A mund t’ua përkeqësojë ibuprofen sëmundjen njerëzve me COVID-19?
Organizata Botërore e Shëndetësisë sqaron:
"Tani për tani, bazuar në informacionet që ka në dispozicion, OBSH-ja nuk rekomandon kundër përdorimit të ibuprofenit.
Ne jemi duke u konsultuar me mjekë që trajtojnë pacientë me COVID-19 dhe nuk jemi në dijeni për raportet e efekteve negative të ibuprofenit, përveç efekteve të ditura anësore, që e kufizojnë përdorimin e tij te njerëz të caktuar.
OBSH-ja nuk është në dijeni për të dhëna të publikuara klinike, ose të bazuara në popullsi, në lidhje me këtë çështje".
Banka Qendrore Evropiane ndan 750 miliardë euro për të luftuar koronavirusin
Banka Qendrore Evropiane aktivizoi një paketë të ndihmës, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit.
Me këto mjete do të paguhen borxhet e qeverive dhe kompanive në vendet e Eurozonës.
Shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, tha se ky institucion do të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur euron në “këto kohë të jashtëzakonshme”.
Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Evropa tani është epiqendër e shpërthimit të koronavirusit, i cili për herë të parë është shfaqur në Kinë, në fund të vitit të kaluar.
Mbi 8,800 njerëz në botë kanë humbur jetën si pasojë e tij.
Shumë vende janë izoluar, duke mbyllur shkollat, bizneset jothelbësore dhe kufijtë.
Njoftimi i Lagardes vjen pasi këshilli drejtues i Bankës Qendrore Evropiane zhvilloi bisedime urgjente, përmes telefonit, të mërkurën vonë.
Në ditët e fundit, Banka Qendrore Evropiane është kritikuar për mungesë veprimesh të mjaftueshme për të mbështetur Eurozonën, në krahasim me hapat që i kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara.
Të dielën, Rezervat Federale në SHBA kanë ulur normat e interesit gati në zero dhe kanë aktivizuar një program stimulues në vlerë prej 700 miliardë dollarësh.
Trump: Do ta mundim armikun e padukshëm
Duke e përshkruar veten si “president të kohës së luftës”, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara do të arrijnë fitore të plotë kundër koronavirusit.
“Duhet të sakrifikojmë së bashku, sepse të gjithë jemi bashkë në këtë situatë dhe do t’ia dalim bashkë. Është një armik i padukshëm, por ne do ta mposhtim atë”, tha Trump në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë.
“Mendoj se do ta mposhtim edhe më shpejt seç kemi menduar dhe do të jetë një fitore e plotë”, tha ai.
Trump, fillimisht, tha se do të nënshkruajë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes të vitit 1950, i cili i jep autoritet presidentit t’i drejtojë bizneset civile për të ndihmuar në përmbushjen e urdhrave.
Por, më vonë, në një postim në Twitter ai tha se do ta ndërmarrë këtë hap "në rast të një skenari më të keq në të ardhmen".
Shtetet e Bashkuara kanë mbi 9,300 njerëz të infektuar me koronavirusin që shkakton sëmundjen COVID-19. Deri më tash, 150 pacientë atje kanë humbur jetën.
Në aspektin global janë mbi 220,000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe mbi 8,800 njerëz të vdekur.
Senati amerikan miraton projektligjin 100 miliardë dollarësh për ndihma
Senati amerikan ka miratuar një projektligj për ndarje të 105 miliardë dollarëve për ndihmë në luftim të koronavirusit.
Presidenti amerikan, Donald Trump pritet ta kthejë këtë dokument në ligj.
Ky projektligj fillimisht është miratuar gjatë fundjavës nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Ai përfshin:
-Testim falas për koronavirus për të gjithë amerikanët, pa marrë parasysh sigurimin shëndetësor.
-Deri në fund të vitit, bizneset me më pak se 500 punëtorë, duhet të ofrojnë pushim dyjavor me pagesë për personat e prekur me koronavorus, apo për familjet që kanë pasur të infektuar.
-Më shumë fonde për programet e ndihmave ushqimore me të ardhura të ulëta, bashkë me një varg masash tjera.
Koronavirusi i ri ka prekur të paktën 6,496 persona në të gjitha 50 shtetet amerikane, derisa numri i të vdekurve ka arritur në 114.