë thënë se talibanët afganë janë të mbështetur nga ushtria pakistaneze dhe agjencia e inteligjencës.

Përpara se Trump të merrte një vendim të tillë, atij i janë bërë propozime nga zyrtarë amerikanë, për të rishikuar nëse do të duhej të përcaktonte Pakistanin, si shtet që mbështet terrorizmin, në rast se nuk do t’i përndjekte liderët e rrjeteve të talibanëve afganë, të cilët konsiderohen ndër grupet ekstremiste më vdekjeprurëse afgane.

Mirëpo një përcaktim i tillë do të nxiste sanksione amerikane, duke përfshirë ndalimin e shitjes së armëve dhe dhënien fund të ndihmës ekonomike amerikane për Pakistanin.

Në rast se Pakistani nuk përballet me pasojat e aksioneve të tij, sjellja e tij nuk do të ndryshojë përballë Afganistanit”, ka thënë analisti Taqi.

Trump ka bërë një hap të befasishëm duke bërë thirrje për përfshirje më të madhe të Indisë në luftën afgane.

Trump ka thënë se dëshiron të “zhvillojë më tutje partneritetin strategjik me Indinë”, ashtu që Nju Delhi “t’i ndihmojë më shumë rreth Afganistanit, posaçërisht në fushën e ekonomisë”.

India, një nga aleatët më të ngushtë të Kabulit, ka shpenzuar miliarda në ndihma dhe infrastrukturë në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur rreth 100,000 trupa gjatë viteve 2010-2011.

Aktualisht SHBA-ja ka 8,400 trupa në Afganistan, staf i cili ishte përcaktuar nga ish-presidenti Barack Obama.

Në këtë vend gjenden edhe rreth 5000 trupa joamerikane të NATO-s.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG