SHBA-ja pezullon udhëtimet nga Brazili
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime të udhëtimit për shtetasit e huaj, që kanë qenë në Brazil në 14 ditët e fundit.
Brazili ka numrin e dytë më të lartë në botë të infektuarve me koronavirusin e ri, gjithsej 363,211.
Deri më tani janë shënuar 22 mijë viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se kufizimet në udhëtim do të ndihmonin që personat e infektuar të mos hyjnë në SHBA.
"Vendimi do të ndihmojë që shtetasit e huaj që kanë qenë në Brazil të mos bëhen burim i infeksioneve shtesë në vendin tonë", tha sekretarja i shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.
Kufizimi nuk do të ndikojë në tregtinë midis dy vendeve.
Ndalimi i udhëtimit nuk do të zbatohet për shtetasit e SHBA-së.
"Potenciali për transmetimin e virusit nga persona të infektuar që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Brazili kërcënon sigurinë e sistemit tonë të transportit dhe infrastrukturës si dhe sigurinë kombëtare", thuhet në vendim.
SHBA-ja aktualisht është vendi më i goditur në botë nga pandemia me mbi 1.6 milion raste të infektuarve dhe mbi 97 mijë viktima.
Vajza që kujdeset ndaj qenve në kohë pandemie
Dhjetë viktima të reja nga COVID-19 në Gjermani
Gjermania ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, 10 persona kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 8,257, tha Instituti gjerman Robert Koch.
Sipas të dhënave më të fundit të Institutit, numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Gjermani është 178.570.
Të hënën ky vend ka lehtësuar masat e izolimit duke lejuar hapjen e restoraneve.
Gjermania ka miratuar një paketë fillestare shpëtimi me vlerë më shumë se 750 miliardë euro, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë në ekonomi.
Vendi është zhytur në recesion pasi pësoi tkurrjen e saj më të madhe tremujore, që nga kriza financiare e vitit 2009.
Ekonomia u tkurr me 2.2% në tre muajt e parë të vitit 2020, pasi dyqanet dhe bizneset u mbyllën, në mes të marsit, për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
Policia e Kosovës ndalon 53 persona që s’i respektuan masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, në 13 raste ka arrestuar 53 persona në komunat e ndryshme të Kosovës, për mosveprim në përputhje me dispozitat shëndetësore gjatë pandemisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në dy raste në komunën e Ferizajit janë ndaluar 33 persona, në tre raste në Prizren - 12 persona, në pesë raste në Gjilan - 5 persona, si dhe në tre raste në Mitrovicën e Jugut janë ndaluar 3 persona.
Shumica e rasteve të ndalimit të këtyre personave ka të bëjë me mosrespektimin e orarit të lëvizjes gjatë pandemisë dhe punën në lokale afariste, për të cilat ekzistojnë ende ndalesat, por edhe tentimi për mbajtje të ritualit fetar në formë të organizuar.
Me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë aktualisht po zbaton masën e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në Kosovë, dy herë nga 2 orë në ditë, sipas numrave të parafundit personal në letërnjoftimeve.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 1,032 raste me COVID-19. Prej tyre, 789 janë shëruar dhe 29 persona kanë vdekur.