Australia dhe Zelanda e re ua ndalojnë hyrjen të huajve
Australia dhe Zelanda e Re do t’iu ndalojnë hyrjen të gjithë shtetasve të huaj, nisur nga e premtja, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha se urdhri do të hyjë në fuqi më 20 mars, në orën 21:00, sipas kohës lokale.
Ndalesat në Zelandën e Re do të nisin mesnatën e sotme.
Ato nuk do të vlejnë për shtetasit e Australisë, përkatësisht Zelandës së Re, për banorët me leje të përhershme qëndrimi apo për familjet e tyre.
Udhëheqësit e dy vendeve kanë thënë se kanë punuar së bashku për këto rregulla.
Të dyja vendet po ashtu i kërkojnë secilit – pavarësisht shtetësisë ose vendit nga vjen – që të vetizolohet për 14 ditë.
Australia ka mbi 600 të infektuar me koronavirus, ndërsa gjashtë pacientë atje kanë humbur jetën.
Në Zelandën e Re janë shënuar 28 raste pozitive.
Gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, qytetarët ua mësyjnë dyqaneve
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të krizës me koronavirus, qytetarët në Maqedoninë e Veriut ua kanë mësyrë dyqaneve ushqimore, për të siguruar rezerva.
Por, autoritetet në Shkup thonë se shteti ka rezerva të mjaftueshme dhe se transporti i mallrave nuk është ndërprerë, ndonëse vendi ka mbyllur kufijtë për lëvizjen e qytetarëve.
Artikullin e plotë e gjeni këtu
Dilema rreth ibuprofenit? Ja, përgjigjja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë:
(Klikoni në foto)
Në Kosovë kthehen 39 qytetarë, të gjithë në karantinë
Autoritetet kanë kthyer të enjten në Kosovë 39 qytetarë, të cilët kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus. Një ditë më herët, ndërkaq, është kthyer ekipi kombëtar i boksit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit në Qeverinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha përmes një postimi në Facebook se të gjithë ata do të vendosen në karantinë 14-ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.
“Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu, do të vazhdojë’, tha Abdixhiku.
Kosova, tash për tash, ka 20 raste të konfirmuara me koronavirus.
Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.