Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë i konsideron “të tmerrshme” komentet e Trumpit për Rusinë dhe NATO-n


Ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë komentet e bëra prej ish-presidentit amerikan, Donald Trump për mosmbrojtje të aleatëve të NATO-s nga një pushtim potencial nga ana e Rusisë, dhe i ka përshkruar ato si “të tmerrshme dhe të pavarura”.

Trump, duke e rikujtuar një takim me liderë të NATO-s, gjatë një marshi politik në Karolinën e Jugut, e ka cituar presidentin e një “shteti të madh”, që nuk ia ka përmendur emrin, duke e pyetur atë, “Zotëri, nëse ne nuk paguajmë, dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”

“I kam thënë: ‘Nuk keni paguar? Jeni delikuent?’ Ai ka thënë: ‘Po, kështu ka ndodhur’. Jo, nuk do t’ju mbroj juve. Në fakt do t'i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguani”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, i pyetur për komentet e Trumpit, ka thënë se “inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë të ngushtë nga regjimet vrasëse, është i tmerrshëm dhe i pavarur – e rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë në shtëpinë tonë”.

Traktati i NATO-s e ka një pikë që garanton mbrojtje të përbashkët për një vend anëtar, në rast se sulmohet.

Trump, i cili është në krye të garës për të fituar nominimin e republikanëve në garën për president, ka qenë kritik i ashpër i NATO-s, sa ka qenë president, dhe ka kërcënuar vazhdimisht me largim të SHBA-së prej aleancës.

Ai i ka zvogëluar fondet e SHBA-së për NATO-n, dhe shpesh është ankuar pse vendi i tij është duke paguar më shumë.

Bates ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, demokrat, që synon edhe një mandat në zgjedhjet e nëntorit, i ka rregulluar aleancat e SHBA-së, pasi e ka marrë pushtetin më 2021, duke u siguruar që NATO-ja të jetë “më e madhe dhe më e gjallë, sesa kurrë më parë”.

“Në vend të thirrjeve për luftëra dhe për promovim të kaosit, presidenti Biden do të vazhdojë të forcojë udhëheqësinë amerikane dhe të jetë aty për interesat e sigurisë kombëtare – jo kundër tyre”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Meqenëse, në disa sondazhe, Trump ka përparësi ndaj Bidenit, aleatët evropianë shqetësohen se një fitore e Trumpit në nëntor, mund të dëmtojë përkushtimin amerikan ndaj aleancës, ani pse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë muajin e kaluar se nuk mendon asnjëherë që presidenca e Trupit mund të rrezikojë anëtarësimin e SHBA-së.

Stoltenberg, i cili i ka shtyrë vendet anëtare të ndajnë më shumë fonde për mbrojtje, ka thënë se aleatët evropianë janë duke i rritur kontributet ushtarake dhe po lëvizin në drejtim të duhur.

Trump, në anën tjetër, ka vazhduar të kritikojë aleancën, duke thënë në një marsh me mbështetës, muajin e kaluar, se nuk beson që vendet e NATO-s do ta mbështesnin SHBA-në, nëse do të sulmohej.

Sa i përket luftës së Rusisë në Ukrainë, Trump ka bërë thirrje për shtensionim dhe është ankuar për miliardat e shpenzuara deri më tani.

Prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022, SHBA-ja ka ndarë rreth 75 miliardë dollarë për Ukrainën, ka thënë Stoltenberg, derisa vendet tjera të NATO-s, dhe vendet partere, kanë ndarë mbi 100 miliardë dollarë, së bashku.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG