Ndërlidhjet

Për shkeljet e të drejtave të fëmijëve nuk flitet


Disa fëmijë në Plementin, në afërsi të Prishtinës. Fotografi nga arkivi.
Disa fëmijë në Plementin, në afërsi të Prishtinës. Fotografi nga arkivi.

Çdo 1 qershor shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e kjo ditë gjen Kosovën me statistika jo aq të mira sa i takon respektimit të të drejtave të fëmijëve.

Rreth 72 për qind e fëmijëve në Kosovë raportohet se kanë qenë viktima të ndëshkimit fizik apo psikik.

Kështu thuhet në një raport për periudhën 2019-2020 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Drejtoresha e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi, thotë se dhuna ndaj fëmijëve mbetet fenomen shqetësues.

“Siç dihet, në Kosovë nuk e kemi një gjendje të mirë të fëmijëve. Kemi një përqindje të lartë të varfërisë së fëmijëve, 22.8 për qind jetojnë në varfëri dhe kemi një përdorim të lartë të shkallës së dhunës, pra rreth 72 për qind e fëmijëve kanë deklaruar se kanë qenë viktima të dhunës fizike, qoftë psikologjike. Pastaj fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mos kenë qasje të duhur shëndetësore, sociale apo edhe në arsim”, thotë Kelmendi.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ASK-ja dhe UNICEF-i, rreth 30 për qind e fëmijëve nga mosha 1 deri 14 vjeç kanë përjetuar ndëshkim fizik.

Ndërsa 6 për qind kanë thënë se kanë përjetuar ndëshkim të rëndë fizik.

Përveç rasteve të dhunës së prindërve ose kujdestarëve të fëmijëve, një fenomen tjetër shqetësues është edhe rritja e nivelit të dhunës mes nxënësve nëpër shkollat e Kosovës.

Ditëve të fundit, në rrjete sociale kanë qarkulluar video-incizime të ndryshme, ku një grup nxënësish rrihnin brutalisht një nxënës tjetër.

Përveç dhunës fizike, janë raportuar edhe shumë raste të dhunës seksuale, më shqetësuesi ishte ai i një vajze të vogël e cila u sulmua seksualisht nga tre nxënës të një shkolle fillore në kryeqytet.

Vetëm në katër muajt e fundit, sipas Policisë së Kosovës janë raportuar 21 raste të ngacmimit seksual, pa përjashtim moshe.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës për numrin total të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve si dhe të dhunës/ngacmimeve seksuale ndaj personave të mitur. Mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Puna e fëmijëve në veprimtari të rrezikshme

Fëmijëve në Kosovë u shkelën të drejtat e tyre edhe nga puna e detyrueshme.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-it, rreth 5 për qind e fëmijëve janë të përfshirë në punë, përfshirë punët e rënda fizike.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Lindita Boshtrakaj, koordinatore nacionale e projektit MAP’16 i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, thotë se në Kosovë fëmijët janë të detyruar të punojnë në shumë sektorë.

Sipas saj, shkeljet më të mëdha të të drejtave të fëmijëve janë në sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe pylltarisë.

“Kemi numër të madh të fëmijëve në rrezik në deponi të mbeturinave, në pyje, në bujqësi, në miniera sipërfaqësore të thëngjillit, në gërmim të gurëve dekorativë, në ndërtimtari dhe këto janë disa prej sektorëve me prioritet për t’u ndaluar”, thotë Boshtrakaj.

Boshtrakaj thotë se në Kosovë nuk zbatohet plotësisht Ligji për mbrojtjen e fëmijëve dhe si pasojë shumë fëmijë, pa vullnetin e tyre detyrohen që të punojnë shpeshherë edhe punë të rënda fizike.

“Ne vazhdojmë të mos kemi raste të raportuara as nga policia në qendra për punë sociale, as nga mësimdhënësit për nxënësit e tyre e as nga institucionet shëndetësore”, thotë Boshtrakaj.

Fëmijët me nevoja të veçanta pa përkrahje dhe pre e dhunës në familje

Kaltërina Misini, zyrtare për informim në organizatën që përfaqëson interesat e personave me nevoja të veçanta “HandiKOS”, thotë se në katërmujorin e parë të këtij viti ka pasur rritje të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.

Misini thotë se sipas të dhënave që kanë siguruar nga Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore, katër fëmijë me nevoja të veçanta kanë qenë viktima të dhunës në familje.

“Prej janarit të vitit 2021 deri tash, do të thotë gjatë katërmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 118 raste të fëmijëve që kanë qenë viktima të dhunës në familje, e që katër prej tyre kanë qenë më aftësi të kufizuara”, thotë Misini.

Avokati i Popullit kërkon mbrojtje nga dhuna për fëmijët

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, institucioni i Avokatit të Popullit thotë se fëmijët ende hasin në vështirësi për gëzimin e plotë të të drejtave të tyre, veçanërisht në realizimin e së drejtës për arsim dhe mbrojtje sociale dhe shëndetësore.

Përmes një reagimi për media, Avokati i Popullit thekson se fëmijëve duhet të mundësohet një jetë pa dhunë. Kjo sipas tij këtij institucioni, është e drejtë themelore dhe parakusht i domosdoshëm për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijës.

“Kohëve të fundit janë shënuar disa raste eklatante të dhunës ndaj fëmijëve, por edhe ndërmjet tyre nëpër shkolla. Këto ngjarje duhen të merren seriozisht nga të gjitha institucionet që të parandalohen në të ardhmen, në mënyrë që fëmijët të mos ndjehen të pasigurt në shkolla”, u tha në reagimin e Avokatit të Popullit.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet çdo 1 qershor.

Kjo ditë u shpall ditë ndërkombëtare e fëmijëve në konferencën botërore për mirëqenien e fëmijëve më 1925, në Gjenevë të Zvicrës.

Atëbotë, 54 shtete pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Gjenevës për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG