Zgjedhjet në botë në kohën e pandemisë së koronavirusit
Kufizimet që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, kanë bërë që zgjedhjet në shumë vende të shtyhen - nga Rusia, Irani e Ballkani deri te zgjedhjet paraprake në 16 shtete të SHBA-së.
Derisa masat e izolimit janë duke u lehtësuar tani në shumë vende, shtrohet pyetja se si dhe kur do të mund të rihapen kutitë e votimit?
Tekstin e plotë mund ta lexoni këtu.
Njëmbëdhjetë raste të reja me koronavirus në Kosovë dhe dy të shëruar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të hënën se ka konfirmuar edhe 11 raste të reja me koronavirus.
Sipas IKSHPK-së, personat që kanë rezultuar pozitivë, janë raste kontakti: pesë nga Komuna e Vushtrrisë, tre nga Prizreni, dy nga Prishtina dhe një rast nga Ferizaj.
Ndërkohë, janë regjistruar vetëm dy raste të personave të shëruar.
Instituti i Shëndetësisë Publike njoftoi se gjatë ditës së hënë ka testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 895; 657 pacientë janë shëruar, ndërsa 28 kanë vdekur.
Rritet për më shumë se 260 numri i viktimave në Francë
Franca regjistroi të hënën edhe 263 viktima nga koronavirusi - krahasuar me 70 që u raportuan të dielën - bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të vdekurve në këtë vend shkon në 26,643.
Ky është numri i pestë më i larti në botë, pas atij në SHBA, Britani, Itali dhe Spanjë.
Të hënën u raportua se 2,712 pacientë mbeten në kujdes intensiv në Francë, krahasuar me 2,776 që kanë qenë të dielën.
Nju Jorku do të nisë të rihapet më 15 maj
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se faza e parë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit do të nisë më 15 maj.
Ai tha se nga e premtja, bizeneset me rrezik të ulët do të rihapen.
“Ky është hapi i radhës i madh në rrugën tonë historike”, tha Cuomo në konferencën për media.
Numri i rasteve të reja me koronavirus në Nju Jork ka vazhduar të bie.
Kurba e të infektuarve atje ndodhet tani në nivelin e 20 marsit, kur ka pasur afro 520 raste të reja.
Autoritetet shëndetësore thanë se në 24 orët e fundit kanë regjistruar 207 viktima të reja.