Ndërlidhjet

Shtyhet debati në Kuvend për Qeverinë Kurti


Kuvendi i Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të zhvillojë seancën për të diskutuar qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mungesë të deputetëve dhe dakordimit mes partive.

Seanca është shtyrë, por nuk është bërë e ditur data e re.

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, ka thënë se seanca është kërkuar për të zhvilluar “një ballafaqim të vërtetë” mes opozitës dhe kryeministrit.

Vetë Kurti ka qenë i pranishëm në seancë.

“Grupi parlamentar i AAK-së, tash e tre muaj e ka dërguar në kryesi një kërkesë për një debat për tre vjetët e Qeverisë. Në diskutim me grupet parlamentare dhe në mungesë të deputetëve për një temë kaq të rëndësishme, një ballafaqim i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit nuk do të duhej të ndodhte pa një dakordim të plotë. Andaj po e shtyjmë këtë debat”, ka thënë Tahiri.

Qeveria e Kurtit, e cila është betuar në mars të vitit 2021, ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes. Mandati i saj përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

Thirrja e kësaj seance është bërë teksa po zhvillohen bisedime për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vetë Kurti ka thënë se është i interesuar për të diskutuar për datën e re të zgjedhjeve.

Megjithatë, krerët e partive opozitare kanë opsione të ndryshme për mënyrën se si duhet të shkohet drejt zgjedhjeve të reja.

Pas seancës, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje partive parlamentare që të çojnë përpara kërkesën e partisë së cilës i takon ai, për t’ua hapur rrugën zgjedhjeve të reja përmes shpërndarjes së Kuvendit.

“Është mirë të reflektojmë dhe t’ua hapim rrugën zgjedhjeve, qoftë më 30 qershor, qoftë më 7 korrik, ashtu siç kemi propozuar si parti”, ka thënë Tahiri, teksa e ka kritikuar Qeverinë aktuale, duke thënë se tani nuk i ka votat as për të miratuar ligje me shumicë të thjeshtë.

“Dita e enjte do të jetë dita fundit për shpërndarje të Kuvendit, 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk e arrijmë një marrëveshje për shpërndarje të Kuvendit, e humbim mundësinë që qytetarët t’iu drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo më 7 korrik. Ne nuk do t’i ndalim përpjekjet”.

Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u ka thënë gazetarëve, pas seancës se, “është e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit kur për debat të qeverisjes ka aq pak deputetë në sallë”.

“Në aspektin legjislativ, pushteti është i gatshëm të vazhdojë mandatin deri në fund, dhe për të përmbushur agjendën legjislative më shumë se secila legjislaturë deri më tash”, ka thënë ajo.

Besnik Tahiri prej AAK-së ka thënë se do të presë dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

XS
SM
MD
LG