Ndërlidhjet

Shqipëria pritet me fishkëllima në garën e boksit në Beograd


Pamje nga ceremonia zyrtare e hapjes së Kampionatit Botëror të Boksit në Beograd. 24 tetor 2021.
Pamje nga ceremonia zyrtare e hapjes së Kampionatit Botëror të Boksit në Beograd. 24 tetor 2021.

Kampionati Botëror i Boksit u hap zyrtarisht të dielën, më 24 tetor, në Beograd dhe ceremonia u përcoll me fishkëllima, me rastin e parakalimit të sportistëve nga Shqipëria.

Sportistët nga Kosova nuk po marrin pjesë, duke qenë se autoritetet e Serbisë nuk kanë lejuar hyrjen e tyre me simbole shtetërore të Kosovës.

Në fakt, Federata e Boksit të Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nga gara për shkak të këtij vendimi të Serbisë, por kjo gjë nuk ka ndodhur, për shkak të, siç thuhet, “presioneve nga ana e Qeverisë së Shqipërisë dhe Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA)".

“Na është thënë se në rast të mospjesëmarrjes do të sanksionohemi me dhjetë vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar të AIBA-s”, tha për Radion Evropa e Lirë, kapiteni i ekipit të Federatës së Boksit të Shqipërisë, Nelson Hysa.

Ai përshkroi edhe atmosferën gjatë parakalimit të sportistëve nga Shqipëria në ceremoninë solemne.

“Normalisht, këtu(Beograd) jemi pa dëshirën tonë, kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë, kishte brohoritje, fishkëllime, gjuajtje. Në hotel ka qëndruar Policia e Serbisë për shkak të sigurisë sonë”, tha Hysa.

Pritja e ekipit të Shqipërisë në Beograd
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:39 0:00

Ndryshe, autoritetet kufitare serbe, gjatë vikendit, për tri herë me radhë i kanë ndaluar hyrjen në Serbi, delegacionit të përfaqësueses së Kosovës në boks, për shkak se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, respektivisht simbolet e saj.

Besim Brahimi, selektor i Federatës së Boksit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë të hënën se më nuk do tentojnë të marrin pjesë në këtë Kampionat. Sipas agjendës, boksierët e Kosovës të hënën, më 25 tetor është dashur të fillojnë garën.

“Ka marrë fund gjithçka, më nuk tentojmë. Në pikën kufitare na është thënë se është urdhër i Qeverisë së Serbisë që nuk lejojnë të marrim pjesë me simbole shtetërore në fanella. Pa simbole nuk pranojmë”, tha Brahimi për Radion Evropa e Lirë.

Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA), të shtunën, më 23 tetor, tha se Kosova nuk duhet të trajtohet ndryshe nga shtetet e tjera.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, AIBA tha se pret që delegacioni Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohej “jo ndryshe nga delegacionet e çdo anëtari tjetër të AIBA-s”, dhe shtoi se pret që Kosova të marrë pjesë në këtë Kampionat.

Kosova është pjesë e AIBA-s që prej vitit 2014.

“Ne besojmë që të gjithë atletët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, tha AIBA.

Kampionati Botëror i Boksit zhvillohet në Beograd nga data 24 tetor deri më 6 nëntor 2021.

Bashkimi Evropian e ka mbështetur kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Siç e kemi thënë disa herë në të kaluarën, normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin. Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet t’i kursejnë përpjekjet për të siguruar që shkëmbimi i tillë bëhet rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim”, shtoi Stano.

Kosova paralajmëron ndalimin e aktiviteteve sportive serbe

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, tha se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Çeku tha se rekomandimet, mbi bazën e të cilave autoritetet do të marrin masa, do të vendosen nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport.

Ai tha se në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Gjatë një konference për media me ekipin e boksit të Kosovës, Çeku, në emër të Qeverisë së Kosovës, e dënoi ashpër vendimin e autoriteteve serbe për t’iu pamundësuar atletëve kosovarë pjesëmarrjen në garat në Beograd.

Sipas tij, një vendim i tillë është shkelje e të gjitha rregullave ndërkombëtare sportive.

“Besojmë se ky vendim i organizatorëve të garës botërore në Beograd është marrë sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë”, tha Çeku.

Të dielën, shtoi ai, është kërkuar nga ambasadat e huaja në Kosovë që të reagojnë dhe të mundësojnë shkuarjen e sportistëve kosovarë, por, sipas tij, përkundër kërkesave të shumta, si në nivel institucional, ashtu edhe në nivel të organizatave sportive, sportistët e Kosovës janë penguar të shkojnë në Beograd.

“Qasja e Serbisë e ka tejkaluar botën e sportit, duke e kthyer atë në një çështje politike”, tha Çeku.

“Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, e cila në raste të tjera ka qenë shumë e kujdesshme gjatë reagimeve, por, për çudi, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga BE-ja për shkelje të pastër të të drejtave themelore të sportistëve”, tha Çeku.

Ai i bëri thirrje Federatës Ndërkombëtare të Boksit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të marrin masa adekuate kundër organizatorit.

Në të kundërtën, shtoi Çeku, “ne do të detyrohemi t'iu nënshtrohemi të gjitha mjeteve ligjore kundër ndëshkimit të sportistëve tanë dhe shtetit të Kosovës”.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, shihet me boksierët serbë para nisjes së Kampionatit Botëror të Boksit. 22 tetor, Beograd.
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, shihet me boksierët serbë para nisjes së Kampionatit Botëror të Boksit. 22 tetor, Beograd.

Në këtë kampionat do të marrin pjesë më shumë se 500 atletë nga 88 shtete.

Ata do të garojnë në 13 kategori të ndryshme.

Kosovën në këtë Kampionat ishte paraparë që ta përfaqësonin tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.

XS
SM
MD
LG