Ndërlidhjet

Sa të sigurta janë të dhënat digjitale në Kosovë?

Një qendër të dhënash në SHBA.
Një qendër të dhënash në SHBA.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Një sulm ndaj qendrave të të dhënave në Rusi nxori në pah se sa lehtë mund të ndërpriten shërbimet digjitale kur dëmtohet infrastruktura ku ato mbështeten. Në këtë newsletter shpjegojmë ku ruhen të dhënat e qytetarëve të Kosovës, sa të sigurta janë ato, çfarë dobësish kanë identifikuar auditorët dhe sa të përgatitura janë institucionet për t’i rikthyer shërbimet në rast të një incidenti serioz.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Nga 8 deri më 11 tetor, sulmet me dronë ukrainas goditën tri qendra të të dhënave të gjigantit rus Yandex, duke ndërprerë shërbime digjitale dhe duke prekur kompani që mbështeteshin në infrastrukturën e tij.

Si mundet dëmtimi i disa ndërtesave të shkaktojë ndërprerje kaq të gjera dhe sa e përgatitur është Kosova për një incident të tillë? Dy ekspertë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë ngrenë shqetësime për aftësinë e institucioneve që t’i rikthejnë shërbimet digjitale pas dëmtimeve serioze.

Çfarë janë qendrat e të dhënave?

Imagjinoni një ndërtesë plot me kompjuterë të fuqishëm, të quajtur serverë, që ruajnë informacione dhe mundësojnë funksionimin e shërbimeve digjitale. Kjo është, thënë thjesht, një qendër e të dhënave.

Në Kosovë, shumica e të dhënave institucionale ruhen në Qendrën e të Dhënave Shtetërore, ndërsa disa edhe në serverët e institucioneve të veçanta, thotë ish-drejtori i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), Kujtim Gashi. Sipas një rregulloreje të vitit 2016, kopjet rezervë të regjistrave elektronikë shtetërorë duhet të ruhen në qendrën shtetërore.

Këto të dhëna përfshijnë informacione personale të qytetarëve dhe mundësojnë edhe funksionimin e shërbimeve digjitale, si portali e-Kosova, përmes të cilit qytetarët aplikojnë për dokumente dhe përfitime të ndryshme.

Nëse kjo qendër dëmtohet nga një sulm kibernetik, zjarr ose ndërprerje e energjisë elektrike, ekzistojnë dy rreziqe: ndërprerja e shërbimeve digjitale, si ato që ofrohen përmes e-Kosova, dhe humbja e të dhënave, nëse nuk ekzistojnë kopje rezervë të përdorshme.

Për këtë nevojiten kopje rezervë të informacioneve dhe një qendër tjetër, fizikisht e ndarë, që mund të rikthejë funksionimin e sistemeve. Ajo njihet si Qendra për Rikuperim nga Fatkeqësitë (DRC).

Serverë të shumtë në një qendër të dhënash në Irlandë.
Serverë të shumtë në një qendër të dhënash në Irlandë.

Çfarë gjetën auditorët?

Në shtator 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) konstatoi se ASHI nuk ishte e përgatitur për rikthimin e shërbimeve elektronike të platformës e-Kosova në raste emergjente.

Sipas ZKA, mungonte një plan i dokumentuar dhe i testuar për rikuperimin e sistemeve, nuk kishte qendra rezervë funksionale dhe kopjet ekzistuese rezervë ishin të pamjaftueshme për rikuperim të sigurt dhe në kohë.

Auditorët evidentuan edhe politika të vjetruara sigurie, mungesë procedurash për kufizimin e qasjes në sisteme dhe dobësi në kontrollin e aplikimeve e pagesave. Ata dhanë gjithsej 15 rekomandime.

Gashi thotë se projekti për ndërtimin e një qendre DRC, së bashku me lokacionin dhe fondet, ishte finalizuar gjatë mandatit të tij, më 2020, por më pas ishte pezulluar.

“Pa një DRC të standardizuar, rikthimi i shërbimeve pas një incidenti serioz mbetet i pasigurt”, thotë ai. Sipas tij, ekzistojnë disa kapacitete të kufizuara për kopje rezervë në lokacione të ndara, por ato janë zgjidhje të improvizuara, që nuk përmbushin standardet e kërkuara.

REL i ka dërguar pyetje Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike për projektin për DRC, por deri në përgatitjen e këtij newsletter nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, auditimi shqyrtoi e-Kosova dhe sistemet e ndërlidhura me shërbimet e saj, jo sigurinë e plotë të Qendrës së të Dhënave Shtetërore. Raporti nuk dëshmon se të dhënat e qytetarëve janë komprometuar.

Një punonjës duke monitoruar serverë në një qendër të dhënash në Francë.
Një punonjës duke monitoruar serverë në një qendër të dhënash në Francë.

A është Kosova e gatshme për më shumë digjitalizim?

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka paralajmëruar modernizimin e infrastrukturës qeveritare, zhvillimin e teknologjisë cloud, për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave në infrastrukturë të përbashkët, dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Atdhe Lila, paralajmëron se zgjerimi i shërbimeve duhet të shoqërohet me forcimin e mbrojtjes.

“Nuk mjafton që të kemi ligje, strategji dhe politika të sigurisë vetëm në letër”, thotë ai.

Sipas Lilës, cloud-i mund ta rrisë efikasitetin, por përqendrimi i shumë shërbimeve në të njëjtën infrastrukturë do të thotë se një incident mund të prekë disa institucione njëherësh.

Edhe Gashi thotë se rasti i Yandex-it tregon se nuk mjafton të vendosim ku ruhen të dhënat: duhet të garantohet mundësia e rikuperimit të tyre dhe vazhdimit të shërbimeve pas një incidenti.

REL e pyeti Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, për dhe adresimin e gjetjeve të auditimit, por nuk mori përgjigje deri në përgatitjen e këtij newsletter.

Prandaj, mbetet e paqartë nëse mangësitë janë adresuar dhe sa shpejt do të mund t’i rikthente Kosova shërbimet digjitale pas një incidenti serioz.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Ky material është pjesë e rubrikave
​
XS
SM
MD
LG