Samiti BE-Ballkani Perëndimor, nën hijen e koronavirusit
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë anëtarësimin në BE, takohen sot në një samit online, i cili ka rënë nën hijen e pandemisë së koronavirusit.
Fillimisht ka qenë e paraparë që samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pari në dy vjet, t’i përafrojë më tej gjashtë vendet me Evropën, përmes stimujve ekonomikë dhe reformave.
Por, takimi tani pritet t'i shmangë bisedimet për anëtarësim në BE dhe të përqendrohet në ndikimin socio-ekonomik të pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë afro 140,000 njerëz në Evropë.
“Në luftën kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor janë të bashkuar”, tha BE-ja.
Deklarata u lëshua përpara takimit të përfaqësuesve evropianë me përfaqësuesit e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Samiti është dashur të mbahet në Zagreb të Kroacisë, por do të mbahet online, për shkak të pandemisë.
Infografikë:
Guterres: Njerëzit me aftësi të kufizuara, ndër më të goditurit nga koronavirusi
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se një miliard njerëzit në botë, që jetojnë me aftësi të kufizuara, janë ndër më të goditurit nga koronavirusi dhe kërkoi që ata të kenë qasje të barabartë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes.
Guterres tha se pandemia është duke zbuluar shkallën, në të cilën njerëzit janë të margjinalizuar, dhe se është duke i forcuar pabarazitë, me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.
Video-mesazhi i tij u lëshua së bashku me një raport të OKB-së, i cili thotë se njerëzit me aftësi të kufizuara llogaritet se përbëjnë 15% të popullsisë së botës.
Guterres tha se koronavirusi shpesh godet më rëndë njerëzit me probleme ekzistuese shëndetësore, duke e rritur rrezikun e tyre për të vdekur.
Në disa vende, tha Guterres, vendimet për racionalizimin e kujdesit shëndetësor bazohen në kritere diskriminuese, siç janë mosha ose aftësitë e kufizuara.
“Nuk mund të lejojmë që kjo të vazhdojë”, tha Guterres.
“Ne duhet të garantojmë të drejta të barabarta për njerëzit me aftësi të kufizuara, që të kenë qasje në kujdesin shëndetësor”, shtoi ai.
Raporti nënvizon veprimet që duhen bërë, për të mbrojtur njerëzit me aftësi të kufizuara nga kontraktimi i virusit dhe për t’ua lehtësuar atyre ndikmet që mund t’iu shkaktojë distancimi fizik ose izolimi.
Raporti bën thirrje për mbështetje të madhe dhe për angazhim politik, për të siguruar se personat me aftësi të kufizuara "kanë qasje në shërbime thelbësore”.
Facebook fshin qindra llogari që keqpërdorën edhe postimet për koronavirus
Facebook ka fshirë qindra llogari - më shumë se gjysma e tyre me qendër në Rusi, Iran dhe Gjeorgji - pasi ka zbuluar se ato u përkisnin rrjeteve që bëjnë fushata të ndryshme me ndikim.
Facebook njoftoi se llogaritë janë fshirë në prill, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të pastruar platformën e tij nga informacionet mashtruese dhe llogaritë e rreme, që krijohen për të shkaktuar "përçarje në shoqëri".
Llogaritë e fshira kanë qenë aktive edhe në Instagram - aplikacionin që e zotëron Facebooku - dhe kanë qenë të lidhura me tetë rrjete, tha gjiganti i medias sociale, me seli në Kaliforni.
Sipas tij, rrjetet në Rusi dhe Iran e kanë përqendruar përmbajtjen e tyre ndërkombëtarisht, ndërsa dy rrjete në Gjeorgji, dy në SHBA, një në Mauritani dhe një në Mianmar kanë operuar me audiencat e brendshme.
Të gjitha rrjetet janë krijuar para pandemisë së koronavirusit, por Facebook tha se disa prej tyre i kanë përdorur pastaj postimet e lidhura me koronavirus, për të ndërtuar audiencat e tyre.
"E dimë se njerëzit që përpiqen t’i mashtrojnë të tjerët, i përdorin krizat për t’i çuar përpara qëllimet e tyre. Dhe, pandemia e koronavirusit nuk është ndryshe", tha përmes një deklarate Facebook.