Të dashur lexues, këtu e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të pandemisë së koronavirusit. Për më të rejat e fundit na ndiqni në rubrikën e lajmeve. Faleminderit që ishit me ne!
Shkup: Katër të vdekur dhe 52 të infektuar me koronavirus
Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten katër të vdekur nga Covid-19.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, tre viktima janë nga Shkupi, të moshës 73,76 dhe 82 vjeçe dhe një tjetër nga Tetova i moshës 55 vjeçe.
Me këto viktima numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur betejën me Covid-19 ka arritur në 125.
Janë regjistruar edhe 52 të infektuar me koronavorirus, shifër kjo më e larta që nga muaji prill, kur vendi ndodhej pranë majës së epidemisë.
Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, gjithsej 26 raste, 9 në Tetovë, 6 në Kumanovë, 2 në Strugë dhe nga një në Veles dhe Koçanë. Të dhënat kanë të bëjnë me testimin e 661 mostrave në rajone të ndryshme të vendit.
Drejtuesit e institucioneve kanë shprehur brengosje të thellë lidhur me rritjen e numrit të të infektuarve duke bërë thirrje për kujdes të shtuar.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se mos respektimit i masave mund të çoj në rikthimin e masave kufizuese.
“Dua të bëjë qartë se do të zbatojmë kufizime në disa vende nëse gjendja epidemiologjike e kërkon një gjë të tillë, do të analizojmë të dhënat edhe gjatë fundjavës dhe do të shohim se si duhet të veprojmë”, deklaroi Filipçe duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme angazhim më të madh në zbatimin e masave të Komisionit të Sëmundjeve Infektive.
Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në mbi 2,100 ndërsa 487 raste ende janë aktiv, kurse mbi 1,500 janë shëruar.
Kroacia nuk shënon asnjë rast të ri me COVID-19
Gjatë 24 orëve të fundit në Kroaci nuk është shënuar asnjë rast i ri me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus, që nga fillimi i pandemisë mbetet 2445.
Të enjten, Shtabi i Mbrojtjes Civile raportoi se është shënuar edhe një vdekje e re.
Autoritetet shëndetësore njoftojnë se që nga fillimi i epidemisë janë shëruar 2,059 pacientë.
Greqia do të rihapë kufijtë për 29 vende
Greqia njoftoi të premten se duke filluar nga data 15 qershor do të rihapë kufijtë për qytetarët e 29 vendeve të botës.
Në mesin e vendeve janë: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia.
Lista do të zgjerohet edhe me disa vende tjera, tha ministria e Turizmit në Greqi.
Megjithatë, autoritetet kanë thënë se do të vëzhgojnë situatën e pandemisë.
Vizitorët do ti nënshtrohet testimin për koronavirusi por vetëm me raste sporadike.
Turizmi në Greqi luan një rol të rëndësishëm në ekonomi pasi rreth 20 për qind e e buxhetit mbushet nga të hyrat e kësaj industrie.
Rreth 33 milionë turistë e vizituan Greqinë vitin e kaluar, duke gjeneruar të ardhura prej 19 miliardë eurosh.
Masat e izolimit që u vendosen në muajin mars, ndihmuan mbajtjen nën kontroll të përhapjes së koronavirusit të ri.
Greqia ka raportuar për 3 mijë raste të infektuarve, një numër relativisht i ulët krahasuar me shumicën e vendeve anëtare të BE-së.