Ndërlidhjet

Çfarë mund të bëjnë raketat Patriot për Ukrainën?


Fotografi ilustruese: Një sistem raketor Patriot, i vendosur në Rumani.
Fotografi ilustruese: Një sistem raketor Patriot, i vendosur në Rumani.

Associated Press

Sistemet e raketave Patriot, prej kohësh, janë një armë e nxehtë për SHBA-në dhe aleatët. Në Evropë, Lindje të Mesme dhe Paqësor, ato ofrojnë mbrojtje kundër sulmeve të mundshme nga Irani, Somalia dhe Koreja e Veriut.

Lajmi i kësaj jave se SHBA-ja ka rënë dakord për të dërguar një bateri të raketave Patriot në Ukrainë, shënoi pikë kthese.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që i kërkon këto armë për të rritur mbrojtjen ajrore të vendit të tij kundër sulmeve të ushtrisë ruse.

Por, ekspertët paralajmërojnë se efektiviteti i sistemit është i kufizuar dhe mund të mos sjellë ndryshim të lojës në luftë.

Çka janë raketat Patriot?

Patriot është një sistem raketash tokë-ajër, që për herë të parë u pozicionua në vitet 1980. Ai mund të shënjestrojë avionë, raketa lundrimi dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Çdo bateri Patriot përbëhet nga një sistem lëshimi, i montuar në një kamion me tetë lëshues. Secili prej tyre mund të mbajë deri në katër interceptorë apo pengues raketash, një radar tokësor, një stacion kontrolli dhe një gjenerator.

Ushtria amerikane tha se aktualisht ka 16 batalione Patriot.

Një raport i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, i vitit 2018, zbuloi se ato batalione operojnë me 50 bateri, të cilat kanë më shumë se 1.200 përgjues raketash.

Bateritë amerikane shpërndahen rregullisht në mbarë botën. Përveç kësaj, Patriotët operohen ose blihen edhe nga Holanda, Gjermania, Japonia, Izraeli, Arabia Saudite, Kuvajti, Tajvani, Greqia, Spanja, Koreja e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Rumania, Suedia, Polonia dhe Bahrejni.

Sistemi Patriot “është një nga sistemet më të besueshme të mbrojtjes raketore” dhe ai mund të ndihmojë në mbrojtjen e Ukrainës kundër raketave balistike, të furnizuara nga Irani, thotë Tom Karako, drejtor i Projektit për Mbrojtje Raketore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Kostoja e sistemit Patriot

Sistemi Patriot dhe raketat janë modifikuar vazhdimisht gjatë viteve.

Raketa përgjuese aktuale për sistemin Patriot kushton afërsisht 4 milionë dollarë dhe lëshuesi kushton rreth 10 milionë dollarë, tha Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në raportin e saj të mbrojtjes raketore, në muajin korrik.

Ky çmim është tejet i lartë në krahasim me dronët iranianë - shumë më të vegjël dhe më të lirë - që Rusia i ka blerë dhe i përdor në Ukrainë.

“Gjuajtja e një rakete prej miliona dollarësh në një dron prej 50.000 dollarësh është një gjë e çuar dëm”, thotë Mark Cancian, kolonel në pension i Korpusit të Marinës amerikane dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Një sistem Patriot në Turqi, 2013.
Një sistem Patriot në Turqi, 2013.

Shqetësimet rreth pozicionimit

Një baterie Patriot mund t’i duhen deri në 90 trupa për ta operuar dhe mirëmbajtur.

Me muaj të tërë, SHBA-ja ka hezituar t’ia sigurojë Ukrainës këtë sistem kompleks, sepse dërgimi i forcave amerikane në Ukrainë për të operuar me të, nuk është opsion për administratën e presidentit Joe Biden.

Ka pasur gjithashtu shqetësime se pozicionimi i këtij sistemi do ta provokonte Rusinë, ose do të rrezikonte që një raketë e lëshuar të përfundonte në territorin rus - gjë që do të mund ta përshkallëzonte edhe më shumë konfliktin.

Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi se plani i SHBA-së për t’i ofruar Ukrainës raketa të sofistikuara të mbrojtjes ajrore, është “një veprim tjetër provokues i SHBA-së” që mund të shkaktojë përgjigje nga Moska.

Një pengesë e madhe do të jetë trajnimi. Trupat amerikane do të duhet t’i trajnojnë forcat ukrainase se si ta përdorin dhe mirëmbajnë sistemin.

SHBA-ja i ka trajnuar trupat ukrainase për sisteme të tjera komplekse të armëve, përfshirë sistemet raketore HIMARS.

Zyrtarët nuk kanë pranuar të japin detaje se sa do të zgjasë trajnimi për sistemin Patriot dhe ku saktësisht do të bëhet.

Kapacitetet e sistemit Patriot

Ukraina përballet me një sërë kërcënimesh nga Rusia dhe sistemi Patriot është i mirë kundër disave dhe jo aq i dobishëm kundër të tjerave.

Një ish-zyrtar i lartë ushtarak, me njohuri për sistemin Patriot, thotë se ai do të jetë efektiv kundër raketave balistike me rreze të shkurtër dhe paraqet një mesazh të fuqishëm të mbështetjes së SHBA-së, por një bateri, sipas tij, nuk do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtari thotë se një bateri Patriot ka rreze të gjatë qitjeje, por mund të mbulojë vetëm një zonë të gjerë të kufizuar.

Për shembull, Patriotët mund të mbrojnë në mënyrë efektive një bazë të vogël ushtarake, por nuk mund ta mbrojnë plotësisht një qytet të madh si Kievi. Ata mund të sigurojnë mbulim vetëm për një segment të një qyteti.

Patriotët shpesh pozicionohen si një batalion, i cili përfshin katër bateri. Por, ky nuk do të jetë rasti me Ukrainën, pasi zyrtarët thanë se ajo do të marrë një bateri.

Patrioti ka një radar të fuqishëm, që është më i mirë në dallimin e objektivave, në krahasim me sistemin S-300 të epokës sovjetike, që aktualisht përdorin ukrainasit, thonë Karako dhe Cancian.

Aftësia e Patriotit për të shënjestruar disa raketa balistike dhe avionë mund ta mbrojë potencialisht Kievin, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të zbatojë kërcënimin e tij të vazhdueshëm për të sulmuar me armë taktike bërthamore.

Por, kjo do të varet edhe nga mënyra se si hidhet arma, thotë Karako.

Nëse do të ishte një bombë graviteti e hedhur nga një avion luftarak, sistemi mund ta shënjestrojë avionin; nëse do të ishte një raketë balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme, ai gjithashtu mund ta kapë raketën, thotë Karako.

Kompania Raytheon, e cila prodhon sisteme Patriot, thotë se ato kanë qenë të përfshira në 150 kapje të raketave balistike që nga viti 2015.

Megjithatë, shkalla e suksesit të Patriotëve është vënë vazhdimisht në dyshim.

Në një raport të Zyrës së Përgjegjësive të Qeverisë amerikane, të vitit 1992, është thënë se nuk janë gjetur prova për të mbështetur raportet se sistemi ka arritur një shkallë suksesi prej 70% kundër raketave Scud në Luftën e Gjirit.

Në vitin 2018, suksesi i Arabisë Saudite në përdorimin e Patriotëve kundër raketave të lëshuara nga rebelët Huthi në Jemen është vënë po ashtu në pikëpyetje, pasi janë shfaqur disa video të sistemeve duke dështuar.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG