Dy shpërthime goditën Damaskun të martën, afër hotelit ku presidenti francez, Emmanuel Macron, po qëndronte gjatë vizitës në Siri. Si pasojë e shpërthimeve, të paktën 18 persona janë plagosur.
Presidenti francez nuk ishte brenda hotelit kur ndodhën shpërthimet, pasi veçse ishte nisur për në Pallatin presidencial të Siri, ku u takua me homologun sirian, Ahmed al-Sharaa.
Pas shpërthimeve u panë shtëllunga tymi afër Hotelit Four Season, teksa forcat e sigurisë mbyllën një rrugë dhe autoambulancat u panë duke shkuar drejt vendngjarjes.
Ministria e Brendshme e Sirisë tha se një bombë ishte vendosur brenda një makine të parkuar në skaj të një rruge, ndërkaq një tjetër ishte vendosur në një kosh mbeturinash.
Ky institucion tha se dy bombat shpërthyen “teksa po bëheshin përgatitje” që të çmontoheshin.
Në mesin e 18 personave të plagosur janë edhe katër policë, raportoi media shtetërore siriane.
Presidenti francez, që është udhëheqësi i parë evropian që viziton Sirinë që nga rrëzimi nga pushteti i sundimtarit të kamotshëm Bashar al-Assad më 2024, do të vazhdojë vizitën e tij, tha Pallati Elize.
Shpërthimet ndodhën disa momente para se televizioni shtetëror sirian të njoftonte për arritjen e Macronit në Pallatin presidencial sirian.
Macron gjatë takimit me Sharaan diskutuan për rindërtimin e Sirisë dhe përsëriti thirrjen e tij për “uniteti”. Udhëheqësi francez po ashtu u takua me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Kjo ishte hera e dytë që kryeqyteti sirian u godit nga shpërthimet që nga enjtja e javës së kaluar, kur dhjetë persona u vranë pas një sulmi me bombë në një kafene në Damask.
Presidenti francez nuk kishte njoftuar për datën e vizitës së tij, deri në momentin kur aeroplani me të cilën udhëtonte ateroi në Siri të hënën, për shkaqe sigurie.
Gjatë qëndrimit në Siri, Macron pritet të marrë pjesë në një forum ekonomik që fokusohet në “rindërtimin e sigurisë dhe korridoret strategjike”.
Herën e fundit kur një presidenti i Francës vizitoi Sirinë ishte më 2009, kur atëbotë këtë shtet e vizitoi Nicolas Sarkoyz, para se Assadi të shtypte protestat prodemokracisë më 2011, që nxitën konfliktin që ka lënë të vrarë mbi gjysmë milioni persona dhe ka shkatërruar infrastrukturën e vendit.
Në maj të vitit 2025, Macron e mirëpriti Sharaan në Francë gjatë vizitës së tij të parë në një shtet evropian. Më pas, udhëheqësi sirian vizitoi Uashingtonin ku u takua me presidentin amerikan, Donald Trump.
Të martën në mbrëmje, Macron përmbyllë vizitën në Siri nga ku do të niset për në Ankara të Turqisë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.