Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:07 26.3.2020

Franca regjistron 365 vdekje shtesë nga koronavirusi

Franca ka raportuar të enjten për 365 persona të vdekur si pasojë e koronavirusit, duke përfshirë një 16-vjeçare.

Kjo njëherësh ka qenë shifra më e lartë e viktimave që është shënuar brenda 24 orëve.

Shefi për shëndetësi në Francë, Jerome Salomon u ka thënë gazetarëve se një total prej 1,696 personave kanë vdekur nëpër spitale në Francë nga virusi, duke thënë se në këtë shifër nuk përfshihen ata që kanë vdekur nëpër shtëpi apo qendra për të pensionuarit.

Ai ka thënë se deri më tani, 29,155 persona kanë dalë pozitivë në testet me këtë virus në Francë, duke shtuar se numri real i rasteve me siguri është shumë më i lartë.

Deri më tani, në gjithë botën është raportuar për më shumë se gjysmë milioni persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, të cilën e shkakton koronavirusi.

19:22 26.3.2020

Mbi gjysmë milioni njerëz të prekur nga koronavirusi

Numri i personave të infektuar nga koronavirusi në botë ka tejkaluar shifrën 500,000.

Sipas të dhënave të Universitetit, Johns Hopkins, aktualisht në botë janë 510,000 persona të infektuar me këtë sëmundje.

Deri më tani, më shumë se 22,000 persona kanë vdekur nga sëmundja Covid-19 që shkakton ky virus, përderisa, Italia, shteti i prekur më së keqi nga koronavirusi ka raportuar për 8,165 persona të vdekur.

Deri më tani në Kosovë autoritetet kanë raportuar për 79 persona të infektuar me koronavirus, si dhe për një pacient të vdekur.

 

18:00 26.3.2020

Shkon në 79 numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka raportuar për tetë raste të reja të prekura me koronavirus në Ksoovë.

“Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 89 persona nga të cilet 8 kanë rezultuar pozitivë. Megjithatë më në fund e kemi lajmin e mirë. Njëri nga pacientët edhe pas testimit të dytë ka dalur NEGATIV. Sipas rekomandimeve të OBSh kur kemi dy mostra negative të një personi me një ditē distancë kohore, tregojnë shërimin nga COVID-19”, ka thënë Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Ai po ashtu ka bërë të ditur edhe për të shëruarin e parë nga kjo sëmundje.

Duke shtuar edhe të prekurit e fundit deri më tani në Kosovë është raportuar për 79 raste me Covid-19 ndërsa një pacient ka vdekur tashmë nga virusi që shkakton këtë sëmundje.

17:41 26.3.2020

Rreth 700 objekte të dezinfektuara në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se deri më tani ka dezinfektuar rreth 700 objekte, duke përfshirë institucione e banesa kolektive, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dhënë këtë deklaratë për Radion Evropa e Lirë:

‘’Fillimisht janë dezinfektuar të gjitha hapësirat e punës, objektet dhe veturat e administratës të Komunës së Prishtinës. Është bërë dezinfektimi i të gjitha institucioneve edukativo-arsimore, pra çerdhet dhe shkollat, institucionet shëndetësore dhe veturat e autoambulancat, institucionet kulturore, qendrat për të moshuar, hyrjet e banesave kolektive, duke përfshirë edhe banesat kolektive për rastet sociale në Hajvali dhe Fushën e Pajtimit, rreth 700 në total’’.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 71 persona të prekur me koronavirusin e ri, ndërkohë që një person ka vdekur nga kjo sëmundje.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG