Ndërlidhjet

Siria mban zgjedhjet që pritet t'i fitojë Assadi


Një grua duke votuar të mërkurën në Alepo.
Një grua duke votuar të mërkurën në Alepo.

Qendrat e votimit janë hapur të mërkurën në Siri për zgjedhjet presidenciale, që pritet t’i sigurojnë Bashar al-Assadit mandatin e katërt në zyrë.

Qeveria ka thënë se zgjedhjet janë tregues se Siria është duke funksionuar normalisht, pavarësisht luftës së gjatë për një dekadë, mirëpo opozita dhe vendet perëndimore e shohin gjithë këtë si kontrollim të pushtetit nga Assadi.

Assad është duke garuar kundër dy kandidatëve në hije.

Në Fakultetin e Arteve në Damask, qindra studentë janë radhitur për të votuar, dhe dhjetëra autobusë janë parkuar jashtë ndërtesës.

“Ne kemi ardhur të zgjedhin presidentin Bashar al-Assad, pa të Siria nuk do të mbetej Siri”, ka thënë Amal, një student i infermierisë.

“Me gjakun dhe shpirtin tonë, ne sakrifikojmë jetët tona për ty Bashar”, janë dëgjuar duke bërtitur studentë tjerë, para hapjes së kutive të votimit.

Në ditët e fundit, autoritetet kanë organizuar marshe të mëdha në gjithë shtetin, me qëllim të sigurimit të daljes së madhe në ditën e zgjedhjeve, kanë thënë disa zyrtarë privatisht, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

Aparati i fuqishëm i sigurisë, që mbështet Assadin, po ashtu ka detyruar zyrtarë të lartë që të votojnë, kanë thënë ata.

“Neve na është thënë se duhet të shkojmë në zgjedhje, apo të mbajmë përgjegjësi për mosvotim”, ka thënë Jafaar, një zyrtar qeveritar në Latakia, i cili ka dhënë vetëm emrin për shkak të sigurisë.

Assad ka fituar pushtetin më 2000, pas vdekjes së babait të tij Hafez, i cili ka udhëhequr për 30 vjet.

Udhëheqësia e Assadit është definuar nga lufta e gjatë për një dekadë, e cila ka shpërthyer pas protestave paqësore kundër rregullit autoritar më 2011.

Si pasojë e konfliktit janë vrarë qindra mijëra persona dhe mbi 11 milionë të tjerë janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, apo rreth gjysma e popullsisë së këtij shteti.

Në disa pjesë të qytetit jugor Deraa, vendin e protestave të para kundër regjimit të Assadit, figurat lokale kanë bërë thirrje për grevë, si shenjë proteste ndaj zgjedhjeve.

“Të gjithë njerëzit refuzojnë regjimin e djalit të Hafezit”, është shkruar në disa grafite në qytetet jugore të Sirisë, duke iu referuar babait të Assadit.

Bashar al-Assad dhe bashkëshortja e tij Asma duke votuar në Damask më 26 maj, 2021.
Bashar al-Assad dhe bashkëshortja e tij Asma duke votuar në Damask më 26 maj, 2021.

Dy kandidatët tjerë në zgjedhje janë ish-zëvëndësi i ministrit të kabinetit Abdallah Saloum Abdallah, dhe Mahmoud Ahmed Marei, udhëheqës i një partie opizitare të sanksionuar.

Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë kritikuar Assadin dhe kanë thënë përmes një deklarate se zgjedhjet nuk do të jenë as të lira as të drejta.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG