Ndërlidhjet

Shqipëria regjistron 36 raste të reja me COVID-19


Në aeroportin e Tiranës, një punonjës shëndetësor kontrollon udhëtarët që hyjnë në Shqipëri. Foto nga arkivi.

Në Shqipëri është rritur numri i personave të prekur me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirus. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë regjistruar 36 raste të reja, numër rekord që nga përhapja e pandemisë në vend.

Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik tha se shkak për rritjen e numrit të të prekurve janë bërë grumbullimet masive dhe mosrespektimi i masave.

"Situata e COVID-19 është përkeqësuar, rastet janë shtuar dhe sot kemi 36 raste ku 27 raste i përkasin Tiranës. Kjo situatë nuk ishte kaq e papritshme për shkak të grumbullimeve masive që kanë ndodhur ditët e fundit. Jo vetëm grumbullimet, por edhe mosrespektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, në lidhje me mbajtjen e maskave, në lidhje me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal, qoftë edhe të higjienës”, tha Bino.

Zonja Bino theksoi se kjo rritje e numrave të të infektuarve erdhi si pasojë e lehtësimit të masave shtrënguese të vendosura për afër tre muaj në vend.

“Deri në fillimin e hapjes së masave kishim një numër njëshifror, e cila erdhi si rezultat i masave drastike, i sakrificës së gjithsecilit. Por, kjo nuk do të thotë që me hapjen e masave ne të shpërdorojmë çdo këshillë dhe të shpërdorojmë atë që ne vetë sakrifikuam", tha ajo.

Shqipëria ka hapur edhe shkollat në muajin maj. Por, nxënësit janë udhëzuar që të respektojnë distancën fizike.
Shqipëria ka hapur edhe shkollat në muajin maj. Por, nxënësit janë udhëzuar që të respektojnë distancën fizike.

Rastet e reja me koronavirus janë shënuar në Tiranë, ku 27 persona që rezultuan pozitivë, 4 raste në Shkodër, 2 raste në Kamëz, 1 rast në Durrës, 1 në Lushnje dhe 1 në Lezhë.

“Të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave. E them dhe njëherë, të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit. Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive, që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim”, u shpreh Bino.

“Ajo që është e rëndësishme të theksojmë sot është që kemi një rritje të rasteve të cilët po trajtohen pranë shërbimit infektiv, të cilat janë 41 raste dhe prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar. Të gjitha këto tregojnë që COVID-19 nuk është lehtësuar, nuk është një sëmundje e cila kalon lehtësisht. Një pjesë e mirë e rasteve të cilat janë identifikuar kanë shenja klinike dhe një pjesë e tyre kanë pasur nevojë për shtrim në spital", theksoi Bino.

Përkundër shifrave rekord, të cilat janë regjistruar që nga nisja e pandemisë në Shqipëri, zonja Bino tha se në 24 orët e fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke çuar në 960 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Aktualisht, siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, në të gjithë vendin janë 305 raste aktive.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 18,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë 1,299 raste.

XS
SM
MD
LG