Radio-stacionet në Evropë transmetojnë këngën e Liverpool-it
Radio-stacionet në Evropë kanë transmetuar të premten himnin e tifozëve të klubit anglez të futbollit, Liverpool.
“You'll Never Walk Alone” (Ti nuk do të ecësh vetëm kurrë) është transmetuar nga 180 radio-stacione në Evropë, mëngjesin e sotëm, raporton BBC.
Kjo është parë si mesazh i solidaritetit në kohën kur miliona njerëz janë të vetizoluar në shtëpi, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kontinenti evropian është epiqendër e kësaj pandemie.
Vendet e prekura më së keqi në Evropë janë Italia dhe Spanja.
Shkon në 22 numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë
Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se të premten në Kosovë është regjistruar edhe një rast me koronavirusin e ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve tani ka arritur në 22 persona.
“Rasti pozitiv është nga Komuna e Malishevës, i gjinisë mashkullore, moshës 67 vjeçare”, thuhet në komunikatë.
“Evropa nuk do të rimëbkëmbet” pa Italinë
Bashkimi Evropian mund të mos rimëkëmbet kurrë nëse blloku e lë Italinë vetëm gjatë pandemisë së koronavirusit, tha ministri i Financave i Francës, Bruno Le Maire.
“Nëse secili vepron për vete, nëse ne i lëmë vetëm disa shtete, nëse i themi Italisë për shembull ‘dilja vetë’, Evropa nuk do të rimëkëmbet kurrë”, tha Le Maire.
Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.
Mbi 41,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa mbi 3,400 pacientë kanë humbur jetën.
Banka Qendrore Evropiane ka aktivizuar këtë javë një paketë të ndihmës, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit në vendet e Eurozonës, ku bën pjesë edhe Italia.
Rreth 850 kosovarë kërkojnë të kthehen në Kosovë
Derisa Kosova vazhdon të sfidohet nga menaxhimi i situatës së shkaktuar nga shfaqja e koronavirusit, një numër i madh i shtetasve të Kosovës që kanë mbetur nëpër vende të ndryshme të botës, kanë kërkuar të kthehen në Kosovë.
Rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë, të cilët kanë bërë kërkesë që të rikthehen.
Vetëm të premten, rreth 180 kosovarë të kthyer nga Gjermania, do të vendosen në Qendrën për Studentë në Prishtinë, e cila është shndërruar në karantinë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës.
Alban Zogaj, shef i kabinetit të ministrit të Transportit, thotë se institucionet janë duke bërë gati një listë me kërkesat e qytetarëve që aktualisht janë jashtë vendit dhe që kanë kërkuar kthimin në Kosovë.
- Artikullin e plotë lexojeni këtu.