Turqia ndalon fluturimet nga disa pjesë të Evropës
Turqia tha se do të ndalojë fluturimet në dhe nga nëntë vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Ndalesa hyn në fuqi sot dhe do të vlejë deri më 17 prill, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Vendet e tjera që preken janë: Spanja, Norvegjia, Danimarka, Austria, Suedia, Belgjika dhe Holanda.
Fluturimet nga dhe në Itali, Turqia i ka pezulluar më herët.
Deri më tash, Turqia ka raportuar pesë raste me koronavirus.
Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbylljen e kufijve tokësorë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se sot nga ora 6:00, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, ka mbyllur kufijtë tokësorë të Kosovës për udhëtarët që hyjnë në vend, përjashtuar shtetasit kosovarë.
Këto masa vijnë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, pas raportimeve për dy raste pozitive në Kosovë.
Sipas vendimit të Qeverisë, shtetasit e Kosovës do të mund të hyjnë në vend, por ata do t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe do të vetizolohen për 14 ditë.
Gati të gjithë që arrijnë në Zelandën e re, duhet të vetizolohen
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se gati secili person që hyn në këtë vend nga mesnata e së dielës, duhet të vetizolohet, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ardern tha se masa e re prek edhe shtetasit e Zelandës së Re që kthehen.
Përjashtim bëjnë vetëm qytetarët e ishujve të vegjël të Paqësorit, që nuk kanë raportuar raste me koronavirus.
“Nuk kërkoj falje. Kjo është një situatë e paparë”, tha Ardern.
Ajo shtoi se kjo masë do të rishikohet nga autoritetet pas 16 ditësh.
Zelanda e Re ka konfirmuar se ka gjashtë raste me koronavirus.
Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miraton projektligj të ndihmës lidhur me koronavirusin
Ligjvënësit amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar një projektligj të ndihmës lidhur me koronavirusin, që me shumë gjasa do të shndërrohet në ligj, pasi të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Dhoma e Përfaqësuesve, ku shumicë janë demokratët, kaloi projektligjin që ofron testime falas për sëmundjen Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Po ashtu, ky projektligj parasheh që të paguajë lirimin nga puna të qytetarëve dhe të rrisë ndihmën ushqimore, me qëllim që të zbusë barrën e familjeve.
Për këtë projektligj, 360 ligjvënës votuan pro, ndërkaq 40 ishin kundër.
Legjislacioni pritet të dërgohet javën e ardhshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Presidenti Donald Trump ka shkruar në Twitter se e mbështet këtë pako të ndihmës.
Për më shumë lexoni këtu.