Ndërlidhjet

SHBA: U evitua një disfatë e rëndë e administratës së re amerikane

  • RFE /RL

Ilustrim

Senati i Shteteve të Bashkuara, me dallim të vogël, nuk e miratoi masën e bllokimit të shitjes së planifikuar të armatimit për Arabinë Saudite, nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump.

Me këtë propozim do të bllokohej shitja e municionit të udhëhequr në mënyrë precize për Mbretërinë saudite, në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Në këtë mënyrë u evitua një disfatë e rëndë e administratës së re amerikane.

Votimi i mbrëmshëm 53:47, tashmë e ka pastruar rrugën që shitja të finalizohet. Shitja e këtij municioni preciz është pjesë përbërëse e pakos së propozuar të shitjes së armatimit, në vlerë prej 110 miliardë dollarëve për Arabinë Saudite. Administrata thotë se kjo kontratë do të krijojë vende të reja të punës në Shtetet e Bashkuara dhe do ta përmirësojë kapacitetin ushtarak të Riadit, që është ndër aleatët kryesorë në rajon.

Por, kundërshtarët e kësaj marrëvshjeje, të udhëhequr nga senatori republikan, Rand Paul, dhe ai demokrat, Chris Murphy, ishin jashtëzakonisht kritikë për rolin e Arabisë Saudite në luftën civile në Jemen dhe për abuzimet e të drejtave të njeriut në këtë vend. Ata thanë, po ashtu, se kanë shqetësime se armatimi i sofistikuar mund të përdoret në konfliktin kundër civilëve në Jemen.

Megjithqë, propozimi i tyre nuk u mbështet nga shumica e senatorëve, demokrati Murphy këtë zhvillim e shpalli si fitore të pjesërishme, pasi rezoluta i ka siguruar 20 vota më tepër se sa një masë e ngjashme e mëparshme, të cilën ai dhe kolegu i tij republikan, Rand Paul, e kishin përpiluar në muajin shtator të vitit të kaluar, për ta bllokuar shitjen e tankeve të prodhimit amerikan dhe të armatimeve të tjera për Arabinë Saudite, në vlerë prej një miliard dollarëve.

Votimi i këtillë nuk do të mund të mendohej para një kohe, por tash Kongresi përfundimisht e ka parasysh se Arabia Saudite po e përdorë municionin amerikan për goditjen e qëllimshme të caqeve civile brenda Jemenit”, tha zoti Murphy.

Republikani Rand Paul, i cili e pat kundërshtuar nominimin presidencial të Donald Trumpit nga ana e partisë së tij, si lider i krahut jointervenues të Partisë Republikane, ka bërë kritika të ashpra në adresë të Arabisë Saudite, gjatë fjalimit të tij në Senat. Ai vlerësoi se Riadi është “eksportuesi numër 1 i filozofisë xhihadiste” dhe tha se shitja e municionit paraqet kërcënim për jetët e shtetasve të pafajshëm të Jemenit.

Jam i tmerruar se si njerëzit po përpiqen për ta mbështetur fitimin e korporatave me qëllim të shitjes së këtij armatimi”, tha Paul dhe ka shtuar se “Arabia Saudite nuk është partner i besueshëm”.

Lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, dhe senatorët e tjerë që e mbështesin shitjen, thanë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mos u shesin armatim të nevojshëm aleatëve kryesorë në Lindjen e Mesme, që u duhet për ta luftuar grupin ekstremist, Shteti Islamik, dhe për ta kundërshtuar agresionin e Iranit në rajon.

Në Jemen po luftojnë Qeveria e mbështetur ndërkombëtarisht, e cila përkrahet nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, kundër kryengritësve shiitë huti, të mbështetur nga Irani, që janë aleatë me njësitet ushtarake lojale ndaj një ish-presidenti të Jemenit.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, prej marsit të vitit 2015, ka ndërmarrë sulme ajrore në Jemen, ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se nga luftimet janë vrarë mijëra civilë.

Senatori republikan, Lindsay Graham, tha se refuzimi i shitjes së municionit preciz në Arabinë Saudite, do të ishte fitore për Iranin.

Nëse ju nuk mendoni se duke e frenuar Iranin dhe duke i mbajtur ata që të mos e përmbysin Jemenin, Irakun, Sirinë dhe Libanin, nuk është në interesin tonë kombëtar, atëherë ju bëni gabim të madh”, tha ai.

Senatori republikan, Bob Corker, kryesues i Komitetit të Jashtëm të Senatit, ka sugjeruar se së paku një numër i votave për bllokimin e shitjes së municionit ishin bërë nga senatorët që dëshironin ta pengonin presidentin Trump.

Veprimi i zotit Trump për të lëvizur me shitje duket se ishte bërë me qëllim, që të shkatërrohej vendimi i ish-presidentit Barack Obama, për ta mbajtur pezull shitjen e municionit preciz për forcat e armatosura të Arabisë Saudite, pas sulmeve ajrore të saduitëve në një funeral në Jemen, vitin e kaluar, me ç’rast u vranë më tepër se 40 vetë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG