Ndërlidhjet

Grupi i parë i refugjatëve afganë vendoset në Durrës


Shtetas afganë në Shqipëri
Shtetas afganë në Shqipëri

Në orët e para të mëngjesit të datës 27 gusht, Shqipëria ka pranuar grupin e parë me refugjatë nga Afganistani.

Në aeroplanin që arriti pas orës 3 të mëngjesit në Shqipëri, erdhën për t’u strehuar 121 refugjatë, gra, burra dhe fëmijë. Ministria e Punëve të jashtme ka konfirmuar se këta refugjatë tashmë janë strehuar në struktura hoteliere në Durrës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Facebook ka publikuar një video nga arritja e këtyre refugjatëve.

Ai ka shkruar se i uron mirëseardhjen qytetarëve afganë “në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Në pritje të këtyre qytetarëve kishte dalë ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka.

“Kanë qenë ditë shumë të vështira me shumë shqetësim për fatin e qytetarëve afganë që presim sot sepse situata e sigurisë në Kabul është përkeqësuar shumë”, tha ajo.

Xhaçka ka përmendur edhe sulmin që ndodhi në Aeroportin e Kabulit të enjten më 26 gusht ku disa njerëz janë vrarë dhe shumë tjerë janë plagosur nga dy sulme vetëvrasëse me bombë.

Incidenti ka shtuar kaosin në aeroport disa ditë para datës 31 gusht kur duhet të përfundojë tërheqja e plotë trupave të huaja nga Afganistani.

Ministrja Xhaçka ka treguar se Shqipëria ka pranuar që të strehojë rreth 4 mijë afganë.

“Grupi që ka zbritur sot do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës ndërkohë që tek sa presim që të kalojë piku i sezonit, ata që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë te konviktet e Qytetit Studenti”, tha ajo.

Në pritje të qytetarëve afganë doli edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

“Ashtu siç kanë bërë gjithmonë, njerëzit e Shqipërisë edhe njëherë po ofrojnë mikëpritje dhe mbrojtje të atyre në nevojë”, shkroi ambasadorja në Twitter.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre. Duke iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të Qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talibanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra.

Sipas një vendimi të miratur të mërkurën nga qeveria, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”. Po sipas këtij vendimi ata mund të qëndrojne deri në 1 vit në Shqipëri.

Grupe afganësh pritet të vijnë për strehim edhe në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG