Ndërlidhjet

Shuhet ëndrra e Kosovës për Botërorin 2026, pas disfatës kundër Turqisë

Futbollistët e Kombëtares së Kosovës, Kreshnik Hajrizi dhe Lumbardh Dellova pas humbjes ndaj Turqisë.
Futbollistët e Kombëtares së Kosovës, Kreshnik Hajrizi dhe Lumbardh Dellova pas humbjes ndaj Turqisë.

Kosova ka dështuar ta përmbushë ëndrrën për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 - e cila do të ishte e para për të - pasi u mposht 1:0 nga Turqia në finale të plajofit për kualifikim të martën mbrëma në Prishtinë.

Kerem Akturkoglu e shënoi golin e vetëm për triumfin e Turqisë në Stadiumin “Fadil Vokrri”, duke e çuar Turqinë në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2002.

Në një natë me shi në kryeqytetin kosovar dhe në një ndeshje kryesisht të barabartë, dallimin e vetëm e bëri goli i sulmuesit të Fenerbahces në minutën e 53-të, kur ai shënoi nga afërsia pas një kundërsulmi të vizitorëve, pasi u asistua nga Orkun Kokcu.

Lojtarët e Turqisë festojnë kualifikimin në Kupën e Botës 2026, pasi e mposhtën Kosovën në Prishtinë.
Lojtarët e Turqisë festojnë kualifikimin në Kupën e Botës 2026, pasi e mposhtën Kosovën në Prishtinë.

Kosova pati fillim më të mirë të ndeshjes, duke krijuar dhe rrezikuar më shumë, posaçërisht kur Fisnik Asllani qëlloi shtyllën horizontale pasi goditja e tij nga rreth 20 metra largësi u devijua nga portieri Ugurcan Cakir.

Kombëtarja dardane më afër golit se kaq dhe në vazhdim të ndeshjes, me gjithë përpjekjet e mëdha dhe futjen e shumë sulmuesve të tjerë në lojë, si Edon Zhegrova, Milot Rashica e Albion Rrahmani, nuk arriti ta shmangë humbjen.

Kosova, e cila u pranua në FIFA vetëm 10 vjet më parë, nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një garë të madhe ndërkombëtare, si Kampionat Botëror apo Evropian.

Lojtarët e Kosovës shtrihen në fushë të zhgënjyer nga humbja e shansit për t'u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, pasi u mposhtën nga Turqia në Prishtinë.
Lojtarët e Kosovës shtrihen në fushë të zhgënjyer nga humbja e shansit për t'u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, pasi u mposhtën nga Turqia në Prishtinë.

Finalja e plajofit kundër turqve ishte më së afërmi që ajo ka arritur në historinë e vet relativisht të re.

Pritjet dhe trysnia për futbollistët ishin të mëdha pasi një vend i tërë ishte më sy kah ta pas fitores kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plajofit javën e kaluar.

Kjo u dëshmua edhe nga atmosfera në kryeqytet në ditët para ndeshjes dhe nga kërkesat e papara për biletë për ta parë ndeshjen në stadium.

Kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, e përshkroi humbjen si “shumë të vështirë, sepse kemi luftuar shumë nga dita e parë”.

Sulmuesi i Mallorcas në LaLiga ishte tejet emocional duke folur pas ndeshjes, duke thënë se ndien “dhimbje për shtetin, ekipin dhe për të gjithë njerëzit që na përkrahën”.

“Jam shumë krenar me bashkëlojtarët e mi dhe me veten që jam kapiten i Kosovës. Do të doja ta udhëhiqja Kosovën në Kupën e Botës në Amerikë, por ja që nuk ishte e shkruar”.

Ndërkohë, Turqia, e cila po rikthehet në Botëror për herë të parë qëkurse kishte shkaktuar befasi në Kupën e Botës 2002 duke arritur në gjysmëfinale, do ta shijojë këtë garë për herë të tretë në historinë e vet.

Në Botërorin e kësaj vere, Turqia do të jetë pjesë e Grupit D, me kundërshtarë si SHBA-ja, Paraguai dhe Australia.

XS
SM
MD
LG