Ndërlidhjet

Respektim i mangët i të drejtave të fëmijëve


Një fëmijë lëmoshë-kërkues në Prishtinë
Një fëmijë lëmoshë-kërkues në Prishtinë

Tre fëmijët e Nexhmijes, një nëne 25 vjeçare, kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e Prishtinës.

Ndonëse shumë të vegjël në moshë, më i madhi 9 vjeç e më e vogla 3 vjeçare, ata ditën nuk e kalojnë në institucionet shkollore apo parashkollore, por të shtrirë në rrugë duke kërkuar lëmoshë apo edhe duke kaluar nëpër dyqane e kafene në kërkim të parave të cilat i shërbejnë familjes së Nexhmijes për të siguruar ekzistencën.

Ajo, ishte martuar në moshën 16 vjeçare, por ndërkohë as Nexhmija dhe as burri i saj nuk arritën të sigurojnë nga një vend pune.

“Jetoj në Fushë Kosovë. Herët në mëngjes vij në Prishtinë dhe kërkojmë lëmoshë, unë bashkëshorti dhe tre fëmijët e mi”, thotë Nexhmija.

“Nuk i kemi kushtet financiare të mira. E kam pasur dhe vazhdoj ta kem jetën e vështirë. Po mundohem për fëmijët e mi, por nuk kam se çka t’ju ofroj. Kaq mundem. Dal, kërkoj lëmoshë me ta tërë ditën dhe me paratë që marrim, ushqehemi”, tregon Nexhmija.

Fatin e fëmijëve të Nexhmijes, e kanë edhe shumë fëmijë të tjerë, të cilët për shkak të kushteve të rënda financiare detyrohen të punojnë, duke lënë anash shkollimin dhe edukimin.

Gjendja më e rëndë, sipas organizatave vendore dhe ndërkombëtare, pasqyrohet te fëmijët që u takojnë komuniteteve rom, egjiptian e ashkali (RAE).

Në qershor të këtij viti, Kosova për herë të parë ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.

Krahas Ligjit përkatës, sot më 20 nëntor, kur po shënohet 30-vjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, në Kosovë janë shtuar thirrjet që të mbrohen të drejtat e tyre dhe të shtohen angazhimet institucionale për shkollim e edukim.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se në Kosovë, vetëm 40 për qind e fëmijëve kanë qasje në institucione parashkollore-kopshte. Andaj, siç tha ai, Qeveria e re e Kosovës do të duhej ta merr parasysh zhvillimin e hershëm të fëmijëve në mënyrë që ata të kenë mundësi të zhvillimit, të shoqërohen, të jetë gati për shkollë.

"Është shumë me rëndësi qoftë nëse jeni politikanë apo qytetarë të thjeshtë, ajo çfarë mund të bëjmë më të mirën është për fëmijët e Kosovës. Konventa i jep të drejtë çdo fëmije. Roli ynë është që të japim mundësi më të mira, që të dëgjohet zëri i tyre", tha ai.

Zyrtarë nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, si koalicion i 29 organizatave joqeveritare për të drejtat e fëmijëve, bazuar në objektivat e saj thonë se do të vazhdojnë fuqizimin e organizatave lokale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Sipas kësaj organizate, gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë. Të dhënat e fundit, sipas KOMF, flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. Kurse 10.7% e fëmijëve në Kosovë thuhet se janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. Ndërkaq 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me nevoja të veçanta, thuhet se kanë qasje në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasin për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët.

Edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se edhe në Kosovë është evidente fenomeni i dhunës dhe shumë fëmijë punojnë në rrugë.

"Të drejtat e fëmijëve në përgjithësi janë të pandashme. Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një atmosferë të sigurt dhe në një ambient të sigurt. Shumë fëmijë sotjanë të prekur nga luftërat, nga varfëria, nga dhuna. Shumë fëmijë nuk e kanë mundësinë të shkojnë neper shkolla dhe të edukohen, nuk kanë të drejtë për ujë të pastër ose kulm mbi kokë. Shumë vajza dhe djem të ri janë të zhvendosur në tërë botën, duke i shitur si skllav, apo duke i shtyrë të punojnë punë të rënda fizike. Kjo gjë është duke ndodhur në tërë botën’’.

‘’Ndërsa Kosova nuk përjashtohet nga këto fenomene negative, dua të përmendi se së fundi dhuna nëpër shkolla është duke u rritur. Gjithashtu ka edhe probleme të tjera shoqërore, sidomos kur bie fjala tek fëmijët me aftësi të kufizuara. Ne shohim shumë fëmijë duke kërkuar lëmoshë neper rrugë, shumë fëmijë që janë viktima të dhunës në familje, dhe të cilët janë të neglizhuar nga familjet dhe institucionet. Kështu që dua ta shfrytëzoj këtë mundësi dhe t’u rikujtoj institucioneve për obligimet të cilat i kanë ndaj Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve i cili është miratuar në korrik të këtij viti , tha Apostollova.

Nisur nga gjendja jo e mirë e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, drejtori i Save the Children në Kosovë, Ahmet Kryeziu, tha se po punojnë shumë që të ndihmojnë në respektimin e të drejtave të fëmijëve, duke u bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë në këtë angazhim të përbashkët.

XS
SM
MD
LG