Ndërlidhjet

Shqipëria shton masat kundër COVID-19


Tiranë, fotografi nga arkivi.

Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shqipërisë ka vendosur ashpërsimin e masave për mbrojtje ndaj COVID-19, pasi që në javët e para të vitit 2021 është shënuar rritje rekorde e rasteve të reja dhe numër më i lartë viktimave të shkaktuara nga kjo sëmundje.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se prej datës 11 shkurt do të kufizohet lëvizja nga ora 20:00 deri në 06:00, me përjashtim të emergjencave dhe lëvizjeve për punë.

“Dy javët e ardhshme janë vendimtare. Janë vetëm dy javë dhe nga gjithsecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh, mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim”, tha Manastirliu.

Në takimin e përjavshëm të ekspertëve u bë me dije po ashtu se ky kufizim orari vlen edhe për lokalet, baret dhe restorantet në të gjithë vendin.

Ministrja Manastirliu tha se shkollave të mesme në dhjetë bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, mësimi do ju kalohet online. Po ashtu, ajo tha se do të zgjatet sezoni i provimeve për universitetet për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditore.

Duke folur për variantet e reja të koronavirusit, shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se ka dyshime se në vend kanë hyrë të dyja mutacionet e COVID-19, si ai i Mbretërisë së Bashkuar ashtu edhe ai i Afrikës së Jugut.

“Ne vijojmë dërgimin e mostrave. Pesëdhjetë mostra po dërgohen në Institutin e Shëndetit Publik të Anglisë që janë edhe laboratorë reference. Ne kemi dyshuar për këto mostra për mutacion. Të dyja llojet e mutacioneve, qoftë i Mbretërisë së Bashkuar, qoftë ai i Afrikës së Jugut. Këto mostra po testohen. Ne po ashtu presim metodologjinë e re që të na vijë sot nga Turqia, metodë që po zbatohet edhe në Norvegji dhe do të na lehtësojë punën për t’i dalluar më mirë këto mutacione”, tha Bino.

Një ditë më parë, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se do të bëhet çmos për të mos e çuar vendin në një mbyllje tjetër të plotë, dhe tha se do të ketë shtim të dënimeve për ata që nuk respektojnë masat si mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës dhe mosgrumbullimi i shumë personave në një vend.

Pas dy javësh, Komiteti Teknik do të rishikojë nëse do të jetë e nevojshme për të lehtësuar apo aplikuar masa të tjera kufizuese.

Shqipëria filloi vaksinimin kundër koronavirusit më 11 janar pasi që, sipas kryeministrit Rama, një vend anëtar i Bashkimit Evropian ka arritur t'i sigurojë vaksina të tjera shtesë, përtej 500 mijë dozave të siguruara me kompaninë amerikane, Pfizer.

Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 87,500 persona janë infektuar me koronavirusin e ri, prej së cilëve 1,488 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG